KRISTAQ JORGO – MBI BOTËN E ÇUDITSHME TË ANTON PASHKUT
KRISTAQ JORGO
ANTON PASHKU (8 janar 1937 – 31 tetor 1995)
Në datëlindjen e ANTON PASHKUT, një ndër MJESHTRIT më unikë e më të jashtëzakonshëm të letërsisë shqipe, postoj një artikull timin të përvujtë të paradoviteve.
Them të përvujtë, ndër të tjera, pse kam bindjen e palëkundur se e ardhmja do të flasë shumë e më shumë e fort më mirë se e deritashmja – sado mirë të jetë dukur se ka folur kjo – për këtë MAGJISTAR GJENIAL të shkrimit shqip.
——————–
MBI “BOTËN E ÇUDITSHME” TË ANTON PASHKUT
“Bota letrare e Anton Pashkut“ – u tha kjo prej kohësh -, “është bota më e çuditshme në letërsinë shqipe“. Në krye të herës do të përpiqemi të përvijojmë disa tipare të kësaj ‘bote të çuditshme’ ; më pas do të marrim në shqyrtim shkurtimisht më të rëndësishmin (tipar) prej tyre në shembullin e kryeveprës pashkiane, romanit “Oh”.
Tiparet ne do t’i emërtojmë ‘parime’, term i përdorur edhe nga vetë Pashku. Mund të cilësohen këto si parime të poetikës pashkiane, pasi gjenden të njëmendësuara thuajse në secilën vepër të tij:
1. Parimi i faktit fiktiv
2. Parimi i matricës gjeneruese
3. Parimi i ngjarjes së ngjarë
4. Parimi i çastit 0 (zero)
5. Parimi i shenjës së pashenjë
6. Parimi i përjetimit
7. Parimi i vetëmbikqyrjes
8. Parimi i modelit të papërsëritshëm
Le t’i marrim me radhë:
1. Parimi i faktit fiktiv
Kemi tek Pashku, është thënë me të drejtë, jo një figurë të realitetit, por një realitet të figurës. Në kuptimin që të gjithë përbërësit e tekstit, qofshin fakte të njëmendësisë a të historisë, qofshin elemente tekstesh letrare e jo letrare apo modele rrëfimtare të huaja, transfigurohen, fiktivizohen në pajtim me thelbin e botës letrare në krijim e sipër. Asnjë shenjë e tekstit, për këtë arsye, dhe akoma më tej, asnjë raport mes shenjave, nuk mund të vihet në relacion të drejtpërdrejtë me analogonin e vet jashtëtekstor, përveçse si element përbërës i së tërës tekstore apo i supershenjës, me një term të autorit. Ky vetëdiferencim kaq i theksuar i botës letrare pashkiane nga ambjenti i çkadoqoftë (jetësor, historik, kulturor, letrar etj.) është një nga arsyet që e bën leximin e saj një lexim ‘të penguar’.
2. Parimi i matricës gjeneruese
Përdorëm pak më lart sintagmën thelb i botës letrare. Në thelb të botës letrare të Anton Pashkut, të çdo vepre të tij ndodhet një parim krijues a matricë, kurdoherë e ndryshme, e cila gjeneron gjithçka dhe tek e cila po ashtu gjithçka mund të reduktohet. Matrica thelbësore jo vetëm gjeneron gjithçka, ajo njëheri njëmendësohet në të tërë nivelet e tekstit, nga ai tematik deri në ata më formalë. Kjo matricë është vetëzhvilluese. Ka në gjenezë karakter unitar, por njëkohësisht përmban në bërthamë një strukturë di- apo multikotomike, që e shpërfaq në procesin e vetëzhvillimit. Refleks i drejtpërdrejtë i kësaj dukurie është dinamizmi i prozës pashkiane, tipar i cili u vu në dukje kaherë.
