Gaspër Pali – Muzg mërgimi

Gaspër Pali – Muzg mërgimi

Gaspër Pali

Muzg mërgimi

Mbi syt t’lodhun, dalngadalë,
nji tymtajë ndehet
Në dhomë nga çdo anë
hije burojnë e qasen me hap t’ploshtë
Dielli ka mshehë ballin e gjanë
E poshtë
i njellë, zogu zogut, gjumë
Hije t’hjellta si selvi
më murmurojnë:
– shkëputi syt’ e librat treti,
N’ara dil, si dikur fmi, –
E si n’dhomë hijet u ngjallën
fantazmat murmuritse
njimij kujtime nga fminia m’falen:
– Muzgjet plot kumbonë
kur ngitshim arash te mblueme nga tymtaja
n’sa n’qiellë, si syni i jonë,
lshojshim balona. –
Andrrimet tona
kaloshin përtej malit
E kur dilte hana
na fmi prej zallit
balonën, der’hanë, dojshim me e çue
Sonte, n’sa hijet m’flasin
kërkoj han’n m’e ndesh përsri
Por hana, ma nuk m’qeshë
si dikur fmi
O, e kërkoj hanën
n’sa me ‘i gjysë zanit
me i folun hijeve, që më rethojnë
por mbi sy m’asht ndé tymtaja
Ndjeva se më murmurojnë:
“Eja n’Shkodër, si dikur fmi,
e prep prej zallit
ke me pa hanën kah çohet prej malit. –
-Ikën kush’di – përgjegja – sa prendvera
e sa stuhi shpirtin tim ma rrënuen
sa tash s’përtrihen stint, që dikur m’gzuen!


Dy fjalë për autorin*

U lind në Shkodër, në një shtëpi dy kateshe të lagjes Serreq, i biri i Kolë Palit dhe Luçies nga familja Dabërdaku. Kola punonte çikrrimtar në Pazarin e Shkodrës, me Luçien patën 11 fëmijë. Gasprit iu vu emri i vëllait më të madh që kishte vdekur rreth të njëzetave.

Gaspri kreu shkëlqyeshëm filloren e pesë klasat e gjimnazit françeskan në qytetin e lindjes. Aty u dashurua pas muzikës, lëndë që e jepte At Martin Gjoka, ngritës i orkestrës frymore “Illyricum“, ku Gaspri qe instrumentist flauti e më pas i trombës sibemol. Repertori i zgjedhur i partiturave: “Tango të famshme – Kumparsita – Plegaria – Xhelozia”, dëshmon se ai e ka njohur mirë muzikën në përgjithësi e thellësisht atë që ekzekutonte me pasion. Shokë shkolle e pjesëtarë orkestre me Gasprin qenë muzikantët e talentuar Prenk JakovaTonin HarapiSimon GjoniÇesk Zadeja, si dhe dramaturgu Kolë Jakova.

Në vitin 1929 Gaspri mori pjesë në bandën frymore “Illyricum” të Martin Gjokës ku u mbrujt me kulturën e traditën e muzikës popullore dhe u njoh me disa pjesë të kompozitorëve të huaj. Me Prenk Jakovën, në shtëpinë e tij, nëpërmjet disqeve të gramafonit apo të një radioje të vjetër, dëgjon muzikën e Shubertit, Puçinit, Hajdenit, Mozartit.

Në bankat e liceut françeskan ku drejtorë qenë Gjergj Fishta e Frano Kiri dhe mësues Anton HarapiBernardin PalajJustin RrotaMarin Sirdani, Gaspër Pali fillon aktivitetin e vet poetik, që pesëmbëdhjetë vjeç, me dy sonete në sistemin metrik të kodifikuar si dhe me një vjershë “Djepi i vorfën” – ndikim nga poezia popullore qytetare. Me 4 mars 1933 përmes një eseje 4 faqesh, Gaspri 17 vjeçar paraqet formimin e tij filozofik, në një apologji idealiste model: “Mbi natyrë të Zotit”.

Muzg mërgimi

Me 23 prill 1933, përmes modifikimit të Statutit Themeltar të Shtetit, shkollat private u mbyllën. Gaspri kaloi në degën klasike të Gjimnazit të Shtetit Shkodër, ku mori dëftesën e pjekurisë në seksionin e pranverës të vitit shkollor 1934-1935. Bankat qenë skrivania e lirikave të tij prekëse e njëkohësisht vendi ku mori vlerësimet dhe vërejtjet e dy Filipëve: Filip Ndocajt, shokut të klasës dhe Filip Fishtës, profesorit kompetent të letërsisë.

Një vëlla tre vite më i madh se Gaspri, Zefi, që po specializohej për mjek në Vjenë, e frymëzonte të ndiqte studimet e larta. Por me se? Rioshi kërkoi bursë shtetërore, por nuk iu dha. Boshllëkun e vitit shkollor 1935-1936, që e kaloi si i papunë, e mbushi disi me debutimin me 15 shkurt 1936, në revistën “Rilindja” të Korçës. Poezia “Natë shtregullash” ishte shkruar në varg të ç’lirshëm, si ai i disa poetëve të spikatur të atyre viteve, të cilët po sillnin njëkohësisht një formë dhe një përmbajtje të re në letrat shqipe.

