AT ZEF PLLUMI – FRATEL GJON PANTALIA

AT ZEF PLLUMI – FRATEL GJON PANTALIA
AT ZEF PLLUMI

FRATEL GJON PANTALIA

(Episod nga libri “Rrno vetëm për me tregue”)

Me hekurat e mija na lidhen të dyve bashkë. Ai pruni dyshek leshit e mbulesat, kishte edhe pak enë të vogla për ushqime. U sistemuem, u gëzuem e u përqafuem. Fratel Gjoni kje i vetmi jezuit, që, kur u shpërnda gadi nji vit para shpija e tyne, erdh e banoi në Kuvendin tonë Françeskan. Me origjinë ishte prej Prizreni, djalë i vetëm në moshën 20-vjeçare, kishte lanë punën si nëpunës i hekurudhës dhe nanen e vet me ndigjue thirrjen e Zotit për me hi antar i Shoqnisë “Jezu”. Tash ishte në moshën 64-vjeçare, nji trup mesatar i lidhun: mendjen e vullnetin i kishte edhe ma të fortë. Mjeshtër i të gjitha zanateve, me nji bagazh të mirë kulturor ndër shkencat humanitare. Njeri shumë i gjallë, me cilsi të nalta organizative dhe me aftësi të rralla për jetën praktike. Kishte shëtitë shumë vende të Europës dhe zotnonte latinishten, gjermanishten, frangjishten, italishten, turqishten e sllavishten. Aso kohe Fratel Gjoni konsiderohej prej popullit kyçi kryesor i jezuitëve në Shqipni, pamvarsisht se ai si fratel prej superjorave emnohej vetëm këpucar o rrobaqepës: punën e bante ai, nderimet i merrshin tjerët.

Para se me fjetë erdhën e na lidhën bashkë edhe kambët e kshtu ishim të lidhun kambë për kambë e dorë për dorë. Kemi vuejtë ashtu së bashku pak a shumë katër muej deri në ditët e para të Majit.

N’e nesre u kuptue se burgu i Kishës (alias Kuvendi Françeskan) ishte plot e përmaje mbushë me të burgosun: nalt kishte 68 dhoma të mdha e të vogla. Poshtë kishte salla të gjana, në secilen sistemojshin së paku 200-300 të burgosun. Për çdo mengjes na bijshin te dera nji tas ujë, nji racion bukë misri 400 gr. Dhe jepshin ndezjen e duhanit (vetëm nji herë në 24 orë). Në banjo na nxirrshin n’orën 5 dhe n’orën 17 gjithmonë me duer të lidhuna. Atyne që familjet u sillshin ushqime dhe ndrresa u a jepshin n’orën 12-13. Detyrohej heshtim i plotë pamvarsisht se në ditët e para u tolerue zani i ambël i Gac Çunit, po u ndryll ai dhe çdo za tjetër deri edhe kollitjet e të teshtimet, të cilat shpesh interpretoheshin si sinjale. Dy oda nalt dhe dy tjera poshtë afër bibliotekës, ku dikur ishte redaksia e Hyllit të Dritës, u vunë në dispozicion të hetuesisë. Ndër to, hetuesat me hu, korrent elektrik e lloj-lloj torture që u vinte ndër mend, mbyllnin proceset ose jetën e njerzve të pafaj. Kuvendi Françeskan gjatë vitit 1947 kje qendra dhe kulmi i terrorit komunist: ai u transferue aty nga selia e parë që ishte shtëpia e Pjetër Çurçisë (afër Sahatit të Inglizit) dhe mandej, ma vonë, kaloi në Kolegjin Françeskan, ku Dega e Punve të Mbrendshme vazhdon me kenë edhe sot.

Në burgun e Kishës kam jetue deri me 18 Janar 1948, pra ma shumë se nji vit. Kje nji vit tepër i vështirë. Sot nuk mund i pershkruej ditët e atij viti se do të shkojshem tepër gjatë, por shkurtimisht do të tregoj disa episode.
Në nji mengjes, n’orarin e shërbimeve për tualet, aty mbrenda burgut u ndie krisma e automatikut. U grumbulluen shumë ushtarakë. Flisnin me za të naltë, pamvarsisht se dikush prej tyne jepte urdhna: “Mos fol! Mos e ço zanin!”. Me çka u kuptue në spjegimet e para dukej se kishte ikë nji i burgosun, edhe hekurat e kambëve e të duerve i kishte lanë aty në odë.

