RRËFENJË ARABE – KU FSHIHET LUMTURIA E NJERIUT?
KU FSHIHET LUMTURIA E NJERIUT?
(Rrëfenjë arabe)
Në fillim të kohërave, perënditë u mblodhën për të krijuar njeriun: burrin dhe gruan. Dhe vendosën ta bënin njeriun të ngjashëm me veten e tyre. Atëherë, një perëndi thotë:
– Prisni pak. Ju thoni t’i krijojmë njerëzit që të jenë të ngjashëm me ne, domethënë, ata të kenë një trup të barabartë me trupin tonë dhe një forcë inteligjence të barabartë me tonën. Në rregull. Por unë mendoj që të kenë diçka që i veçon ata nga ne, përndryshe do të krijojmë perëndi të reja.
Pasi mendohen shumë, një perëndi thotë:
– E gjeta! Le t’ia heqim njeriut lumturinë, të cilën ne e kemi.
– Mirë thua po… ku do ta fshehim?- pyet një perëndi tjetër.
– Le ta fshehim në majën e malit më të lartë në botë.
– Unë mendoj se nuk është një ide e mirë, sepse njeriu është aq i zoti sa do ta gjejë atë.
– Atëherë… le ta fshehim atë në fund të oqeanit,- thotë një tjetër.
– Jo. Mos harro se, me inteligjencën që do t’i japim ne njeriut, herët a vonë, ai do të ndërtojë një mjet që mund të zbresë edhe në thellësinë më të madhe të oqeanit.
– Pse nuk e fshehim lumturinë në një planet tjetër dhe jo në tokë?
– Edhe kjo nuk është një ide e mirë, sepse do të vijë një ditë që njeriu, me teknologjinë që do të zhvillojë, do të arrijë të udhëtojë në planetë të tjerë. Kështu që do ta gjejë lumturinë dhe do të jetë i barabartë me ne.
Një nga perënditë, e cila, deri atëherë kishte heshtur dhe kishte dëgjuar me interes idetë e propozuara nga të tjerat, flet dhe thotë:
– Do t’jua tregoj unë se cili është vendi më i përsosur për të fshehur lumturinë, ku njeriu nuk ka për ta gjetur kurrë.
Të gjitha e shikojnë me habi dhe, menjëherë, e pyesin:
– Ku?
– Ne duhet t’ia fshehim lumturinë njeriut brenda vetes së tij, sepse njeriu do ta kërkojë atë gjithandej, po, kurrë, nuk do t’i shkojë në mendje se lumturia ndodhet brenda tij.
Të gjitha perëndive kjo iu duk një ide e shkëlqyer dhe ashtu vendosën.
Prandaj, njeriu qysh atëherë e kalon jetën e tij duke kërkuar lumturi, pa e kuptuar se ai e bart atë me vete.
Në shqip: Bajram Karabolli