KRISTO FLOQI – VDEKJA E SOKRATIT (poezi)
KRISTO FLOQI
(1876 – 1951)
VDEKJA E SOKRATIT (poezi)
Sokrati u dënua!… Po pse? Se predikonte
Që duhet me besue vetëm një Perëndi,
Se vetëm një Zot është, njashtu djelmninë e msonte
Ky filosof i naltë, që ishte një çudi!
Dhe kush e akuzovi? Mjerisht nj’a dy-tre veta,
Që nxënës i kish pasur e u pat dhënë msim,
Që pa mëshirë e msyne, ju turrë si shigjeta,
Gjersa në gjyq e çuan, gjersa i dhanë dnim!
Sokrati u dënua, por gjakun nuk e prishi,
As pak s’u turbullua dënimin kur dëgjoj,
As mni njeriut s’i mbajti, s’u tremp, as ju ngjeth mishi,
Zembrim s’tregoi askushit, as mshovi, as mallkoj!
——————
N’atë qelin’ e shkretë ku ishte i burgosur
Në moshën e pleqrisë, i ndarë, pa njeri,
I mjerë, i përbuzur, i dergjur, i brengosur,
Ku vetëm vdekjen priste, me helm e mizori,
Sokrati s’e bjerr shpresën, uzdajën s’e humb kurrë,
Doktrinës tij të naltë gjithmon’ i ri krenar.
Idhetë s’i hedh poshtë, qëndron besnik e burrë,
Dhe ligjeve të vendit s’u del aspak tradhtar!
Jo, vdekja nuk e trembi këtë njerin’ e rallë,
Që shembëll desh të ishte për Botën, Brez’ e ri,
Si shtetas i një vëndi, si patriot i gjallë
Që për Atdhen’ e dashur s’peshoj asnjë njeri!…
—————–
Atje ku qetas rinte ky dijetar i ngratë,
Ku jetën po mendonte, problemin, çdo qëllim,
U ngrys e u err moti, harriu e zeza natë,
Dhe gjumi e merr ngadalë, i vetmi ngushëllim.
Po flë, po flë i mjeri, si ëngjëll, fort i qetë,
Kush di sa e sa ëndra fat-keqi tash po sheh,
Në ftyrën e kulluar e t’ëmbël e të zbetë,
Ajy q’ e vëzhgëllonte kush di sa shenja njeh:
Por gjumin s’ja tund kushi, i shkretë është burgu
Dhe vetëm fill rojtari përjashta sillet vren,
Deri të mbrinjë dita, deri të çohet murgu
Të shkretën helm të pijë, që vdekjen n’atë gjen!…
Tek pijtazi po flinte, tek çlodhej pak Sokrati,
Befas u çil dera, një nxënës brënda vjen,
Miku i tij Kritoni, që fort e desh i ngrati,
Me dhimbj’ e sheh, avitet, të zbetë fort e gjen,
Kritoni s’ka dëshirë qetsinë t’ja trazonjë,
Gjumin e tij t’ja prishë, që aq i lumtur flë,
Dy lote sysh i derdhen, ka ardhur ta shpëtonjë,
Rojtarin e të tjerët me páre i ka ble.
Kritoni ësht’ i pasur, Kritoni â shpirt-mirë,
Që për njerin’ e naltë s’i dhimbet gjë e mall,
Çdo fli bën ta lironjë, ka mbrijt’ aty pa gdhirë,
Prej burgut ta tërheqë edhe t’a nxjerë gjall.
——————-
Sokrati dikur çohet dhe sytë tue fërkue,
Kritonin sheh përpara, i duket mrekulli,
“Qysh herët paske ardhur, pa prit’ e pa kujtue,
“O miku im, i thotë, qysh nuk të pa njeri?
“Qysh hyre ti ktu brenda, kush ty të ka lejue?
“Rojtari nuk të ndali? Njeri nuk të vëzhglloj?
“Qysh pragun e ktij burgu ke mundur me kalue,
“A mos ndoi sent tjetër n’a shkrepi, n’a takoi?
“Më folë, pra, më thuaj, a mos ka mbrijt’ anija
“Prej ishullit të DHELOS? U duk? A shihet kunt?
