ISMAIL KADARE – DUKE TË PRITUR TY (cikël me poezi)

ISMAIL KADARE – DUKE TË PRITUR TY (cikël me poezi)
ISMAIL KADARE

DUKE TË PRITUR TY (cikël me poezi)

RETË

Mes maleve tutje prej tokës lindore,
seç ra një ushtar nën plumbat mizorë.

As kryq nuk i vunë, s’e shtinë në tokë,
as nënë e as motër s’iu gjendën mbi kokë.

Veç retë që vinin që larg nga vatani
e panë dhe e njohën e zunë të qanin.

Duke të pritur ty
KITARISTI

Kokën si shpellë e ka mbështetur mbi kitarë,
gjashtë telat si gjashtë udhë zgjaten në mugëtirë
ç’pe ashtu mbi tela,
që me dorën e madhe
i re rëndë-rëndë
dhe e dëbove prej atyre?

Kë thirre vallë tjetër,
që menjëherë, ja,
iu përgjigj thirrjes sate dhe mbi telat erdhi,
duke shkelur lehtë e ëmbël,

Gjersa shkau e ra
në gropën e kitarës
si në një hon të thellë?

Pastaj dora jote mbi telat mbolli lule,
pastaj prej tyre shkundi
fletë të verdha.
pastaj, për një çast,
të shkretë telat mbetën,
si udha dimërore, ku fryn veç era.
Kitarist,

Mos i lër telat të ngrijnë,
shkunde dëborën prej tyre, shkunde.
Të mos bëhen telat rrugica të mbyllura
të jenë telat udhë të pafundme!
Dhe prapë mbi gjashtë telat ai dëbon e thërret

herë trishtimin e madh,
herë harenë e madhe.
Mbi këto gjashtë udhë që e lidhin me jetën
ngrihet kokë e tij si një shpellë krenare.

KOHA E POPUJVE

Kur superkafshët dridhnin botën,
njeriu në gjunjë nuk u ul
ka pasur vite të mamuthëve
po kohë të tyre s’pati kurrë.

Me brirë të tmerrshëm e klithma kobi
mbi tokë ata vunë ligjin bishë
megjithatë ish kohë e njerëzve
dhe ky planet i njerëzve ish.

Nga superpesha u vinte vdekja,
ngecnin përbindëshat në batak.
Kështu do ngecin supershtetet
në llum të globit pak nga pak.

Dhe kur në të ardhmen do zbulojnë
eshtrat e tyre nëpër botë,
ashtu si eshtrat mamuthore,
që zoologët gjejnë sot.

Kur të zbulojnë konstruktet, dhëmbët,
atë burokratizëm-hata,
ç’heronj, do thonë, kanë qenë
popujt që rrojtën tok me ta.

Ata q’u ngritën përballë tyre
që u qëndruan trimërisht,
ish kohë e tyre ajo, do thonë,
dhe ky planet i tyre ish.

U ZUNË RRUGËT

U zunë rrugët me dëborë,
afër teje s’mund të vij,
rri dritareve me orë,
në mendime futur rri.

Era zë të ulërijë;
gjithë rrugët mbenë shkret
bora s’ka ndër mend të shkrijë
ti siç duket nuk më pret.

PERËNDIMI

Ja dhe perëndimi,
bota kapitaliste,
me stjuardesa të bukura,
me drita të shumëngjyrshme.

Eci mbi perëndimin,
s’lexoj reklamat e ndezura
por tymrat e fabrikave,
flokët e tyre të zeza.

Nën oxhaqet gjigante
çelik punëtorët shkrijnë.
Nga zemërimi u çohen
flokët uzinave.

Mirëmbrëma perëndim!
Çdo gjë është e qartë
reklamat ndritin poshtë,
oxhakët nxijnë lart.

Duke të pritur ty
MARS

Ajri ngrohet pak nga pak
po mbasditeve bën fresk
mbërrijnë zogjtë befas
si me teleks.

