AGRON TUFA – HYRJE NË PSIKANALIZËN E FSHATIT TONË (tregim)
AGRON TUFA
HYRJE NË PSIKANALIZËN E FSHATIT TONË
Kur Ben Shporta u kthye nga studimet, e emëruan menjëherë përgjegjës sektori të Kooperativës së Bashkuar. Djalë simpatik, shtatlartë e kaçurrels, me një fytyrë bardhoshe e të qeshur, gjithë energji djaloshare, ai i përshkonte njëlloj me një të ecur sportive si rrugicat e fshatit, ashtu dhe parcelat e fushave të mbjella dhe, gjithkund, ndiqej me admirim e një zili pa të keq, si mishërimi i njeriut të lumtur e fatbardhë, si një krijesë që s’kishte lidhje me mërzinë e madhe jeshile që pllakoste njerëzit me jetën e rëndomtë të fshatit, të cilëve u këputej kërbishtja gjithë ditën e lume midis malit e fushës, në shi e në dëborë, në zheg e acar. Si për ta bërë edhe më të përlargët distancën midis tij e fshatarëve, në krye të vitit Beni ia këputi një martese dhe solli në fshat një nuse bukuroshe nga kryeqyteti, duke e bërë edhe më përrallore idenë e lumturisë në atë kaurdisje mërzimadhe varfërie, punësh, mllefi e intrigash. Beni me bukuroshen e tij të largët, Albën, me të cilën thoshin se kishte qenë i dashuruar vitin e fundit të Institutit, nuk kalonin, por vërtiteshin së bashku, duke i përshkuar rrugicat e fshatit tonë të madh me një vals të ngadaltë, që s’kishte të sosur, të ndjekur nga buzëqeshjet e pavullnetshme të gjindjes gojëhapur. Çdo gjë dëshmonte tek çifti i ri një shije, finesë, larmi e gusto të parënduar, e cila përshtatej me thjeshtësinë e mjedisit, pa u përsëritur dy ditë e njëjta.
Kuptohet se kontrasti i çiftit lumturak ishte aq i fuqishëm e demonstrativ, sa jo vetëm me fshatin dhe kooperativistët që s’kishte lidhje, por as me njerëzit e shtëpisë, me të cilët banonte. Beni ishte shkollari, i përkëdheluri, që e kishte puthur ylli i fatit në ballë dhe njerëzia thoshin: “Qenka bërë për të kjo botë!”. Vëllezërit e tjerë të Benit ishin njësoj si gjindja tjetër – punëtorë të pavënë re, të pambajtur, thuajse anonimë; ata nuk dalloheshin për asgjë të veçantë nga pjesa tjetër e fshatarëve. Një sforco, një artificë ndjehej në sjelljen e të vetëve me çiftin, sforcim të cilin e diktonte prania thuajse jotokësore e nuses së bukur kryeqytetase.
I vetmi që s’e prishte asnjë grimë terezinë ishte i ati, Sabahudin Shporta. Ai vazhdoi si më parë të sillej siç e kishte zakon, të fliste me një zë të ngadaltë e me shprehje të mjegullta, të pinte nga kutia të njëjtin duhan të grirë “Polic”, të cilin e dridhte me gjethen e vet, i sigurt në ritualet e veta – ditën, duke bërë ndonjë punë të vogël në ograde, duke thurur ndonjë gardh, duke prerë ndonjë ferrë a tëharrur ndonjë barishte, ndërsa mbrëmjeve – duke hequr me nge tespihet e zeza. Ky plak, me mustaqet e zverdhura nga nikotina dhe me kësulën e bardhë, ishte i vetmi që nuk u impresionua as nga i biri, as nga nusja e tij bukuroshe. Përkundrazi, karshi tyre u bë më i heshtur e fjalëpakë, pa ndërhyrë e madje, pa pyetur për punët e tyre.
