MALI KRISHNA – KANG’ E DERVISHIT (poezi)

MALI KRISHNA – KANG’ E DERVISHIT (poezi)

MALI KRISHNA

KANG’ E DERVISHIT

Lutje e parë
[Kasidè-i-sham]

Kur nata vjen e lehtas mlohet
Tan rruzullimi me errië
Plot kang’ e lavd kah qielli çohet
Im shpirt n’ uratë, o Perëndië !

E tue kundruemun rreth natyren,
Me ndrime të saj’ plot rregullim,
Gjej të rregullueshmes jetë pasqyren
E në zemer t’ ime gjej qetim.

Plot harmonië në hapsiën qiellore
Rrethenden hyejt ner shtigje të vet,
Mbas një të përjetshme ligjë hyjnore,
Pa dije të vetë e pa vullnet.

*

Shkon vjeshta, dimni, – vjen prendvera
Me ndrim të pasosun përmbi ne,
E vjet per vjet kalojn si era…..
E brez mbas brezi shuehen në dhe. –

Por pema bje e fara njitet
Tue mungullue pa farë vetdije…..
E shpirt mbas shpirti bashkrathitet
Per një të pafundshem barg gjallsije.

E popull ndron me popull të vjeter,
Si vala deti, t’ u përzië,
T’ u shdukun njeni del një tjeter,
Per m’ i lshue tjerve vend persëri. –

E ner eone kshtu ka mbetun,
E ka me ngjatun pa mbarim…..
E jeta-e jonë, një gjeth i tretun,
Per një jetë të re do të sjell ushqim.

*

Plot harmonië në hapsiën qiellore
Rrethenden hyejt ner shtigje të vet,
Mbas një të përjetshme ligjë hyjnore,
Pa dije të vetë e pa vullnet.

E hyejt e fatit në zemren t’ ime
I rregullon plot hir Ti, Zot !
E je ner të kandshmes jetë andrime
E në psime të saj’ gjithmon hirplot.

Kur nata ime vjen e mlohet
Me dhē ky trup e të bahet hi,
Atëherë n’ amshim im shpirt do të çohet
Për me T’ u falë, o Perendië ! –

Mali KRISHNA



Lutje e dytë
[Kasidè-i-shé]

Pushoj natyra, e ner foleza të veta
Ra në gjum Gjithsija, mallshem si një fmië
Veç ner andrime rrokullohet jeta
Rreth Teje-o Shpirt, rreth Teje, Perendië !

Si hyell i vogel, neper sfera të marrta,
Kalon dheu-yn kah nata, pa kujtim
Që kandshem dielli, neper rreze të zjarta
E ngreh, e ngroh dh’ e shtyn per rrokullim.

*

Nga një burim i errt gurgllon një prue,
Plot mall t’ u derdh e plot dishir i rëmbyeshem
Pershkon humner’ e gjire tue zhungllue
E shkrihet në shkumë neper shkambije të thyeshem.

Mandej kah fusha rjedh plot melodiëna,
Plot kangë dashtnije, malli e pikllimi…..
Per anë ‘tij lulet, lisi e lendina
Per anë ‘tij shkrihen, digjet mbarë blerimi.

E kshtu rjedh proni, derdhen mija vija
Pertej si lum lumnueshem deri në dét…..
Ner ta kndon koha, jeta-e perjetsija
E dielli shndrit e hana dridhet lét.

E kshtu plot rjedhje t’ andshme neper malle
Andrueshem lumi-i jetes s’ onë ushton ;
Gurgllojn kanglueshem valzat neper zalle,
Gufon një kangë nga fund’ i zemres s’ onë :

*

Si hyell i vogel, neper sfera të marrta,
Kalon dheu-yn kah nata, pa kujtim
Që kandshem dielli, neper rreze të zjarta
E ngreh, e ngroh dh’ e shtyn per rrokullim.

E pa pushim rreth diellave, ner valle,
Kangplot planetat sjellen në harmonië ;
E jeta-e jonë, si një udhtim plot malle,
Rreth Teje-o Shpirt, rreth Teje, Perendië ! –

Mali KRISHNA

Botue te “Përpjekja shqiptare” nr. 11-12, 1937

Kang' e dervishit
Lutje e parë, botimi në origjinal
Kang' e dervishit
Lutje e dytë, botimi në origjinal

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!