Në lajmet e botës
ka shqetësim jo pak
mbi çatinë e shekullit
një ylber rri ndërkaq.

Si mëngjes i bruztë
pa ankthin që ju prish
vjen fundi i mijëvjeçarit
pa apokalips.

DUKE TË PRITUR TY

Në orën pesë duhet të vish
ja rruga,
ja shenjat e bardha ku do të kalosh,
si re të bardha që notojnë mbi asfalt.

Tek xhamia,
përballë sahatit unë rri
akrepat, si vetulla
në fytyrën e kohës,

herë të qeshur, herë të ngrysur atje lart.
Pas pak do të bjerë pesë
tani pëllumbat
rrotull sahatit vërtiten, të bardhë, të bardhë.

NJË VAJZE

Duke të puthur pa të dashur
në shpirt ai ty të plagoi,
buz’përgjakur nga t’kuqt e tu
si vrasës tinëz shkoj.
Krenar që ty “të shtiu në dorë”
gjith shokve emrin tënd ju tha.
Pran gotës birrës për ty folën
në park të dielave ata.
Dhe ti e vetme mbete
bosh mbenë sytë e tu në net bilbilash
si sheshi i shkretë ku porsa ndodhi
një katastrofë automobilash…
Tani, kur shkon rrugës së Dibrës
ata me sy të ndjekin pas.
Dikush me brryl i bie shokut,
– e sheh filanen? e ka pas…
Dhe ti ul kokën, shpejton hapin
t’arrish tek shoqja sa më shpejt
të përsërisësh fjalët standard
ah njëlloj janë të gjithë djemtë.
Të dyja t’ulura pranë radios
do ndizni heshtur një cigar,
tek supi i saj nën fjalë lajmesh
një çast dremitja do të marr
dhe do të çojë në një rrugë tjetër
më gjerë, më bukur, dhe me re.
Atje në sfond fabrikash njerëzit
nga këmbët s’do t’u vënë re.
Atje tek ecën në mes turmash,
në një grup djemsh, ndoshta midis,
dikush me brryl do ti bjer shokut,
– e sheh filanen? ishim miq…

MOTIVE ME DIELL

Mbi liqenjtë e Lurës po bie mbrëmja
muzgu rrjedh nga majat e pishave nëpër trungjet e kalbur
grumbullohet në pellgje të vegjël
kullon pastaj nëpër furçën tënde të dridhshme.

Shpejto.
U bë vonë.

Kap ç’të kapësh nga ngjyrat që dridhen
e fërgëllojnë,
duke ikur plot alarm nga mbrëmja që i ndjek

kap motive me diell…
Nëpër furçën tënde kurrë nata mos kulloftë.

TI ISHE PËR MUA

Ti ishe për mua e pamposhtur si Troja
Troja që unë dot s’e pushtoja.
Ti ishe për mua e pakuptueshme,
më e pakuptueshme se mbishkrimet etruske

Vetëm në ëndrra, ah, në ëndrra
t’i përqafoja flokët e dendura.
Gaz më shumë ndjeja tek të pushtoja
se gjithë grekët kur ra Troja.

Vetëm në ëndrra m’ishe e kuptueshme,
ti, e shtrenjta ime etruske.

TI DHE HËNA

Kësaj nate me hënë të vjeshtës
dola fushës të bredh kuturu
retë shtyhen me vrap pa reshtur
hëna duket aty-këtu

Porsi retë mendimet e mia
po më shtyhen ndër mend më shpesh
dhe pas tyre gjithnjë gjendesh ti
si kjo hënë që duket mes resh.

Hëna shpejt do të zhduket dhe netët
do të mbeten pa të kurse ti
në ëndërrimet e mia përjetë
perëndim s’do të kesh kurrsesi.