Ishte një njeri tjetër, me të cilin Beni kalonte pjesën më të madhe të kohës, si para, ashtu dhe pas martesës. Ky ishte kryeagronomi i kooperativës, Lori, një djalë mjaft i sjellshëm e i pashëm nga Korça, me të cilin thoshin se Beni kishte pasur miqësi të ngushtë që në vitet e para të Institutit të Kamzës. Shpeshherë Beni nuk kthehej darkave në fshat, pasi e kalonte në qytet, në shoqërinë e Lorit dhe bashkëshortes së tij, Dorinës, një mjeke e re, me të cilën, me sa dukej, njiheshin gjithashtu që nga koha e studimeve. Shëtisnin së bashku deri në xhiron më të fundit të darkës, mandej ose uleshin e darkonin në restorant “Turizmi”, ose mblidheshin në shtëpinë e Lorit dhe të nesërmen, të dy miqtë, ktheheshin së bashku në punët e kooperativës. Sigurisht, kishte plot raste kur edhe Lori rrinte në fshat, edhe vetëm, edhe me nusen e tij, por gjithsesi, Beni e mësynte më shumë shtëpinë e mikut jabanxhi, ngaqë si duket, e tërhiqte qyteti që edhe pse i vogël, ishte i paqtë, miqësor dhe i stolisur mirë. Pasi u martua Beni, vajtje-ardhjet fshat-qytet u dendësuan edhe më shumë, falë edhe miqësisë së vrullshme midis dy nuseve të reja, çka e përforcoi miqësinë e tyre. Miqësia midis këtyre katër intelektualëve të rinj ishte bërë mjaft e njohur, si për fshatrat e kooperativës së bashkuar, ashtu dhe për qytetin; ajo, sigurisht, binte mjaft në sy, pasi ishte mjaft e dukshme, e lirë dhe shpërfillëse për çdo lloj parametri paragjykues. Tek e fundit, çiftet e reja shijonin në maksimum thuajse të gjitha ngjarjet kulturore, pak a shumë të rëndësishme, që kishte ai qytet, pa shpërfillur asgjë: filmat e rinj apo të vjetër në kinema, shfaqjet e teatrit profesionist, koncertet dhe skeçet e Shtëpisë së Kulturës, librat e rinj dhe bibliotekën, madje dhe ndeshjet e futbollit e volejbollit – në të gjitha aktivitetet, si gjithmonë, ata shkonin të katërt, së bashku.
Duhet të ketë qenë një nga kulmet e miqësisë së tyre dhe s’dihet se si, një ditë, njëri nga të dy burrat, Lori, hodhi idenë e një lidhjeje edhe më të ngushtë midis tyre: të pinin gjak e të bëheshin vëllamë. Ideja qe pranuar me ngazëllim nga të dy çiftet dhe, ashtu siç ishin, të katërt, u përqafuan e u shtrënguan vëllazërisht e motrarisht, gjersa ngazëllimi ra paksa në fashë, për t’ia lëshuar vendin procedurës ritualore, sepse kjo ide frymëzuese për çiftet duhej vulosur me zbatimin e përpiktë të një repertori të tërë solemnitetesh. Pasi qenë informuar për rregullat, Benit i mbetej të pyeste në e jepte bekimin i ati për atë lidhje vëllamësh me gjak, si qëmoti. U ul një buzëmbrëmje dhe ia tha thjesht e troç të atit gjithë nijetin që kishte. Sabahudin Shporta vazhdoi të rrëkëllente tespihet mes gishtave dhe nuk foli, a thua se nuk kishte ndier fare çfarë i tha i biri. Përkundrazi, e urdhëroi nusen kryeqytetase, me të njëjtin ton siç bënte me nuset e tjera, t’i piqte një kafe.
– Pse po don me u ba vëllam me Lorin? A je në gjendje me ma shpjegue pa farë zori, me dy fjalë?– e pyeti i ati, kur Beni e kishte humbur shpresën se ai do t’i kthehej prapë atij kuvendimi.
– Babë, ne e duam njëri-tjetrin si vëllezër… kemi mendime e shije të përbashkëta… njihemi që nga koha e studimeve dhe e di se edhe ai më do si vëlla.
– Mirë, mor bir… mirë. Ti e do një përgjigje,- tha Sabahudini dhe kapi prapë tespihet duke i tërhequr para-mbrapsh, çrregullt.– Mblidhuni kur ta vendosni darkën këtu dhe atëherë do t’ju vë të dyve të kapërceni një provë. Nga ajo provë varet ose një “Po-ja” ose “Jo-ja” ime.
Plaku nuk foli më, por as Beni nuk e nguci më tej, edhe pse gjithë mbrëmjen rrahu të depërtojë në përgjigjet e mjegullta të plakut. Por, gjithsesi, Beni me mendjen e vet e mori si miratim. Kështu, në krye të javës, u mblodhën aty në fshat të dy çiftet. Në oborrin me avlli të kullës trekatëshe vej e vinin amvisat duke bërë darkën. Dëgjoheshin të qeshura. E ëma e Benit me rejat e veta e kishin larë e ndërruar gjithë shtëpinë, sa ajo ndriste pasqyrë.