Qysh n’atë çast na të burgosunt e tjerë filluem me hjekë shumë keq. Atë ditë mbetëm pa dalë në banjë: nji torturë e vërtetë. Pa kalue nji orë erdhën e na kontrolluen prangat që kishim ndër duer e ndër kambë. Na i shternguen me nji mizori shtazore. Mbas pak minutash duerët filluen me u ajë. Prej çdo ode filluen me u ndie gjamë, ofshame e vaj i të burgosunve. Roja me nji terror të pamshirë kërcnonte me ulurima çdo psherëtimë.

Vetëm në mbasdite vonë filluen me na qitë në shërbime personale. As tash nuk e dij se si u muer vesh se kishte ikë prej burgu Hilë Shllaku. Por ikjen e tij e paguem shtrenjt të gjithë të burgosunit. Duert tona u banë plagë prej prangave. Të gjithë ata që ishin të lidhun çift nuk mund të lëvizshin sadopak, përse tjetrit i hyjshin prangat deri në kocka, tue shkaktue dhimbje të tmerrshme. Kjo gjendje u ba metodë e perhershme, pothuej rregullore e Burgut të Kishës.

Fratel Gjon Pantalia

Në gjysmën e dytë të Shkurtit 1947 shokun tim të vuejtjeve Fr. Gjon Pantalinë, filluen me e marrë në pyetje. Kur thuhet pyetje don me thanë fillojshin edhe torturat. Natyrisht, na nuk e pyetnim njani-tjetrin se çka kerkojshin në hetuesi, jo për mosbesim, por se ata ishin aq mizorë sa mujshin me e marrë edhe atë tjetrin dhe me e pyetë se çka të ka thanë shoqi yt e me e torturue deri në vdekje. Mbas nja katër séance pyetjesh, nji ditë po vjen në dhomë me nji plagë në krah, nën brryl. Ai hetuesi i kishte ngulë nji shufer hekuri në mish. Mbas dy-tri ditësh e kapën ethet me të dridhuna. Plaga ishte ajtë, ai gjimonte prej dhimbash: nuk e merrte gjumi as ditën, as natën. Gardiani lajmoi dhe pruni nji infermier ditën, as natën. Gardiani lajmoi dhe pruni nji infermier ushtarak, i cili i hapi plagën dhe i shtini nji fitil. Na ishim të lidhun dorë për dorë, në mënyrë që ai praktikisht ishte pa duer e më duhej mue me dhanë ndihmë o me i durue edhe dhimbjet e tija. Ai infermieri ushtarak vinte krye dy ditësh. Infeksioni kje aq i randë sa mbeta pa mend: qelbi filloi me dalë nga plaga si uji. Ndërkaq hetuesi shtonte seancat e pyetjes së tij. Nji ditë nuk na kishte harrue ai na u pergjegj se kishte urdhen prej hetuesit. Mbas 48 orësh që ndejem pa bukë e pa ujë Frateli filloi me pasë shumë shqetsime, përveç dhimbjeve të krahit. Un ishem i qetë. Zoti më kishte falë shumë durim, ai plak më dhimbej sikur ta kishem babë. Lutshim Zotin bashkë që të na jepte forcë. Mbasi kaluen tri ditë pa hanger, pa pi më tha:

– Shikjo fra Zef, më vjen keq shumë që po vuen edhe ti për shkak tem. Tash e kam të kjartë se do të na lanë kshtu edhe nji ditë, ose dy se jo ma shumë mbasi njeri vdes. Shif kur të na bien me hanger, kanë me pru ullij ose djathë që janë të krypuna, por nuk do të na biejn ujë. Prandej më ndigjo, mos prano me i hanger se do të kemi etje. Dhimbjet e etjes janë ma të mdha se të urisë.

Kur u banë pesë ditë pa hanger, pa pi, mue më kishte fillue nji gjumë i randë, ndersa ai ishte shumë i shqetsuem. Më thonte shpesh.

– Falju nderës Zotit për ket gjumë, por un kam dhimbje.

Mbas pesë ditësh na prunë nga nji copë bukë misri me ullij dhe djathë bashkë. Frateli u çue e tha:

– Un nuk i marr pa më pru ujë.

– Do t’jua biem ma vonë.

– Jo. Nuk i marrim.

– Ti fol për vedi, ky tjetri i merr.

– As un nuk i marr pa pru ujin.

– Paçi vedin në qafë. Un po u a la këtu ushqimin, në daçi hanje, në daçi mos.

Mbas nja 2-3 orësh gardjani erdhi përsri. Na menduem se do të na binte ujin, por ai veç ndali sa me pa. Gjella ishte aty ku e kishte lanë: e paprekun.

– Pse nuk hani?

– Bjer ujin përpara.

Mbylli deren e u largue.