KINEMA E VJETËR

Kinema e vjetër,
kinema e braktisur,
ku prej kohësh më s’lozin filma të përsëritur,
ku s’bëjnë më zhurmë njerëzit me karriget,
ku në pushimet e seancave
s’shesin kikirikë.
Ekrani me njolla,
megafonët prishur,
stolat janë boshe si radhë të pashkruara;
këtë poemë stolash të gjatë, të braktisur
nga dera e vështroj
plot mall e i menduar.
Kinema e fëminisë,
kinema e rrëmujës,
kam parë aq vende,
kam parë aq salla,
por n’asnjë prej tyre s’kam hyrë me aq bujë,
sa tek ti,
e shtrenjta barakë,
e rralla!
Më mirë asgjëkund veten s’e kam ndier,
as në sallat luksoze me kadife që shndrit,
megjithëse në to me leshverdha kam qenë,
kurse tek ti vija
me jevgun Rakip.
Lekë, lekë,
të mbledhura me mundim paret,
tingulli i gëzuar në biletari,
afishet tek xhamia
dhe tek Qafë e Pazarit
të shkruara nga vetë portieri Qani.

Për të njëjtin film tek njëra afishe
shkruhej titulli ndryshe,
te tjetra.
Por kjo asnjeriu punë s’i prishte.

T’i falnin ty të gjitha,
e dashura,
e vjetra.

Në atë copë ekran,
për herë të parë,
një copë të botës së gjerë ne pamë.
Në gjashtë metra katrorë.

Bota fund s’kish e anë,
bota ngjante e shkëlqyer,
ndonëse ekrani ish me arna.

Dhe ne ishim me arna,
me arna ish Republika,
koha, bërrylat, shtetet ishin me arna.
Por në sytë tanë
kish të tillë dritë,
që nuk e patën kurrë
më të ndriturat ekrane.

Kinema e vjetër,
kinema e braktisur,
stola ku janë ulur varg
ditët e fëminisë,
cicëronjëse gjithmonë
si një rresht zogjsh
mbi një tel telefoni.

Kinema e vjetër,
kinema e braktisur,
stola të rëndë, të gjatë, të vithisur.
Në çdo moshë që të hyj,
në çdo vend që të vete
si hamall këto stole
do t’i marr me vete.

TË HUAJ JEMI

Të huaj jemi në prej kohësh,
ç’ish për t’u thënë është thënë,
si gurët që zënë vend në tokë,
në jetë vend ne kemi zënë.
Drejt njëri-tjetrit kemi mbyllur
të gjitha rrugët edhe shtigjet,
si dy qytete mesjetare
me mure, heshta dhe me pirgje.
Por natën, kur i lodhur truri,
portat i mbyll me qetësi,
ti gjen një shteg dhe futesh brenda,
një shteg që vetëm ti e di.
Pastaj si në rrugica parqesh,
shëtit mes cirkovolucionesh,
hyn nëpër ëndrra e shkujdesur,
fanitesh, qesh, ma bën me dorë.
Por kur mëngjesi zë afrohet,
nis shqetësohesh befas ti,
dhe heshturazi del përjashta
nga shtegu, që del veç ti
e dita vjen. Rrjedh prapë jeta.
Dhe ne të dy si dhe më parë
të ftohtë rrimë e të pamposhtur
si dy qytete mesjetarë.

VALLJA SHQIPTARE

Tri herë opinga rrahu dheun
sikur kërkoi leje prej tij
pastaj shamia palët ndehu
me qetësi dhe madhështi.
Kështu midis qiellit edhe botës
vallja u lind, vallja u shpall
këmba sinjale i çon tokës
dhe dora qiellit i jep lajm.
Dhe vallja rrokulliset tutje
në kohëra hedhur si hobe,
prilli përsipër i hedh lule,
dhjetori borën shkund atje.
Valle shqiptare, shenja n’erë
ylberë tirqesh tej tëhu
kush ju kërceu ju njëherë
dhe këmbët rob s’i mbenë te ju.
Kush ra midis vorbullës suaj
dhe s’u përzhit, dhe s’u përflak
ju bubullima me opinga,
që nëpër shekuj bridhni varg.

