MIGJENI – RECITAL I MALËSORIT (cikël me poezi)

MIGJENI – RECITAL I MALËSORIT (cikël me poezi)
MIGJENI

RECITAL I MALËSORIT (cikël me poezi)

NJË NATË PA GJUMË

Pak dritë! Pak dritë! Pak dritë, o shok, o vlla.
Të lutem, pak dritë në kët natë kur shpirti vuen,
kur të dhemb e s’di ç’të dhemb, e syni gjum nuk ka,
urren nuk din ç’urren, don e s’din se ç’don.
Pak dritë! 0 burrë! 0 hero’ ngado që të jesh. ….
Burrë që shkatrron edhe që ndërton sërish!
Pak dritë vetëm, të lutem, mshirë të kesh,
se do çmendem në kët natë pa gjumë dhe pa pishë.
Oh! ta kisha pishën të madhe edhe të ndezun!
Me flakën e pishës në qiellin e ksaj nate
ta shkruejshe kushtrimin… Ehu Burrë i tretun
Do ta shifsha vallen tande në majë të një shpate.
Por pishë nuk kam e vetëm janë burrat, shokët…
Dergjem n’errsin pa gjumë dhe pa dritë…
Askush s’më ndigjon, çirren kot më kot…
Hesht more, hesht! por qëndro, o shpirt.
Gjeli këndon dhe thotë se asht afër drita
Gjel, rren a s’rren? cila asht fjala e jote?
Kur ti këndon thonë se asht afër drita…
Por un s’besoj sonte në fjalët e ksaj bote.
Hiqmuni qafe, mendimet
O jastëk ty të rroki, të përqafoj si shpëtimin,
më fal atë që due: gjumin dhe andr’min
e dy buzve që pëshpërisin ngushllimin.

FRYMËZIM I PAFAT

Frymzim’ i em i pafat,
që vjen e më djeg mu në gji,
për kë po më flet? për kë të shkruej?
përse po më ban që kaq të vuej?
pse vjen e më djeg mu në gji,
frymzim’ i em i pafat?

Për të gjorët? për ata që nuk kanë dritë?
O frymzim’ i em i ngratë,
mjaft me plagë që s’kan shërim,
leni të dergjen në mjerim,
Njerzit s’duen ma trishtim,
botës s’ia kande atë kangë të thatë,
thot se mjell një farë të idhtë.

Far’ e idhtë… far’ e idhë…
O njerz të bimë nga far’ e ambël!
Frigë të mos keni, pse një kangë
mund t’ju theri në ndjesi,
t’ju kujtojnë zemrën në gji
në ndërgjegje dhe një dangë…
por ju t’ju bajë edhe ma zi.

Frymzim’ i em i pafat!
Shporru ktej! Nuk të due!
S’i due hovet tueja të nalta,
as fluturimet… Nëpër balta…
të ditve tona të shklas un tue
rrokë me njerzit që rrok nata.

KANGA QË S’KUPTOHET

U vodh kanga nga zemra e kombit,
shpërtheu në vaj të dikuem mjerimit,
këndoi ujen e së bijës, këndoi ujen e të birit,
qau jetën e thyeme nga rrufe e fatit,
i mbyti në lotë shpirtënt që ndjejnë dhimbë për të ngratit.

Kangë a vaj? Çë je? Thuejma, zemër kombi!
Zemër që ke vuejtun, që ende po vuen…
Kangë a vaj? Çë je? Çë në ty po vluen?
Mallkimi ndaj fatet që ditët t’i helmuen,
që dëshirat e jetës të gjitha t’i gozhduen?

Oh, jo! Kanga jote asht shprehje e dhimbsun
e njëjetese që dergjet e dergjet
dhe tu’ e dergjë ndoshta do hesht e molisun…

VETMIJA

Më plak mërzitja
që vetmia më sjell;
përbuzja, urrejtja
të gjith sendet m’i mbështjell
që kam shumë anmiq
të liq
në këto sende pa shpirt,
Nuk flasin.
As sy s’kanë.
Po mue më bahet
se aty janë
vetëm që të më plasin
zemrën.
Së paku, të më shajnë:
I mallkuem!
Së paku, të anë tallin:
I uruem!
Së paku, të më këndojnë:
I yni zot!
Ose të më thonë:
Jeton kot!
Të flasin, të flasin se fjalë due
në kët vetmi me ndigjue.
Ose të më tregojnë historinë
e tyne, autobiografinë:
ndoshta ty do gjej gjasim
me jeten time pa tingllim
që në vetmi po e kaloj
dhe s’po dij a rroj e s’rroj.
Sendet heshtin. sa të pamëshirë!
Më bajnë dhe mue të hesht me pahirë,
pse gojë s’kanë
dhe nuk flasin,
aty janë
vetëm të më plasin
zemrën teme që po vuen
dhe në mërzi vetveten truen.