“Mos popullit t’Athinës i është shtuar mnija
“Dhe ngutet jetës s’ime t’i japë sot një funt??
Edhe ia pret Kritoni: “O mjeshtri im, qetsohu,
“Se cok për ty kam ardhur, rojtari më lejoj,
“E kam paguar mirë, askush s’më pa, s’më njohu.
“Veç ngutu shpejt të shkojmë, se qe, dita agoj!
“Me miqt e mi kam fol këndej me t’largue,
“Të gjitha gati janë, do jesh në siguri,
“Por eja, mos bjerr kohën, mos ri tue u mendue,
“Të ikim sa më parë tani që s’ka njeri,
“Për ne e për të gjithë ti duhesh me jetue,
“S’durojmë të të shohim të vuash në pleqëri,
“O prijës gojë-artë, që kurrë s’ke përtue
“Me prediku të drejtën gjithmonë për djelmri!”
“Ç’po flet ashtu, i dashur? Si s’u mendove mirë
“ – Ia pret me vrap Sokrati – unë t’ikinj, të shpëtonj?
“Më duket se bjerr kohën, që ardhë ke pa gdhirë.
“Këtë nuk e bënj kurrë dhe kurrë s’të dëgjonj.
“Si do të thonë Bota dhe populli grek mbarë,
“Që vet’ ajy Sokrati gjith ligjet i shqelmoj?
“Kriton, kështu mos folë, Sokrati s’është i marrë,
Ajy u shtrohet ligjve, dënimin e pranon.
“Qysh do të flasin nesër, që fshehtas pata hikë,
“Që vdekja më pat trembur, mohova çdo parim?
“Për me shpëtue vehten Sokrati nuk ka frikë,
“Një njollë nuk lë kurrë, duhet të kem qëndrim!
Jo, jo, Kriton, të lutem, kot më ke këshilluar,
“Duhen nderuar ligjet, zakonet e çdo sent.
“Atdheu është m’i dashur e më i adhuruar,
“Nga prindër e fëmijë Atdheu është më i shenjtë!
“Themelet e një shteti nuk munden m’u tronditë
“Për shkak të një personi, dënuar me gabim,
“Duhet të japim shembëll, duhet të japim dritë,
“Djelmnija, Bota mbarë duhet me pas’ guxim.
“Në qoftë se ne shkelim zakonet katragjyshe,
“Si pret të vepërojnë të tjerët paskëtaj?
“Në qoftë se Sokrati shkel ligjet, sillet ndryshe.
“Si do qëndrojë Shteti, kur ne bijem në faj?
Këtu mbaroj Sokrati, Kritoni s’bëri fjalë,
Dy lott iu derdhë syvet, ul kryet, s’kundërshton,
Dera e burgut hapet, xhelati hyn nga dalë,
Dhe helmin tue ja sjellë, Sokratit ja drejton.
Sokrati fort i qetë, e merr, e pi menjëherë,
Kritoni e sheh, dridhet, një tmerr e depërton,
I vjen t’i shkul fytin xhelatit, grusht t’i bjerë,
Por një bisht syr’ i mjeshtrit Kritonin e ndalon.
Nuk shkoj një koh’ e gjatë që piu helmin e shkretë,
Sokrati zë ndjen dhimbje, por nuk nxjerr zë, duron,
I ra zali të ngratit, ulet përmbys i zbetë,
Fjala në goj’ i pritet, thua se po mbaron?
Çohet me vrap Kritoni, për supesh pak e ngriti.
“Mjeshtër – i thotë – ndalu, ku shkon, ne ku n’a lë?
“Pa ty nuk mund të rojmë!… Kritoni fort bërtiti.
Po filosof’ i qetë prapë në vent e vë.
I sillet me nga dalë, me gjak e trup të ftohtë,
Këshillat më të fundit nxënsit tij i dha,
E mson se qysh të sillet, çdo porosi i jep,
Dhe për të mbramen herë Kritonit kto i tha:
“Tash, mik, ja mbrini koha të ndahemi të qetë,
“Unë që t’a lë jetën dhe ti që t’a vazhdosh,
“Po ç’rrug’ ësht m’e mirë e di veç Zoti vetë,
“Lumërinë e vërtetë prej sijsh do ta ngjërosh!