Mbas nji ore u ndigjuen persri ecje të zhurmshme neper korridor: u ndalen te dera jonë. Hynë mbrendë tre vetë. Kishin nji sahan me krypë. Na hypën siper dhe perdhuni na mbushen gojnë me ka nji grusht krypë, mandej u kthyen në punë të vet. Të shkretat gojë tona që s’paten me shka me u shpërla. N’e nesre lkura e gojës u rrjep. Në të shtaten ditë nuk mujtem me u çue. Mue më kishte kapë nji gjumë, nuk kishem kurrfarë dhimbje, ndersa Frateli kishte dhimbje jo vetëm prej krahit të pezmatuem, por edhe prej urie. Në ditën e nante na prune bukë dhe ujë: plot broken me ujë. Frateli e muer i pari aq me turr, sa gadi kje tue i ra dishka, mue më dhimbej shumë, megjithkta e kqyrshem me nji farë inati, se më hini friga se nuk po më len asnji pikë. Më teproj dishka dhe e shova etjen. Kur fillova me hanger m’u duk se më luejshin dhambët. Hangra kadalë dhe kur mbarova kafshaten e parë, me gishta provova: luejshin me të vërtetë. I thashë Fratelit:

– Shif si më losin dhambët, jo nji por të gjithë, hiqen kollaj prej fulqinit.

– Të paska ra smundja e marinarve.

– Pse marinarve u bien dhambët?

– Nuk u biejn, por u losin ose u prishet mishi kur bajnë udhtime të gjata në dete.

– Un nuk besoj se do ta ketë ndokush tjetër përveç të burgosunve.

Sa më zgjati kjo smundje nuk mund e thom me siguri, por ma vonë dhambët jo vetëm që nuk më kanë lëvizë, por më janë shterngue aq fort sa kur ka ardhë koha me i hjekë nuk delshin pa thye pak edhe nofullën.

Mbasi kaloi kjo valë torture urije, Fratelin filluen me e mjekue persri në krah se kishte shumë dhimbje.

Nji natë më duel gjumi i trembun. Frateli ishte zgjuet prej dhimbash të krahit. Më pyeti: “Pse u trembe?”. Un i kallxova se kishem pa n’anderr Stalinin. Por nuk ishte ai Stalini i fotografive, por nji tjeter, burri i ri, mjafti pashem e i mbajtun që më thirri në zyrën e tij dhe më muer në pyetje. Në fillim më muer me të mirë, mandej m’u kercnue, së mbrami muer nji shkop të trashë që ishte në qoshe të zyrës dhe u tremba e më duel gjumi. Ndërsa Frateli mendonte se ma shpjegue se a do të delte mirë a jo, qe se po ndiejmë zhurmën e kambve të gardjanit që avitej në korridorin e gjatë. Ishte kund ora 1 mbas mesnatet. Ajo zhurmë po avitej përherë e ma afer e u ndal te dera jonë. Ndërsa po hapej dryni, na bamë sikur ishim në gjumë. Gardiani hyni mbrenda, demek më zgjoi, m’i zgjidhi prangat e lidhi Fratelin e mue më vuni pranga tjera. Më vuni para e ecem neper korridorin e gjatë. Më dergoi në zyrën e hetuesit. Çka me pa! Po ajo ftyrë e atij Stalinit që kishem pa n’andërr: Fadil Kapisyzi.

– Un,- më tha,- jam hetuesi i Fratel Gjonit, dhe mbasi jeni bashkë në nji odë, mendova të zhvilloj njikohësisht edhe me ty procesin.

– Procesin e kam firmosë njiherë!

– Ajo ishte nji tallje e jo nji proces serioz. Ai oficeri që të pat marrë ishte ndër ditët e transferimit dhe e ka ba shkel e shko. Bile edhe ai ka lanë shenim aty se procesi nuk asht perfundue, se do të dalin dokumenta të reja. Edhe kanë dalë. Un e zhvilloj procesin siç duhet; e ke pa ku e kam çue Fratel Gjonin: ka pasë peshue 90 kg e tash peshon 60. Do ta baj me ardhë 20 kg. Un nuk dij lojna, prandej fol.

– Zotni, po as ai procesi qi kam ba un nuk ishte lojna. Un kam hjekë edhe ma zi se Frateli atje te pjeshka.

– E dij, e dij mirë, ishin lojna fmijsh ato të Nestit. Do të më njofish mue se ndër këto duer u ka dalë shpirti atyne burrave të fortë. Ke ndie ti? Fol!

– Unë s’kam çflas, mbasi edhe ato që kam firmosë ishin tepër.

– Tepër ëë? Nuk din ti ëë? Të kallxoj un tash ty. Por ma parë due me dijtë çka të ka thanë Fratel Gjoni.