MALLI RINUER

Valët muzikore fluturojnë nga përndimi
shkrepen e përtrihen
për muret e dhomës seme,
edhe mandej dridhen
mbrenda në zemrën teme
dhe zgjojnë ndijesina që mblue ka hini.
Ndijesitë e mia me valët muzikore
shkëmbejnë puthje të nxehta
posi dy dashnorë
e pa mshirë shëgjeta
më ther në krahnor
edhe më merr malli për jetë ma gazmore.
Malli rinuer për jetë ma shkumbuese
flen pa fat në mue,
një tingull pëmdimi
asht ngushllim për mue
kur më mshtjell mashtrimi
me melankolinë e vet aq trishtuese.
Tingujt miqëdashës, që në dhomën teme
më falin rytmin
e një dansit të largët,
më kujtojnë përqafimin
e çiftave të shkathët
që sjellen hirshëm nëpër drrasa të gëdhenme.

Recital i malësorit
RECITAL I MALËSORIT

O, si nuk kam një grusht të fortë
t’i bij mu në zemër malit që s’bëzanë,
ta dij dhe ai se ç’domethanë i dobët –
n’agoni të përdihet si vigan i vramë.

Unë lugat si hij’ e trazueme,
trashigimtar i vuejtjes dhe i durimit,
endem mbi bark të malit me ujën e zgjueme
dhe me klithma të pakënaqura t’instinktit.

Mali hesht. Edhe pse përditë
mbi lëkurë të tij, në lojë varrimtare,
kërkoj me gjetë një kafshatë ma të mirë…
Por më rren shaka, shpresa gënjeshtare.

Mali hesht, dhe në heshtje qesh.
E unë vuej, dhe në vuejtje vdes.
Po unë, kur? heu! kur kam për t’u qesh?
Apo ndoshta duhet ma parë të vdes?

O, si nuk kam një grusht të fuqishëm!
Malit, që hesht, mu në zemër me ia njesh!
Ta shof si dridhet nga grusht’ i paligjshëm…
E unë të kënaqem, të kënaqem tu’ u qesh.

NËN FLAMUJT E MELANKONISË

Në vendin tonë
kudo valojnë
flamujt e një melankolie
të trishtueshme…
… dhe askush s’mund të thotë
se këtu rron
një popull që ndërton
diçka të re.
Aty këtu në hijet
e flamujve
mund të shifet
një mund, një përpjekje
e madhe përmbi vdekje
për të pjellë diçka të madhe,
për të qitë në dritë një xhind!
Por, (o ironi)
nga ajo përpjekje lind
vetëm një mi.
Dhe kështu kjo komedi
na plas dellin e gazit,
nsa prej marazit
pëlcasim.
Në prakun e çdo banese
ku ka ndoj shenj jetese
valon nga një flamur
melankolie të trishtueshme.

VUEJTJA

Ka do dit
që po shof fare mirë
se si nga vuejtja syt po më madhohen,
nepër ball dhe ftyrë rrudhat po më shtohen
e si buzqeshja m’asht e hidhun…
… dhe po ndij
se si mëngjeset e mia
nuk janë ma mëngjese hovi e pune,
as ndërtimi, por të shtymt dita më ditë
e një jete që s’durohet.
Dalngadalë po shof
si jeta një nga një
secilin ndjesi
me tradhti
po ma vulos
dhe s’po më mbetë asgja
që me u nda
si shej gëzimi,
përpara
nuk e dishe, ojetë,
se kaq i tmerrtë
asht grushti i yt
që mbyt
pa mëshirë.
Por kot
në pasqyrë po shof
se si nga vuejtja syt po më madhohen
nëpër ballë dhe në ftyrë rrudhat po më shtohen,
dhe shpejt do të bahem
flamur i vjetruem
i rreckuem
ndërluftat e jetës.