TETOR

Ti ike udhës së pafundme
ku zverdhin drurët gjetherënës
mbi gjokse pellgjesh tani tundet
i arti medaljon i hënës.

Lejlekët ikën, fill pas teje
si stof i keq u zbeh blerimi
dhe ngjajnë toka, pylli, reja,
me negativin e një filmi.

Tani në fusha shkoj menduar
ku nis të fryjë erë e ftohtë,
ku ca mullarë të gjysmuar
duken që larg si Don Kishotë.

Ç’të bëj, po them me veten time,
në këtë orë të vonë të muzgut,
ku qerrja baltave bën shkrime.
Të lashta sa të Gjon Buzukut?

Do të shkoj të ulem përmbi pellgjet,
të pi në gjunjë duke rënë,
në grykë e di, do të më mbetet
i ftohti medaljon i hënës.

PRITJA

Telefoni po merr një sy gjumë para ardhjes sate
abazhuret varen të heshtur mbi pritjen
përbindëshat mbi qilimin e dhomës dremitin të qetë

Ora kaloi
ti u vonove
drita e abazhureve u bë e keqe
si i vrarë telefoni ka rënë përmbys e s’merr frymë
tani përbindëshat filluan të lëvizin
ja, po zgjohen me leshra të kërleshura mbi qilim

ti do vish patjetër të qetësosh gjithçka.


Dy fjalë mbi autorin*

Ismail Kadare (lindur në Gjirokastër, më 28 Janar 1936) është një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë. Si shkrimtar shquhet kryesisht për prozë, por ka botuar edhe vëllime me poezi dhe ese. Nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar. Deri më sot veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë.

Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar i përhershëm i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Në vitin 1992 u vlerësua me Prix Mondial Cino Del Duca; më 2005 fitoi Man Booker International Prize, më 2009 çmimin “Prince of Asturias Awards” për Artet, në vitin 2015 Çmimin Jeruzalem, në vitin 2019 Çmimin Park Kyong-ni ndërsa në vitin 2020 çmimet Neustadt dhe Prozart. Më 2016 presidenti francez ia ndau titullin “Komandant i Legjionit të Nderit”. Viteve të fundit, ai e ndan kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë.

Kadare njihet si shkrimtar i cili në veprat e tij në mënyrë të qëllimshme u shmang nga realizmi socialist, dhe si i tillë veprat e tij u përkthyen dhe u lavdëruan nga kritikët dhe lexuesit anembanë botës. Ai krijoi një vepër me karakter universal por që rrënjët i ka thellë në tokën shqiptare. Kadare konsiderohet nga disa si një nga shkrimtarët dhe intelektualët më të shquar evropianë të shekullit të 20-të, si dhe një zë universal kundër totalitarizmit.

Vepra

Kadare është shkrimtari i vetëm shqiptar me njohje ndërkombëtare të gjerësishme dhe është përkthyer në 45 gjuhë. Letërsia e Kadaresë ka dhënë një kontribut të çmuar në krijimin e gjuhës dhe letërsisë kombëtare.

Ai e sfidoi realizmin socialist për tre dekada duke iu kundërvënë realizmit socialist me realizëm subjektiv. Studiuesja Alda Bardhyli e ka quajtuar aftësinë e Kadaresë për t’iu shmangur realizmit socialist të jashtëzakonshme. Pothuajse në të gjitha veprat e tij e ka sfiduar regjimin përmes një “disidence të heshtur”. Kadare iu shmang realizmit socialist dhe censurës shtetërore përmes mjeteve alegorike, simbolike, historike dhe mitologjike. Albanologu Robert Elsie ka thënë se kushtet në të cilat Ismail Kadare ka jetuar dhe shkruar nuk ishin të krahasueshme me vendet e tjera komuniste në Evropë, ku kishte të paktën një shkallë të caktuar të tolerancës për disidencë, përkundrazi, situata në Shqipërinë socialiste ishte e krahasueshme me atë në Korenë e Veriut ose Bashkimin Sovjetik gjatë viteve ’30 kur drejtohej nga Stalini. Megjithatë Kadare shfrytëzoi çdo rast për të sulmuar regjimin në veprat e tij nëpërmjet alegorive politike, të cilat kuptoheshin nga lexuesit e edukuar shqiptarë.