– Si çka me ka thanë?

– Po, po, çka të ka thanë ai ty?

– Për çka? Unë kur ishim jashtë nuk kam folë kurr me te, nuk na lidhte mosha: ai plak e un i ri.

– Jo more jashtë, po aty në odë çka të thotë ai?

– Ai më thotë se e ke rrahë e e ke mundue. Çka më ka thanë tjetër?

– More leni ato ti, po më kallxo ato sekretet e jezuitve që t’i ka lanë ty amanet.

– Mue sekret amanetet e Jezuitve?! Un nuk jam Jezuit, por françeskan.

– I dij mirë un ato: të gjithë njilloj jeni. Por fol ose ta mora shpirtin këtu si zogut. Fol!

– Nuk më ka thanë kurrgja kurr.

– Fol o ta mora shpirtin!– mandej kape nji shkop të trashë aty në qoshe të dhomës e të më hini mbarë e mbrapshtë.

– Aman o Zot,– u luta,– po kur do të marri fund ky mallkim?

Ndërsa ai po më rrahte, mue m’u kujtue nji fjalë.

– Ndigjo,– i thashë.

Ai e ndali shkopin.

– A mendon ti se Fratel Gjoni asht budalla?

– Fratel Gjoni budalla? Po kush e tha këtë? Frateli ishte bash ai dreqi i dreqenve të Jezuitve. Vetëm ai i din të gjitha punët e Jezuitve. Për këtë e kemi na këtu. Fol çka të ka thanë?

– Po a mendon ti se nuk e ka mendue ai ket punë që ju mund më thirrni edhe të më pyetni? Ai ma ka thanë këtë.

– Ta ka thanë ë?

– Po ma ka thanë.

– Atëherë kallzo të gjitha çka të ka tregue, se kur të ka thanë këtë të ka thanë edhe tjerat.

Mandej vazhdoi me at shkop edhe nja i çerek ore e më lshoi.

– Për sonte,- tha,– kaq ke boll. Shko në odë, mendo mirë, do të thrrasim persri me fillue procesin tand. Fratelit mos i thuej gja.

Më lshoi. Kur u ktheva n’odë Frateli e pa çka më kishte gjetë. Fjeta se ishem i lodhun.

N’e nesre i tregova se çka më kishte gjetë. Ai nuk u çudit aspak.

– Un me të vërtetë e kam mendue se do të të thrrasin, por po më vjen keq se po të takon me hjekë e për mue e për Jezuitët. Hajde ta bajmë bashkë Udhen e Krygjës. Gjithmonë nder përndjekjet kundra Kishës kanë dekë për Krishtin së bashku fretën e Jezuitë.

– Mue nuk më thirri kurrkush ma për me më pyetë për Jezuitët, ndërsa, mbas pak kohe, Fratel Gjonin e shpeshherë edhe mue, na merrshin e na lidhshin kambësh e duerësh në nji korridor ku sillej roja; e na lejshin në kambë ditën e naten, pa hanger, pa pi; shenjojshin nji pikë në murë ku do të avitej hunda, dhe ashtu pa kurrnji lëvizje të trupit mbas disa kohe u ndiente nji lodhje kaq e madhe sa me u çmendë. Mbas nja 5-6 ditësh ose nji jave na kthejshin në dhomë. Fratel Gjoni më dhimbej në shpirt: kishem fitue për te jo vetem respekt, por nji dashuni si ta kishem babë. Edhe ai më respektonte mue se un ishem djakon. Shpesh herë më thonte:

– Fra Zef, mos mendo se kjo murtajë kalon shpejt. Ti je i ri. Kleri Katolik do të shkojë “usque ad unum” (deri në fund), vetëm atëherë do të vijë liria. Ti do t’ia mbrrijsh asaj dite dhe ti do të tregojsh të vërtetën për të kaluemen e të sotmen. Kështu jam i bindun un. Më la disa testamente, pothuej sekrete për shtëpinë e Jezuitve, por koha e gjatë i bani të gjitha të pavlefshme: shkatrrimin total që pruni komunizmi ai nuk e kishte parapa.