TË LINDET NJERIU

Të lindet një njeri
nga gjin’ i dheut tonë të rim me lot të vakët,
nga thalb’ i shpirtit tonë që shkrihet në dëshirë të flakët
për një gen të ri,
Të lindet një njeri!
Pa hyll në ball por që me fjalë të pushton,
që të rrëmben qetsin e ban gjakun të të vlojë rrkajë,
e ban synin ligshtin ta zhgjetojë,
që nëpër shekuj ndërgjegjen na tradhton.
Të dali një njeri!
Të mkambi një Kohë të Re!
Të krijojë një Epope!
Ndër lahuta tona të këndohet Jeta e Re…
Të gjithë kombet po dehen n’epopea të veta,
flakë e zjarrmit të tyne na i përzhiti ftyrat
dhe nëpër to një nga një po shtohen rrudhat,
e nën kambë e mbi krye tinzë po na ikjeta.
(Liri! – Po, liri dhe gaforrja gëzon,
por gaforre asht…
Liri, ku plogsi ndërgjegje gjallon,
jo, liri nuk asht!),
Të lindet një njeri
i madh si madhni
dhe ndërgjegjet tona t’i ndezi në dashni
për një ide të re, ideal bujar,
për një agim të lum e të drejtë kombtar.

KANGËT E PAKËNDUEME

Thellë në veten teme flejnë kangët e pakëndueme
të cilat ende vuejtja as gëzimi s’i nxori,
të cilat flejnë e presin një ditë ma të lumnueme
me shpërthye, m’u këndue pa frigë e pa zori.

Thelltë në veten teme kangët e mia jesin…
e unë jam vullkani që fle i fashitun,
por kur t’i vijë dita të gjitha ka me i qitun
në një mijë ngjyra të bukra që nuk vdesin.

Por a do të vijë dita kangët me u zgjue?
Apo ndoshta shekujt me ne prap po tallen?
Jo! Jo! Se liria filloi me lulzue
dhe e ndjej nga Dielli valën.

O kangët që fleni reliktet e mia
q’ende s’keni prekun as një zemër të huej,
vetëm unë me ju po kënaqem si fëmia
unë djepi juej; ndoshta vorri juej.

LUTJE

Të lutem, o perëndi,
për një simfoni
me tinguj t’argjantë
e akorde t’artë.

Të lutem, o perëndi,
për një simfoni
plot dashuni
të nxehtë si te vasha gjitë
kur vlojnë ndijesitë.

Të lutem, o perëndi
për një simfoni
të dëfrej në lumni
t’u u përkundë n’ani
të bukur t’andrrimeve
të kaltër, ku të fantazmëve
buzët më tërheqin zjarrtë
e më digjen syt e flaktë.

Të lutem, o perëndi,
për një simfoni
e kurr, e kurr ma mos të zgjohemi.

POEMA E MJERIMIT

Kafshatë që s’kapërdihet asht, or vlla, mjerimi,
kafshatë që të mbetë në fyt edhe të ze trishtimi
kur shef ftyra të zbeta edhe sy të jeshilta
që të shikojnë si hije dhe shtrijnë duert e mpita
edhe ashtu të shtrime mbrapa teje mbesin
të tanë jetën e vet derisa të vdesin.
E mbi ta n’ajri, si në qesëndi,
therin qiellën kryqat e minaret e ngurta,
profetënt dhe shejtënt në fushqeta të shumngjyrta shkëlqejnë.
E mjerimi mirfilli ndien tradhti.
Mjerimi ka vulën e vet të shëmtueme;
asht e neveritshme, e keqe, e turpshme;
balli që e ka, syt që e shprehin,
buzët që më kot mundohen ta mshefin
janë fëmitë e padijes e flitë e përbuzjes,
të mbetunat e flliqta rreth e përqark tryezës
mbi të cilën hangri darkën një qen e pamshirshëm
me bark shekulluer, gjithmon i pangishëm.
Mjerimi s’ka fat. Por ka vetëm zhele,
zhele fund e majë, flamujt e një shprese
të shkyme dhe të coptuem me të dalun bese.
Mjerimi tërbohet në dashuni epshore.
Nëpër skaje t’errta, bashkë me qej, mij, mica,
mbi pecat e mykta, të qelbta, të ndyta, të lagta
lakuriqen mishnat, si zhangë; të verdhë e pisa;
kapërthehen ndjenjat me fuqi shtazore,
kafshojnë, përpijnë, thithen, puthen buzët e ndragta
edhe shuhet uja, dhe fashitet etja
n’epshin kapërthyes, kur mbytet vetvetja.
Dhe aty zajnë fillin të marrët, shërbtorët dhe lypsat
që nesër do linden me na i mbushë rrugat.
Mjerimi në dritzën e synit te kërthini
dridhet posi flaka e mekun qirini
nën tavan të tymuem dhe plot merimanga,
ku hije njerzish dridhen ndër mure plot danga,
ku foshnja e smueme qan si shpirt’ i keq
tu’ ndukë gjitë e shterruna të së zezës amë,
e kjo prap shtazanë, mallkon zot e dreq,
mallkon frytn e vet, mallkon barrn e randë.
Foshnj’ e saj nuk qesh, por vetëm lëngon,
e ama s’e don, por vetëm mallkon.
Vall sa i trishtueshëm asht djepi i skamit
ku foshnjën përkundin lott edhe të fshamit!
Mjerimi rrit fëmin në hijen e shtëpive
të nalta, ku nuk mrrin zani i lypsis,
ku nuk mund t’u prishet qetsia zotnive
kur bashkë me zoja flejnë në shtretënt e lumnis.