Prozën e tij e karakterizojnë përgjithësimet e gjera historiko-filozofike, subjekti i ngjeshur dhe mendimi i thellë i shprehur shpesh me anë të parabolës, mbi bazën e asociacionit apo të analogjive historike. Temë qendrore e veprave të tij është totalitarizmi, mekanizmat e tij dhe kompliciteti që e bën atë të mundur.

Poezi

Kur ishte 17 vjeç shkroi poezi për vdekjen e Stalinit, ashtu si shkrimtarë të tjerë të kohës, gjë që sipas historianit Noel Malcolm ndihmoi në botimin e vëllimit të tij të parë titulluar Frymëzime djaloshare më 1954. Më pas do t’i botoheshin Ëndërrimet (1957), Shekulli im (1961) dhe më i çmuari Përse mendohen këto male (1964), Motive me diell (1968) dhe Koha (1976).

Prozë

Ideja e romanit Gjenerali i ushtrisë së vdekur (1963) është shpirti liridashës i popullit shqiptar. Temën e shpirtit të pamposhtur të shqiptarëve nëpër shekuj autori e trajtoi edhe në romanin Kështjella (1970). Në romanin Kronikë në gur (1971) Kadare kritikoi psikologjinë provinciale dhe traditat prapanike. Probleme të rëndësishme të historisë janë trajtuar edhe në përmbledhjet me tregime e novela Emblema e dikurshme (1977), Ura me tri harqe (1978) dhe Gjakftohtësia (1980). E veçanta e talentit të Ismail Kadaresë shfaqet sidomos në trajtimin, nga një këndvështrim i ri, i temës historike dhe në tingëllimin e mprehtë aktual që është i aftë t’i japë asaj. Një nga krijimet më të shquara të Ismail Kadaresë dhe të të gjithë letërsisë së re shqiptare është romani Pallati i ëndrrave (1981). Ndër veprat më të njohura të Kadaresë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar janë: Gjenerali i ushtrisë së vdekurKështjellaKronikë në gurUra me tri harqeKush e solli DoruntinënPrilli i thyerDosja HPallati i ëndrravePiramidaPasardhësi.

Në vitet ’60 i çmuar realisht për talentin e tij, e përkrahën figura të tilla si Todi Lubonja dhe Fadil Paçrami.[104]

Kadare ka ripërpunuar ndonjë nga veprat e tij. Në rastin e veprës “Kështjella”, përveç temës së luftës kundër osmanëve është shtuar edhe elementi kishtar dhe kontributi i shqiptarëve për mbrojtjen e Evropës. Konstatim i bërë edhe nga studiuesi i shkrimtarit, Shaban Sinani, që vëren se te “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” personazhi e ka Ebu Qerimi në variantin e parë dhe Mark Alemi në variantin e dytë.

Përkthime

Një ndër fushat më pak të lakuara të veprimtarisë së Kadaresë janë përkthimet, hulli të cilën e nisi më 1955, kur shqipëroi poemat Lisi, Fëminija, Në pyllin afër fronit, Katjusha, Pranvera, etj. të shkrimtarit rus M. Isakovski. Autorë të tjerë të shqipëruar prej tij janë: Eskili, Heminguej, Pushkin, Majakovski, Eminescu, Gogol, Esenin, Mihallkov, Shçipaçov, Mickieviç, Buske, Sendrar, Bodler, Andrade, Vijon, Kejler, Seferis, Kavafis, Elitis, Li Bo, Du Fu, Jan Czjun etj..

* Marrë nga Wikipedia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!