Ndërsa bëheshin përgatitjet e fundit para shtrimit të darkës, Beni dhe Lori me nuset e tyre, në prani të vëllezërve të tjerë të heshtur, diskutonin për këngët e reja të festivalit të majit. Prej grunoreve në kallëza frynte një fllad i butë poleni, i cili përzihej me aromën e ëmbël të hallvasë në oborr. Pemët e larta përskej avllisë, të ndriçuara nga një hënë e verdhë, dukeshin si fotografi të lashta me celuloid të zbehur. Në intervalet e heshtjes nëpërdridhej metrika e këngës së bulkthave. Pas pak duhej të mblidheshin në dhomën e ngrënies. Vetëm Sabahudini nuk kishte zbritur ende nga oda e tij. Më së mbrami, ai dërgoi një nga nipërit e vet të lajmëronte çiftet e reja të ngjiteshin lart, në odën e tij.
Ky i priste këmbëkryq në një shilte rrëzë oxhakut. Pasi u përshëndoshën me të, ata pritën çfarë do t’u thoshte plaku. Por ai heshti. Mandej si me bezdi u hodhi çifteve një vështrim pyetës.
– Ju prisni t’ju them ndonjë gjë të madhe… Apo jo? Unë jam nga ata që as nuk i dëgjoj, e as nuk i flas fjalët e mëdha. Kam dëgjuar shumë gjatë gjithë jetës sime dhe ka kohë që s’u zë besë. Por ju… jeni brez tjetër, rini tjetër… Ju vëllezër jeni pa pirë gjakun e njëri-tjetrit. Ashtu do të ishte më mirë… Megjithatë, unë nuk ju pengoj, por (ai u kthye nga Beni), meqenëse im bir këmbënguli, simbas zakonit, të them fjalën time… e bekoj a jam kontra, atëherë, siç ia kam thënë dhe Benit, unë do t’ju shti të kapërceni një provë të vogël… mos u trembni… Masandaj ua them mendimin tim të vërtetë. Jena dakord?
– Dakord, xha Sabahudin!– thirri Lori, me dy duart e ngritura lart.
– Dakord, babë,- tha dhe Beni, duke u përpjekur t’ia qëllonte çfarë po bluante i ati plak.
– Atëherë gjegjmëni mirë: ti djalë,- iu drejtua ai Lorit,- shko e ulu kambëkryq në shilten te dritarja, kurse ti,- i tha Benit,- zër shilten kundruall mikut, te muri, ballas e karshi me të.
Lori dhe Beni u ulën këmbëkryq, kundruall njëri tjetrit, njëri pranë dritares, tjetri rrëzë murit dhe prisnin pa kuptuar gjë. Sabahudini nxori sahatin e xhepit, e hapi si një qepë të çarë përgjatas dhe tha:
– Ti, moj nuse,- duke iu drejtuar Albës,- shko dhe ulu në prehërin e mikut dhe do të ngrihesh kur të të them unë. Edhe ti, moj nusja e Lorit, shko e ulu në prehrin e Benit dhe do të qëndrosh derisa të të them unë.
Dy gratë e reja buzëqeshën të habitura dhe rrinin në mëdyshje.
– Po pse, baba?– pyeti e hutuar Alba.
– Psehin e di unë. Shkoni e uluni ju thashë!– dha urdhër Sabahudini.
E para shkoi Alba, gjithë pasiguri, duke këqyrur herë plakun, herë Benin. Por më në fund u ul, siç i thanë, drejt e në prehrin e Lorit. Edhe Dorina u ul në prehrin e Benit.
Atëherë Sabahudini tha se mund të flisnin dhe vijoi ta mbajë orën e xhepit para syve. Meqenëse askush nuk po fliste, foli Sabahudini:
– Sipas rregullit dhe kanunit, byrazeri, vllau i gjakut, asht vlla ma i shtrenjtë se ai që ta ka ba nana e baba. Ata nuk i ndan as e mira e as e liga. Me ndodhë me vdekë njeni prej vllamëve, babë për fëmijët e tjetrit asht vllami gjallë, kurse e shoqja e tij asht motër, që i bindet, e pret, e përcjell dhe e merr mbrapa kahdo. Po qe se nuk e keni kuptue kaq gja, at’herë kot e keni marrë mundin me u ba vllama. E unë tash do ta kqyri, a jeni menjimend në gjendje me u ba ju vllazën.
Sabahudini nuk foli më, por vazhdoi ta mbajë në gjunjë sahatin e xhepit me qostek, duke e kundruar pjerrtaz.
– Kaluen dhetë minuta,- tha dhe e mbylli kapakun e sahatit.– Ngrehuni tash moj bija,- u tha ai dy nuseve.