Mjerimi pjek fëmin para se të burrnohet;
don ta msojë t’i iki grushtit q’i kërcnohet,
atij grusht që në gjumë e shtërngon për fytit
kur fillojnë kllapitë e etheve prej unit
dhe fytyrën e fëmis e mblon hij’ e vdekjes,
një stoli e kobshme në vend të buzqeshjes.
Një fryt kurse piqet dihet se ku shkon
qashtu edhe fëmia në bark të dheut mbaron.
Mjerimi punon, punon dit e natë
tu’ i vlue djersa në gjoks edhe në ballë,
tue u zhigatun deri në gjujë në baltë
e prap zorrët nga uja i bahen palë-palë.
Shpërblim qesharak! Për qindenjë afsh
në ditë vetëm: lekë tre-katër dhe “marsh!”.
Mjerimi kaiher’ i ka faqet e lustrueme,
buzët e pezmatueme, mollzat e ngjyrueme,
trupin përmendore e një tregtis së ndytë,
që asht i gjikuem të bijë në shtrat të vet i dytë;
dhe për at shërbim ka për të marrë do franga
ndër çarçafë, ndër fëtyra dhe në ndërgjegje danga.
Mjerimi gjithashtu len dhe në trashigim
jo veç nëpër banka dhe në gja të patundshme,
por eshtnat e shtrembta e në gjoks ndoj dhimbë,
mund që të len kujtim ditën e dikurshme
kur pullaz’ i shtëpis u shemb edhe ra
nga kalbsin’ e kohës, nga pesha e qiellit,
kur mbi gjithçka u ndi një i tmerrshmi za
plot mallkim dhe lutje si nga fund i ferrit,
ish zan’ i njeriut që vdiste nën tra.
Kështu nën kambë të randë të zotit t’egërsuem
thotë prifti vdes ai që çon jetë të dhunuem.
Dhe me këto kujtime, ksi lloj fatkeqësinash
mbushet got’ e helmit në trashigim brezninash.
Mjerimi ka motër ngushulluese gotën.
Në pijetore të qelbta, pranë tryezës plot zdrale
të neveritshme, shpirti me etje derdh gotën
në fyt për me harrue nandhetenand’ halle.
E gota e turbull, gota satanike
tu’ e ledhatue e pickon si gjarpni
dhe kur bie njeriu, si gruni nga drapni,
nën tryezë qan-qeshet në formë tragjikomike.
Të gjitha hallet skami në gotë i mbyt
kur njëqind i derdh një nga një në fyt.
Mjerimi ndez dëshirat si hyjet errsina
dhe bajnë tym si hejt q’i ban shkrum shkreptima.
Mjerimi s’ka gëzim, por ka vetëm dhimba,
dhimba paduruese që të bajnë të çmendesh,
që t’apin litarin të shkojsh fill’ e të varesh
ose bahe fli e mjerë e paragrafesh.
Mjerimi s’don mshirë. Por don vetëm të drejt!
Mshirë? Bijë bastardhe e etënve dinakë,
të cilt në mnyrë pompoze posi farisejt
i bijnë lodërtinës me ndjejt dhelparak
tu’ ia lëshue lypsiti një grosh të holl’ në shplakë.
Mjerimi asht një njollë e pashlyeme
në ballë të njerzimit që kalon nëpër shekuj.
Dhe kët njollë kurr nuk asht e mundshme
ta shlyejnë paçavrat që zunë myk ndër tempuj.