3. Parimi i ngjarjes së ngjarë
Togfjalëshi terminologjik `ngjarja e ngjarë` është yni. Rrëfimi pashkian lind si një domosdoshmëri për t’ju qasur diçkaje të pashprehshme, diçkaje e cila është e pamundur të formalizohet, ngjarjes në vetvete, në të cilën ne nuk mund të depërtojmë, së cilës ne mund vetëm t’i përafrohemi përmes rrëfimit. Në përpjekje për të zbuluar a identifikuar ngjarjen, gjatë procesit të leximit, ne hyjmë në një udhë të gabuar. Të gabuar pasi kërkojmë diçka që mungon. E tërë vepra dëshmon për ngjarjen, por ajo vetë, ngjarja e ngjarë nuk ndodhet aty. Të paktën ne e kemi të pamundur ta njohim. Mund vetëm të supozojmë mbi të. Një arsye tjetër kjo që e bën leximin e Pashkut një lexim të penguar.
4. Parimi i çastit zero
Çasti 0 është ajo pikë e tekstit në të cilën është i kapsuluar apo i fshehur sekreti i rrëfimit. Çasti 0 dëshmon për ngjarjen e ngjarë, në të merr jetë matrica bazë e veprës, aty ajo shfaqet në trajtën e vet parake a më të ngjeshur, për t’u vetëzhvilluar më tej. Pa zbuluar çastin 0, dëshmues të ngjarjes së ngjarë dhe lindës të matricës, ne mund të lexojmë, por nuk do të jemi në gjendje të hyjmë në nivelin e thellë të tekstit, do të mund të kuptojmë aty-këtu ndonjë funksion të ndonjë shenje, por do ta kemi parimisht të pamundur t’i përafrohemi sadopak maksimumit të funksioneve të të gjitha shenjave dhe të raporteve ndërmjet tyre. Si rrjedhim i kësaj, teksti rëndom nuk interpretohet, por mbiinterpretohet a më keq akoma, përdoret.
5. Parimi i shenjës së pashenjë
Parimin e shenjës së pashenjë do të mund ta emërtonim edhe si parim të funksionalitetit absolut. Në veprat e Pashkut nuk ka gjë të tepërt apo të mangët, çdo shenjë i ka funksionet e veta, edhe hapësirat mes shenjave që totaliteti jetësor i botës së rrëfimit i funksionalizon. Ne do të shohim më poshtë se si mund të ndodhë madje që një hapësirë boshe të jetë jo thjesht e funksionalizuar, por e superfunksionalizuar, se si në një hapësirë boshe mund të fshihet pikërisht çasti 0 i veprës.
6. Parimi i përjetimit
Tekstet e Anton Pashkut nuk duhet thjesht të lexohen, ato duhet të përjetohen. Përjetimi i tekstit është veç të tjerash parakusht i kuptimit të tij. Duke mos e përjetuar tekstin ne shpërfillim as më shumë as më pak një ndër dy përmasat e lëndës ligjërimore, për të cilat do të flitet më poshtë. Mospërjetimi i tekstit mund të bëjë të na shpëtojë shumëçka; në analizë të fundit çasti 0 i veprës, pa njohjen e të cilit nuk mund të thuhet se kemi hyrë në botën e çuditshme pashkiane.
7. Parimi i vetëmbikqyrjes
Vetëzhvillimi i matricës bazë e njëmendësimi i saj në të tëra nivelet e tekstit mbikqyren autorialisht me një rreptësi matematike. `Shkrim të rëndë´ e cilëson Pashku procesin e vet krijues. Mbikqyrja nuk ndjehet si sforcim, është përkundër aq e natyrshme dhe në pajtim me lëndën sa mund të thuhej pa e tepruar: bota e çuditshme pashkiane vetëkrijihet duke u vetëmbikqyrur.
8. Parimi i modelit të papërsëritshëm
Një botë e organizuar kësisoj nuk mundet të mos jetë ekskluzivisht e mëvetësishme; thënë ndryshe e papërsëritshme. Ajo nuk është refleks i ndonjë modeli të huaj dhe nga ana tjetër nuk mund të përsëdytet. Nuk mund të përsëdytet jo më nga ndonjë autor tjetër, por as nga Pashku vetë; ne do ta çonim deri në skaj këtë pamundësi duke thënë: aq më pak nga Pashku vetë. Këtu e ka burimin vëzhgimi i kahershëm se asnjë nga tekstet pashkiane nuk u përngjet të tjerave. Po variantet, mund të shtrohet pyetja. Pasi dihet se një pjesë e veprave të Pashkut, dalin në dy variante. Variantet janë pikërisht një provë e pamundësisë së përsëdytjes së modelit. Matrica e ka në vetvete farën e variantësisë, mundësinë që në procesin e vetëzhvillimit, i cili është i paparashikueshëm të marrë, në një çast të caktuar, pjesërisht, një tjetër kahje. Lind kështu një variant i ri, i mëvetësishëm i së njëjtës vepër. Në këtë raport janë p.sh. romani „Oh“ e tregimi „Eklipsi“. Kjo botë e rrëfimit, e ndërtuar kështu si model i papërsëritshëm, ka ligjësoritë e saj specifike dhe nuk na lejon t’i qasemi së jashtmi me instrumentet e standardeve teorike e narratologjike. Këto instrumente duhet të farkëtohen rishtas, në rastin më të mirë të përshtaten në pajtim me specifikën e botës pashkiane në shqyrtim.