Sa u ngritën nuset, Sabahudini i urdhëroi dhe dy djemtë të ngrihen në këmbë dhe t’i afrohen. Beni u ngrit dhe po e shihte të atin në mënyrë pyetëse, duke u përpjekur të kuptonte domethënien e asaj procedure të çuditshme.
– Dhashë urdhër me u ngritë, pse nuk ngrihesh or mik?– iu drejtua plaku Lorit, i cili qe mbledhë disi kruspull dhe ngurronte.
Atëherë Sabahudini rrahu më bastun dyshemeni dhe i briti fort:
– Çohu more pizeveng!
Britma qe aq e beftë dhe e fortë, sa Lori u ngrit pavullnetshëm në këmbë.
Mandej po me atë bastun, duke iu drejtuar të birit, tha:
– Këqyr!
Beni ktheu kokën dhe pa andej nga shenjonte i ati me bastun: përnën pantallonat e mikut të tij, dilte dukshëm përpara, si një tytë arme, ajo gjëja që ai vetë nuk e kishte shkuar kurrë në mendje. As për vete, as për tjetrin. Ndërsa Lori u kishte kthyer shpinën, pa u rezistuar dot vështrimeve nënkuptuese të të tjerëve, duke rrahur të nënshtrojë armën e ndërkryer në pantallonat e veta.
– Ja pse nuk mund të bëheni vllazën ju!- iu drejtua Benit Sabahudini, duke vazhduar të shenjojë me shkop tytën ende të revoltuar në pantallona të mikut të tij, i cili i kishte propozuar i pari të bëheshin vëllezër.
* * *
Janë të shumtë ata që e fajësojnë plakun Sabahudin (dritë i gjettë shpirti tani), se me këtë provë të rëndë, ai prishi një ndër miqësitë më të rralla që kishte pasur ndonjëherë qyteti dhe krahina. Dhe e ndërpreu atë miqësi bash në momentin kur ajo niste të shpërthente me vrullin e një flake të trëndafiltë. Por s’janë të paktë as ata, kryesisht të shkolluar, që thonë se kushedi, plaku Sabahudin ka gjasë të ketë lexuar tinëz ndonjë vepër të xhaxha Frojdit. Po nga cila gjuhë, xhanëm?– pyesin kureshtarët. Se Sabahudini kishte katër klasë shkollë dhe nuk dinte ndonjë gjuhë të huaj! Mirëpo kanë dalë të dhëna të reja, të cilat dëshmojnë se Sabahudin Shporta na e paskësh ditur ujë italishten, qëkurse në vitin 1941-1942 e kishte marrë qeveria italiane balil në Bari e San-Benedeto. Tonë se kur u kthye Sabahudini i ri nga Italja, kishte sjellë në shtëpi dhe një trastë me libra. Ka gjasë ta ketë tërhequr kuturu ndonjë libër të Frojdit dhe gjatë gjithë jetës ta ketë lexuar në heshtje, bashkë me librat e tij fetarë, të cilët i mbante në një baule të vjetër në tavan.
Se çfarë nuk bën vaki, apo jo!
2009
Biografi e shkurtër e autorit
Agron Tufa u lind në 1 prill 1967. Pas studimeve për Gjuhë-Letërsi në Tiranë, ai mbaroi studimet në Institutin Gorkij të Moskës. Më pas vazhdoi studimet pasdiplomike për Filozofi arti dhe Përkthimi në Institutin e Kulturave Europiane, po në Moskë.
Përgjatë më shumë se 20 vjetëve krijimtari, ka botuar vëllime poezish: Aty te portat Skee, Rrethinat e Atlantidës, Avangardë engjëjsh, Fryma mbi ujëra, Gjurma në rrjedhë; romane: Dueli, Fabula rasa, Mërkuna e zezë, Tenxherja, Gurit të varrit ia rrëfej; ese: Janusi qindfytyrësh, Kuja e Mnemozinës etj.; libër me miniatura: Thembra e akcilit, si dhe ka përkthyer poetët dhe shkrimtarët më të mirë rusë në shqip: Osip Mandelshtam, Josif Brodskij, Olga Sjedakova, Boris Pasternak, Andrej Pllatonov, Danjill Harms, Jurij Llotman, Vladimir Prop, Tolstoj etj.
Ka marrë shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare – Penda e Argjendtë për romanin më të mirë (Fabula rasa). Në 2009 fitoi Çmimin e Madh Letrar (kombëtar).
Poezitë e tij janë përkthyer në anglisht, frëngjisht, italisht, gjermanisht, spanjisht, rusisht, rumanisht, polonisht, sllovenisht etj.