Recital i malesorit
KANGA E RINISË

Rini, thueja kangës ma të bukur që di!
Thueja kangës sate që të vlon në gji.
Nxirre gëzimin tand’ të shpërthejë me vrull…
Mos e freno kangën! Le të marri udhë.

Thueja kangës, rini, pash syt e tu…
Të rroki, të puthi kanga, të nxisi me dashnu
me zjarrm tand, rini… Dhe të na mbysi dallga
prej ndjenjash të shkumbzueme q’i turbullon kanga.

Rini, thueja kangës dhe qeshu si fëmi
Kumbi i zanit të përplaset për qiellë
dhe të kthejë prap te na, se hyjt ta kanë zili

e na të duem fort si të duem një diell.
Thueja kangës, Rini! Thueja kangës gëzimplote!
Qeshu, rini! Qeshu! Bota asht e jote.

TË BIJTË E SHEKULLIT TË RI

Na të birtë e shekullit të ri,
që plakun e lamë në “shejtnin” e tij
e çuem grushtin për me luftue
ndër lufta të reja
dhe me fitue…
Na të birtë e shekullit të ri,
filizat e një toke së rimun me lot,
ku djersë e ballit u dikonte kot
se dheu ynë qe kafshatë e huej
dhe në marrzi duhej shum shtrejtë t’u paguhej.
Na të birtë e shekullit të ri,
vllazën të lindun e të rritun në zi,
kur tinglloi çast’ i ynë i mbramë
edhe fatlumë
ditëm me thanë :
S’duem me humbë
në lojë të përgjaktë të historis njerzore,
jo! jo! s’i duem humbjet prore
duem ngadhnim!
ngadhnim, ndërgjegje dhe mendimi të lirë!
S’duem, për hir
të kalbsinave të vjetra, që kërkojnë “shejtnim”,
të zhytemi prap në pellgun e mjerimit
që të vajtojmë prap kangën e trishtimit,
kangën monotone, pa shpirt, të sklavnis
të jem’ një thumb i ngulun ndër trutë e njerzis.
Na të birtë e shekullit të ri,
me hovin ton e të ndezun peshë,
ndër lufta të reja kemi m’u ndeshë
dhe për fitore kem’ me ra fli.

ZGJIMI

O vullnete të ndrydhuna ndër grushta të çelikta të shekujve
të kaluem!
O vullnete të shtypuna me themra të ngurta të titajve
të tërbuem!
Të cilët n’udhë për në theqafje këtejpari i ranë
dhe vatrat tona në mjerim i përlanë…
O vullnete të ndrydhura!
O vullnete të shtypuna!
Shkundni prangat të mbrapshta! E me britmë ngadhnyese,
me hove viganash, dëshirash flatruese,
turniu në të gjitha anët dhe poshtë në dhè zbritni
ndosht’ aty keni për të gjetë fillin e një hymni,
që Illyri e vjetër ndër kremtime këndonte,
ndërsa zemra e kombit në liri kumbonte.
O vullnete të ndrydhuna!
O vullnete të shtypuna!
Tash shëgjetat e flakta të shprehjes suej zharitse
drejtoni kah qiella në ball të hyut a të dreqit,
i cili fatin tonë mbytte në mnijë të vet përpise
a dijë se të Birt’ e Shqipes folen ia ngrehën vetvetit.

LAGJA E VARFUN

Krahët e zez të një nate pa fund
e varrosën lagjen pranë,
dritë, jetë, gjallsi askund,
vetëm errsinë e skam.

U harrue jeta e ditës
ndër shtresat e natës, e pagja
u derdh nga parzm’ e errsinës…
n’andrra përkundet lagja.

Njerzit ndër shtëpia flejnë
me gjoksa të lakurtë e të thatë
e gratë… fëmi po u lejnë
pa ushqim në gji, pa fat,

Pushojnë gjymtyrt e shkallmueme
në punën e ditës së kalueme,
shërohen trutë e helmueme
në gjumin e natës s’adhrueme.

Veç zemrat e njerzve të lanun
me të rektunt prralla rrfejnë:
mbi barrat e jetës së namun
që shpirt dhe korriz thejnë.