Bota e romanit “Oh„ është më e çuditshmja ndër botët e çuditshme pashkiane. Në këtë vepër Pashku ka arritur të njëmendësojë në planin artistik diçka që ne pa ngurruar do ta cilësonim të jashtëzakonshme. Do të përqendrohemi vetëm në një pikë, në atë më kryesoren: Do të vihemi në kërkim të çastit 0 të veprës.
U tha se “Mbarimi është rimarrje e tekstit të fillimit, gati i fjalëpërfjalshëm“; se „Një pamje e tillë jep idenë për strukturën rrethore të tekstit të Pashkut; për një rreth narrativ që ka një qendër. Kjo qendër funksionon si hyrje e si dalje e romanit.“; u fol për “mbyllje unazore“ të veprës, për „roman të rrëfimit qarkor, ku udhëtimi i nisjes i përngjan atij të kthimit, nga drejtimi i kundërt në pikën e nisjes (…).
A janë të sakta këto vëzhgime. Jo plotësisht, pasi jo e tëra, por vetëm pjesa e mesit e skenës së dhomës – skenë e fundit kjo e romanit – është përsëritje e tekstit fillestar. Veç kësaj, e kjo është më e rëndësishmja, vëmendja nuk u përqendrua sa duhet në teknikën e kësaj rimarrjeje e mbi të gjitha në funksionin a domethënien e saj.
Të përpiqemi të bëjmë një përmbledhje të shkurtër të veprës:
Ajo rri prej agut deri në pragmuzg në shtrat duke ofsharë, pa thënë asnjë fjalë. Ai vërtitet mes dhomës e nevojtores në momente tensionimi e çrregullimi shpirtëror e mendor të jashtëzakonshëm; dikur shtrihet në dysheme e ia ngul sytë akuariumit, i cili i sjell në mend kujtimet e një dite më parë, kaluar me femrën në breg të një liqeni artificial, ditë gjatë së cilës ai është përhumbur në meditime të rënda, shekullore mund të thuhet, sa e sa herë; pastaj kujtimet e rrugës së kthimit nëpër natë për në shtëpi e të ditës në shtrat pa shkëmbyer asnjë fjalë, kujtime që vijnë të pashkëputura deri në çastin kur ai, pasi del nga shtrati vërtitet mes dhomës e nevojtores në momente tensionimi e çregullimi shpirtëror e mendor të jashtëzakonshëm, shtrihet dikur në dysheme e ia ngul sytë akuariumit. Papritmas, në këtë çast, ajo ngrihet dhe pas një debati dramatik, në vaj e sipër, del nga shtëpia.
Çështja shtrohet kështu: teksti na bën me dije se, në një moment të caktuar të ngjarjes ka zënë fill shumçka, pastaj, në një rimarrje të dytë, del se në të njëjtit moment të ngjarjes nuk ka ndodhur absolutisht asgjë nga ajo që u tha, ose më mirë ka zënë fill diçka krejt tjetër. Ka ndodhur shumçka apo nuk ka ndodhur asgjë? Ka ndodhur njëherësh edhe gjithçka, edhe asgjë. Kjo është bërthama e sekretit të madh të romanit “Oh” të Anton Pashkut. Jemi këtu në çastin 0 të veprës. Si është e mundur një gjë e tillë? Si është e mundur të ndodhë njëherësh edhe gjithçka edhe asgjë?