Biografia e autorit*

I pagëzuar Prekë, lindi më 28 gusht 1924, i biri i Gjeto Tomës dhe Luke Miraj, u lind nga e ëma në një zabel në tëbanin e tyre në bjeshkë. Malësorët që kishin rënë me kohë në ultësirë venin të veronin në bjeshkë për t’iu shmangur verës pranë zonave bregdetare të pabonifikuara. Fisi i Prekës kishte tëbanin në Qafë të Tëthores së Bogës, mes Shkrelit dhe Shalës. Gjatë fëmijërisë takoi P. Gjergj Fishtën dhe P. Anton Harapin që i kishin ardhur miq te tëbani i tyre ndër bjeshkë. Shtati dhe prania imponuese e të parit dhe çehrja prej asketi e të dytit lanë mbresat të cilat i përcjell te libri autobiografik “Saga e fëmijnisë”. Gjatë atij takimi xhaxhai u thotë fretënve se djaloshi kishte shprehur dëshirën të bëhej frat. Dëshirë kjo e ftilluar në librin e lartpërmendur, që kishte marrë shkas prej një takimi të mëparshëm me P. Bona Gjeçajn ofm. Me atë rast P. Harapi i jep një medaljon të Shën Françeskut që mbante në qafë, duke i thënë që ta ruante me shumë kujdes në mënyrë që kur të shkonte në Kolegjin Françeskan të paraqitte atë medaljon.

I bindur për meshtarinë, i grishur nga zhguni i murrmë dhe konopi me tri nyje të të Vorfnit të Asizit, në vitin 1929 bëhet nxënës i Dom Alfons Trackit. Në vitin 1931 hyn në kolegjin françeskan të Shkodrës, kolegj në të cilin jepnin mësim personalitete të shquara të kulturës kombëtare si vetë Fishta, Harapi, kompozitori P. Gjoka, P. Shllaku etj. Merr formim klasik në filozofi, teologji, letërsi dhe përvetëson mjaft mirë gjuhët e huaja: latinisht, italisht, frëngjisht, gjermanisht e greqishten e vjetër. Nga mësuesi i tij, historiani P. M. Sirdani mëkohej me libra historie e numizmatike. Tek libri i tij kumton se i njihte perandorët romakë për nga fytyra, ndër monedha, pa pasur nevojë me lexue ç’përmban monedha. Kreu maturën në liceun “Illyricum” më 1943.[3] Në vitet 1943 – 1944 Zef Pllumi ende xhakon, është një nga bashkëpunëtorët e revistës “Hylli i Dritës” dhe po ashtu sekretar personal i P. Harapit, kur ky i fundit ishte Provincial i françeskanëve në Shqipëri. Gjatë kohës që ishte dhjak, P. Antoni e vuri të rëndiste e ndihmonte në Arkivin Françeskan; aty has dokumente të hershme e ndër më të vlefshmet për historinë kombëtare. Ishte gjatë kësaj periudhe kur partizanët mbushën boshllëkun e pushtetit dhe shfaqin shenjat e para të asaj që do të vinte.

Kalvaret

Ishte 22 vjeç, kur më 14 dhjetor 1946 arrestohet dhe dënohet me tre vjet burg. Dënim që vuajti pranë Burgut të Madh të Shkodrës dhe në kampet famëkeqe të Bedenit në Myzeqe, dhe Orman-Pojanit në Maliq. Me t’u liruar shkon herë në Shkodër e herë në Shëngjin, tek familja e tij, në vartësi të situatës.

Shkak për arrestimin e tij sipas P. Zefit, edhe pse ishte më i riu ndër të arrestuarit ishte prej të qenët sekretari personal i Provincialit, komunistët mendonin se duhej të dinte shumë.

Fratel Gjon Pantalia

Kthehet në Kuvendin Françeskan kur negociatat mes Kishës e Qeverisë u “qetësuan”. Nga viti 1949–1951 merret me numizmatikë si teknik i Muzeut të Shkodrës. Në vitin 1958 shugurohet meshtar, caktohet në fillim si i besuar për t’u dërguar ndihmat priftërinjve nëpër kampet e ndryshme. Më tej, për 12 vjet shërben si meshtar i Dukagjinit me qendër në Shosh, për ku niset me dt. 14 shtator 1958 bashkë me provincialin, Át Augustin Ashikun.

Në vitin 1967 arrestohet dhe për 23 vjet vuan dënimin në burgje dhe kampe të ndryshme. 1967–1989, për 23 vjet rresht, burgoset përsëri dhe vuan dënimin në Spaç, Reps, Skrofotinë të Vlorës, Ballsh, Zejmen-Shënkoll, Shën Vasil dhe Tiranë. Njeh gjatë burgut personazhe me ndikim në hierarkinë komuniste, si Gjin Marku, Kasëm Trebeshina, Zef Mala, Dashnor Mamaqi, të cilët panë tek frati bariun ku dhe ata mund të rrëfeheshin. Zef Mala i la porosi që të gjente kujtimet që kishte lënë të shkruara, kujtime të cilat nuk mund t’i gjente kurrë.

* Marrë nga Wikipedia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!