Prralla mbi fëmij rrugaça
barkjashtë e me hundë të ndyta,
që dorë shtrijnë me vjedhë, me lypë
e ngihen me fjalë të ndyta.

Prralla mbi varza të fyeme
me faqe e me buzë të thithna.
Prralla mbi djelm, me të thyeme
shprese, në burg me duer të lidhna,

të cilt nesër para gjyqit
për delikt do të përgjegjin,
vetëm dreqit e hyllit
të gjith fajet tash ua mbshtesin.

Kështu lagj’ e varfun pëshpritë
dhe errsinës hallet tregon.
Një gjel i undshëm, me dritë
të hanës i rrejtun, këndon.

Hesht! or gjel kryengritës,
i lagjës së varfun. Këtu
nuk zbardh për ty drita e dritës.
i gjikuem je me ngordhë n’u.

BLASFEMI

Notojnë xhamiat dhe kishat nëpër kujtime tona,
e lutjet pa kuptim e shije përplasen për muret e tyne
dhe nga këto lutje zemra zotit ende s’iu thye,
por vazhdoi të rrahi ndër lodra dhe kumbona.

Xhamiat dhe kishat madhshtore ndër vende të mjerueme…
Kumbonaret dhe minaret e nalta mbi shtëpia tona përdhecke…
Zani i hoxhës dhe i priftit në një kangë të degjenerueme…
O pikturë ideale, e vjetër një mijë vjeçe!

Notojnë xhamiat dhe kishat nëpër kujtime të fetarve.
Tingujt e kumbonës ngatrrohen me zanin e kasnecit,
Shkëlqen shejtnia mbi zhguna dhe ndër mjekra të hoxhallarve
O, sa engjuj të bukur përpara derës së ferrit!

Mbi kështjellat mijvjeçare qëndrojnë sorrat e smueme,
krahët i kanë varë pa shpresë simbojt e shpresave të humbune
me klithma të dëshprueme bajnë fjalë mbi jetë të pëmdueme,
kur kështjellat mijvjeçare si xhixha shkëlqejshin të lumtuna.

MELODI E KËPUTUN

Melodi e këputun
lot i kjartë nga syni
i një grues së dashun…
andje e përplasun,
xhevahir i tretun,
një andërr e shkelun,
buzë e paputhun
në melodin e këputun.
Nga vaji i heshtun
shkunden supat e zhveshun,
verbojnë nga zbardhimi…
e ther, ther hidhnimi
për çasteet e rrëshqitun,
për fatin e ikun,
për gëzimin e humbun
në melodin e këputun.
Brrylat ndër gjujë të mpshtetun,
ftyrë në shplakë e fundosun:
Qan grueja e pikllueme
me zemër të piskueme
(një kitarë e gjymtun,
za kange i mbytun
në buzë nga dhimb’ e puthun
në melodin e këputun).
Hesht njeriu pran grues
që qan e turpnueme…
syni i venitet
në të loti vërvitet,
diçka nxjerr nga xhepi
grues ia lë dhe së shpejti
e len gruen e humbun
në melodin e këputun.
Por kur vjen ndoj tjetër,
epshi kapërthehet,
gjaqet turbullohen,
përzihen, përvlohen,
çohen peshë, tërbohen
… e vetëm ndëgjohen
ahtët e molisun
në melodin e grisun.

VJESHTA NË PARAKALIM

Vjeshtë në natyrë dhe vjeshtë ndër ftyra tona,
Afshon erë e mekun, lëngon i zymtë dielli,
lëngon shpirt’ i smum ndër krahnore tona,
dridhet jet’ e vyshkun ndër gemba të një plepi.

Ngjyrët e verdha lozin në vallen e fundme
(dëshirë e marrë e gjethve që një nga një vdesin!)
Gëzimet, andjet tona, dëshirat e fundme
nëpër balta të vjeshtës një nga një po shkelin.

Një lis pasqyrohet në lotin e qiellit,
tundet dhe përgjaket në pasion të viganit:
“Jetë! Jetë unë due!” – e frymë merr prej fellit,
si stuhi shkyn ajrin… por në fund ia nis vajit.

Dhe m’at vaj bashkohet horizont’ i mbytun
në mjegull përpise. Pemët degët e lagun
me vaj i mshtjellin në lutje por kot! e dinë, të fikun,
se nesër do vdesin… Vall! A ka shpëtim ndokund?!