Përballë shtëpisë së familjes Pali banonte këngëtari i mirënjohur popullor Kolë Gurashi që i gjinikoi të riut pasionin për mbledhjen e folklorit dhe studimin e tij. Asaj rruge Gaspri nuk do t`i ndahej edhe kur të afirmohej si shkrimtar.

Ky botim i suksesshëm jashtë Shkodrës, që e shndërroi Gaspër Palin në një emër të ri arti në atdhe, e nxiti familjen të bënte një sforcim, të tejkalonte për një çast gjendjen e pamundur ekonomike dhe ta regjistronte poetin e ri, në tetorin e 1936-ës, në Fakultetin e Letërsisë të Firences në Itali.

Gaspri ndoqi studimet për katër vite rresht në të njëjtën degë me shkrimtarin e ardhshëm Filip Ndocaj, me të cilin e lidhte një miqësi e kahershme qysh nga “Illyricum”-i. Në Firence ai shoqërohej me mjaft studentë bashkatdhetarë, që ia hiqnin paksa mallin e vendlindjes. Megjithatë vitet e arta studenteske ai do t`i quante mërgim… Gaspër Pali shkoi në qytetin e Dantes si poliglot. Ai dinte me themel, që nga liceu françeskan, greqishten e vjetër, latinishten, italishten. Gjermanishten e mësoi si autodidakt me ndihmën e të vëllait, Zefit, që më 1935 mbaroi studimet në mjekësi në Grac të Austrisë. Librat në gjuhë të huaja, që ende sot ndodhen në bibliotekën e familjes Shantoja dëshmojnë edhe përmes ndonjë shënimi të vogël të Gasprit, për formimin filologjik dhe për preferencat e tij letrare.

Sa mbërrin në Firence, në tetor e dhjetor 1936 Gaspri vendos lidhje me revistën shkodrane “Cirka”, tani si e mbledhës dhe argumentues i folklorit, duke përdorur pseudonimin Gimi. Në janar të 1937 do të botojë aty një novelë folkloristike, “Plaka jonë” ku do të shfaqet me profilin e prozatorit.

Më 1938 nga Italia vendos lidhje me kryeqytetin shqiptar duke botuar novelën “Prangat e arta” në gazetën “Java“. Ndërsa më 1940 brenda Firences do të botojë një poezi shqip, në revistën “Numero unico degli universitari albanesi”.

Tri ngjarje tronditëse do ta plagosnin zemrën e poetit lirik. E para, pushtimi i atdheut nga gjuhëfolësit e po atij vendi ku ai po kulturohej. E dyta, dashuria fundtrishtuar me një vajzë siciliane, studenten Kleyde, që papritmas sëmuret rëndë. E treta, kur zbuloi përmes tingullit që i dilte nga mushkëritë, shenjat e para të TBC-së. Ishin gjithsesi tepër për një 23 vjeçar hollak dhe sentimental, që fliste gjithnjë me gjysmëton muzikor.

Në fillim të vitit shkollor 1940 – 1941 Dr. Gaspër Pali u emërua profesor i shqipes në Gjimnazin e Shtetit Shkodër, ku afërsisht dy vite shkollore punoi me aftësi e zell. Revistat më në zë të kohës kërkojnë të thithin firmën e poetit dhe penën e kritikut letrar Gaspër Pali. Kështu drejtuesi i revistës “Shkëndija” në Tiranë, shkrimtari Ernest Koliqi, në hapësirën e një viti (shtator 1941 – qershor 1942) i boton tri poezi dhe një ese. “Hylli i Dritës” , sapo Gaspri kthehet në Shkodër, në shtator 1940 i boton një studim të gjërë mbi letërsinë e huaj. “Cirka” në nëntor 1941 boton broshurën 31 faqesh “Cordignano në gjyq para botës”, ku Gaspri është bashkautor me një grup profesorësh të Gjimnazit të Shtetit Shkodër. Broshura qe shembull i një polemike shkencore dhe pati një jehonë të fortë në mbarë Shqipërinë e më tej.

Në gjysmë të dhjetorit 1941 Gaspri u sëmur rëndë. Poezinë e fundit e shkruan në spitalin e Tiranës me 2 shkurt 1942. As kujdesi i të vëllait, Zefit, doktor ftiziatër-rentgenolog s`mundi t`ia zgjasë jetën, që iu ndërpre, po në verë, po në Shkodër, më 21 korrik 1942.

Personalitete të njohura të kulturës si Kolë Ashta (1942), Qemal Draçini (1945; 1995- botim postum), Mark Gurakuqi (1966), Rinush Idrizi (1972), Gjergj Zheji (1988), Robert Elsie (1995), Robert Shvarc (1997), Perikli Jorgoni (2000) do t`i kushtojnë një vëmendje të posaçme Gaspër Palit në librat, studimet, artikujt apo intervistat, duke arritur majën në vlerësimin e argumentuar të Nasho Jorgaqit (2000): “Pionier i poezisë moderne shqiptare”.

* Marrë nga https://www.wikiwand.com/sq/Gasp%C3%ABr_Pali.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!