——————
Kështu tha filosofi dhe ra e mbylli sytë,
Shpirt’ i tij i qetë la trupin e fluturoj,
Sokrati ndrovi jetë, Bota nuk sheh të dytë,
Perndoj hyll’ i mesqjelltë, Sokrati vdiq!…Mbaroj!
Por ideal’ i naltë që mbolli nj’ ajy burrë
U hap mbi gjithë popujt, Njerzinë e Shpëtoj!
DY FJALË PËR AUTORIN
Kristo Floqi lindi në Korçë, i biri i Vasil Risto Tomços dhe Ngjelkës së Spiro Mitkos. Të martuar më 1869, patën 4 djem dhe një vajzë: Dhimitrin, Kriston, Nikollaqin, Thanasin dhe Katerinën. Mbetën gjallë vetëm Kristo me Thanasin. Të dy studiuan për drejtësi.
Mësimet e para Kristo Floqi i mori në shkollën qytetëse në Korçë, ndërsa studimet e mesme dhe të larta i kreu në Greqi, ku familja e tij qe shpërngulur. Diplomoi për drejtësi në Athinë, po aty nisi të ushtrojë profesionin e avokatit më 1899. Pasi nxuri turqishte me Hafiz Ali Korçën, më 1902 dha në “Mehtemi – Hukuk” provimin për të ushtruar avokatinë edhe në Perandorinë Osmane. Më 1904 martohet me Urani Poçin.
Më pas shkon në Korçë, ku hap zyrë avokature, punoi gjatë viteve 1902-1908 avokat në vendlindje, Manastir dhe anëtar i gjyqit të shkallës së parë në Dibër.
Më 1908 drejton gazetën “Dielli” në Shtetet e Bashkuara. Më 24 dhjetor 1911 drejton mbledhjen për krijimin Komisionit për Bashkimin e organizatave shqiptare në SHBA. Më 28 prill 1912 themelues dhe anëtar i komisionit qendror të Federatës Vatra, të cilën e drejtoi më 1913-1915. Merr pjesë më 1913 në Kongresin e Triestes, si i dërguar së bashku me Faik Konicën.
Më 6 qershor 1913 emërohet në krye të gjykatës civile e penale, madje merr pjesë në gjyqin e Beqir Grebenesë. Më 1914 u emërua kryesekretar i ministrisë së Drejtësisë. Në maj të 1919 drejtonte botimin e të përkohshmes “Agimi”, organ degës letrare i shoqërisë “Vllaznia”.
Më 1921 u emërua ministër Arsimi në qeverinë e Iljaz bej Vrionit. Më 1921 qe anëtar i “Bashkimit të Shenjtë” dhe në legjislaturën 1921-1923 u zgjodh deputet i prefekturës së Dibrës, u zëvendësua më 1922. Më 8 janar, 1922 ai hapi një zyrë avokatore në Rrugën e Dibrës.
Në vitet 1925-1926 botoi gazetën “Indipendenca Shqiptare”, kur edhe u rizgjodh si deputet i prefekturës së Korçës gjer më 1928. Më 1932 përkujdeset për varrosjen e kunatës së tij, Marigo Posios. Më 1929 – 1944 me ndonjë ndërprerje qe anëtar i Këshillit të Shtetit, ndërsa më 1940 zëvendësisht kryetar i tij dhe drejtor i zyrës ligjore të institucionit.
Ndërroi jetë më 1951.
VEPRIMTARIA LETRARE
- 1912 Fe e Kombësi, dramë.
- Pirro i Neoptolemit, dramë.
- Karl Topia, dramë.
- Skënderbeu n’Itali, dramë.
- Qypërllinjtë, dramë.
- Vëllëzëri dhe Interes, vepër e cila shërbeu si bazë për krijimin e filmit dramatik ”Zotëri Dollari” më 1997, me regji të Veton Osmanit.
VEPRIMTARIA STUDIMORE
- E drejta themelore
- Elementë të Ekonomisë politike
- Një predikim mbi patriotizmë dhe nacionalizmë
- Kosovë-Serbi e Vjetër-Studim etnografik, ku ai kundërshton mr fakte se Kosova nuk është Serbi e Vjetër.