Në analogji me konceptin kuantik të lëndës, i cili dallon në të dy përmasa, përmasën grimcë dhe përmasën fushë ne do të flasim për dy përmasa të lëndës ligjërimore. Mendimin mund ta cilësonim si përmasën grimcë të kësaj lënde; ndjenjën si përmasën fushë. Vetë mendimi del nga ana e tij si përmasë fushë e qenies në raport me përmasën grimcë të saj, atë të veprimit. Dihet se vetëm përmasa fushë ka aftësi lidhëse, pasi fushat i mbivihen njëra-tjetrës, shkrihen në njëra-tjetrën; këtë veti përmasa grimcë nuk e ka.
Romani „Oh“ mund të cilësohet si roman i pengimit dhe, pastaj, i shpërthimit në një tjetër nivel. Apo i pengimit që është njëherazi shpërthim. Kjo matricë e pengim-shpërthimit njëmendësohet absolutisht në të tëra nivelet e tekstit. P.sh. ato që duken lojëra fjalësh në dialogjet mes heroit dhe femrës janë në të vërtetë pengim apo pamundësim i dialogut të mirëfilltë dhe njëherazi shpërthim i moskuptimit të ndërsjelltë. Pengimet e rënda që i janë bërë veprimeve të heroit në të shkuarën e të cilat përmenden shkurtazi shndërrohen në shpërthim të meditimit apo në meditim të hipertrofizuar; meditimi i hipertrofizuar pengon komunikimin; komunikimi i penguar çon në hipertrofizim të ndjenjës.
Koncepti i boshit kuantik, momenti kur kemi vetëm tërësinë e fushave në ngjeshjen e tyre maksimale, prag i shpërthimit të madh dhe i krijimit të universit, në botën e rrëfimit pashkian i përgjigjet çastit 0 (zero), çastit a pikës së koncentrimit maksimal të ndjenjës, të ndjenjës së hipertrofizuar në shkallën më të lartë. Kemi në këtë pikë pengimin maksimal të veprimit, meditimit, komunikimit e kuptimit, shkurt bllokimin e përgjithshëm, „Eklipsi“-n – titulli i variantit tregim të veprës, e në të njëjtën kohë shpërthimin maksimal të ndjenjës, eksplozionin „Oh“ – titulli i romanit.
Nga kjo perspektivë mund të thuhet se romani „Oh“ duke mos qenë roman i veprimit, është roman i mendimit, siç është nënvizuar me të drejtë, veçse i mendimit të hipertrofizuar e, para kësaj, roman i ndjenjës së implozuar me qindra herë e të eksplozuar më në fund në trajtë të hipertrofizimit maksimal në çastin 0 (zero) të veprës.
Çasti 0 (zero) i veprës, është pikë kulmore e krizës shpirtërore e mendore të heroit, moment kllapie, i humbjes totale të vetëdijes, siç aludohet në fund. Në këtë çast, në një segment kohe për ne të panjohshëm, që në tekst shënohet me një hapësirë boshe, mund të supozojmë se vetëtimthi e në mënyrën më kaotike të mundshme heroit i vijnë ndër mend gjithçka ka përjetuar deri më atë çast dhe që ai do të përpiqet të na i tregojë më me rend, më me qetësi, por sërish turbull e pengueshëm, në një moment të dytë, pas disa ditësh, kur nis të rrëfejë.
Lexuesit të botës së çuditshme të Pashkut i duhet të njohë natyrën plotësisht fiktive të botës ku ka hyrë, të zbulojë matricën gjeneruese të saj dhe t’ia mbikqyrë asaj vetëzhvillimin, të cilit ajo i nënshtrohet; i duhet të meditojë rreth ngjarjes së ngjarë, po të mos përpiqet ta zbulojë atë, pse është e panjohshme; i duhet pastaj, në të vërtetë që në krye, të mos merret me çuditë e pengimet e vogla, por të hedhë dritë mbi çastin 0 (zero) të veprës, prej të cilit nis e në të cilin përfundon gjithçka; të deshifrojë mbi këtë bazë funksionet e shenjave e të raporteve mes tyre, pa harruar shenjat e pashenja, ta përjetojë, jo thjesht ta lexojë veprën, nëse don ta kuptojë atë, e së fundi a së pari të niset drejt saj me bindjen se kjo botë e çuditshme instrumentet për ta njohur i ka në vetvete.
Materiali është marrë nga profili në Facebook i Profesor Kristaq Jorgos.