KRISTAQ JORGO – POETI I MADH MITRUSH KUTELI
PROF. DR. KRISTAQ JORGO
POETI I MADH MITRUSH KUTELI
Ndriçimi i kurorës së diamantë që ka fituar prej dekadash DHIMITËR PASKO – MITRUSH KUTELI si një ndër MJESHTRIT më të mëdhenj të rrëfimit shqip, ashtu dhe i të artave kurora të tjera për gjithë çka lëvroi në kritikë, përkthim, shkencë …, tok me Dritën e Personalitetit të tij të Jashtëzakonshëm, sikur e kanë lënë pak në hije krijimtarinë e Tij poetike.
Në të vërtetë, me ajkën e poezive të veta MITRUSH KUTELI bën pjesë në radhën e Poetëve të Mëdhenj të Shqipes.
Pa Të, Parnasit Shqiptar do t’i mungonte një përmasë, një gjymtyrë, e pazëvendësueshme kjo nga një i dytë.
E pazëvendësueshme, pasi në kryevargjet e Tij nuk këndoi veç frymëzimi, talenti, shpirti. Këndoi, më saktë, briti E GJITHË QENIA, e cila me një art sublim mishëron çaste skajshmërisht dramatike dhe unike të ekzistencës, thelbësisht personale e të papërsërishme, të jetuara e të vuara në gjak.
Poezia e mëposhtme është njëra prej dëshmive-kryevepra që na ka blatuar ky Poeti i Madh.
Kujdes! Mos ‘u gaboni’ prej vargjeve të parë: Nën tisin prej hëne si të një idili, endur mjeshtërisht – vuar tmerrisht do t’ju dalë befas përballë tragjedia. Në të vërtetë, e tëra është e tillë…
BALADA E ZONJËS HËNË
Ish dehur hëna nj’asaj nate – porsi njeri që pi raki,
Dhe, vrangavrunga kullutumba, ardh’ e m’u shemb në avulli.
U ngrita majës së gishtrinjve dhe kokën vura në katror,
Pa Zonjës Hënë fort iu luta të hyjë brenda në oborr:
“Ah, eja – thashë – Zonja Hënë, se mall të madh kam un për ty –
Të rrimë pranë e më pranë edhe të çmallemi të dy.
Më verë dorën përmbi ballë që të më bësh të ëndëroj,
Si kaqe herë në mes verë, kur zbrisnje heshtazi ne kroj,
A kur të prisnja i tronditur me shpirt të shkuar nëpër vrer,
Të rrokullisesh pas një rreze edhe të kredhesh në liqer.
Dhe të ma vishnje llërëbardhën me hir të ri, si për çudi,
T’i derdhnje kririn tënd të shenjtë mbi flokët larë me flori…”
“Pusho! – më tha. – Mos u trerove? Nuk sheh se roja na përgjon?
Afrohet çasti i kontrollit dhe një tetar ja tek kalon!”
U dëshpërova, fort, pa masë, dhe rashë përsëri në shtrat:
Kuptoj tani – s’më do as Hëna, pra jam i mjerë dhe i ngrat!
Po duke ndenjur sypulitur e ndje se ryri në oborr,
Jo drejtpërdrejt a nëpër vraga, po anës anës e tërthor,
Dhe që aty, me çap të lehtë, ja tek qëndroi mbi shtratin tim.
“Ja erdha – tha – o mik i krisur, njeri i keq që s’ke durim!”
“Oh, ç’je kështu, moj Bardhaborë? Kush të ka zhdëpur me shkopinj?…”
“Si jam?” – më tha – “Nuk e sheh veten? Je bërë thela e thelpinj…
“Tani kuptoj se je e dehur: ke hedhur kupa me raki.”
“Aspak – më tha – o derëmbyllur, por ti je bërë për çmendi.
Pa hidh një sy e shih dritaren ta dish sa hekura që ke,
Ato më çanë e më ndanë… Apo harrove se ku je?”
“S’ka gjë, moj Hënë; un’ të dua: kështu si je, kështu si jam –
Dhe i shkela synë, i tregova të katër muret anemban –
Tani më thuaj ç’ka në botë: nga Mal’ i Thatë gjer në det.”
E mekur rri e Bardha Hënë: e pyes unë, ajo s’më flet…
Po me t’ja shtruar bisedimit e shoh më këmbë qysh u ngrit.
“Ku shkon – i thashë – Zonja Hënë? Të lutem edhe pakëz prit,
Kam kaqe fjalë për të thënë, ah, Zonj’ e Bardhë rri dhe më…”
“Kam frikë – tha – se më pa roja edhe tetarit i bën zë.”
“Kush je? Qëndro! Mos loj! Të vrava!” Një zë i ashpër bubulloi
Dhe plumbi qorr përtej katrorit si vetëtimë seç kaloi.
…Dhe iku e më la të mjerë: më la në tmerr, më la në terr,
E ja tani afron mëngjezi, po mua gjumi nuk më merr…