Mallëngjehet syni, mallëngjehet zemra
n’orën e vorresës, kur heshtin damaret,
e vorri inaltohet nën qiella ma t’epra
me klithëm dëshprimi që në dhimbë të madhe zvarret.

Vjeshtë në natyrë dhe vjeshtë ndër ftyra tona.
Rënkoni dëshirat fëmitë e jetës së vafun;
rënkoni në zije, qani mbi kufoma,
që stolisin vjeshtën nëpër gemba të thamun.

Z. B.

Buzmramja u dridhte ndër afshet e mbramë
të diellit përndimuer
me kuqlim e tisa purpuer,
me kaltrina të kullueta në qiellë e në sy tand.
ku në fund u pasqyronte një dashni e lume
si vegimet e fatbardhsis në lima,
mbi të cilin tërthuer fluturon një pëllumb
dhe gëzime të pamatna gugon pa pra.
Zojushë, q’at buzmramje
unë andrroj me andje
dhe me një dashni të pastër
ata dy sy tuej të kaltër,
që m’u falnë letë
me një shikim diskret.

NJË NATË

Grue a hyjneshë, e mbështjellun n’errsi të natës,
zbriti nga sfera të panjoftuna ndër odat e mia
dhe u shtrue një fllad, një e kandshme ndjesi,
një heshtje parathanse zemrën don të ma përpijë,
vetëm që ora këndon kangën e thjeshtë të natës
-jo -jo! dhe diku larg dëgjohen tingujt e kangës
Grue a hyjneshë m’erdhi nga gjin’ i errsinës…
Që! frymën ia ndjej dhe zemrën që rreh prej fellsinës.
Buzët e njoma të saj,
Syt e zez e të mdhaj
me hamnoni vijash të bindshme
premtojnë një dashni të hijshme
(ashtu dhe akordi i heshtjes
frytin e ambël të marrveshtjes).
Dhe njëmend! At natë vallzuen ndjesit e jona
më një valle dëfryese, pa marrun frymë…

MBAS TRYEZËS

Kështu ne të rinjve na kalon nata:
Pranë tryezës meremer-falso, me gotë të plotë a boshe,
me kujdes të madh ndejun (si e lyp dans-edukata),
të ngrehun, të ngrimë, të stolisun
e ftyrash të qindisun
me pudër, karmin… jo? por me përshtypje të mirë
që na e sjell zojusha e bukur dhe me hir
tu’ na buzqeshë ambël, buzësh të kuqe si gjaku,
nsa gjit’ i majen, dridhen ftyra kuqet, zbehet…
e në secilin prej nesh në fund ka një shpresë këndedhet
dhe na shtrëngon laku…
Qashtu ndejë, tu’ e vrejtun, çojmë biseda të ndryshme
serioze, t’urta, por ma shpesh të dyshueshme,
me gjuhë të bukur, të zgjedhun, mbi ngjarje të ra flasim
e prej një dëshirës pa mshirë të gjithë pëlsasim.
Ngushllim! se zonjusha na i din mirë hallet,
prandej aq me andje, bukur, kërcen vallet.
Tonet muzikore derdhen, rrkaj derdhen,
lëmojnë ata që në valle sjellen, në hare sjellen,
lëmojnë tryezën, gotat, veshjet tona, ndjenjat
e fantazis sonë, i hapen ylber velat…
Por befas, të njëjones së panjoftun tingllimi,
së cilës asht te hyu i bukuris trillimi,
krahnorët n’i përkdheli dhe n’i piskoi zemrat,
gjatë korrizit të thenët zbresin fill te themr;
Qashtu vuejmë, dëfrejmë…
Jetën adhurojmë,
nsa drita shkëlqejnë
zojushën shikojmë
dhe n’andrrim vallzojmë…
Rishtas, me plot dashje, vallet ndiqen, ndiqen
Vash e djalë përputhen
mbrend dy zemra digjen,
por me u puthë nuk puthen!

HIDHET E PËRHIDHET

Hidhet e përhidhet në shtregullën e fatit
djalosh’ i Arbënis.
Hidhet e përhidhet në pëmdim mbrapa malit
me hovin e rinis
zogu i liris!
Në shtregullën e fatit, ndër këto fluturime
ma shpejt i rreh zemra edhe merr drithtime
se qiellat e hueja premtojnë gëzime t’ambla
nepër shkalla të hueja, nën të ngjyrta llamba
premtojnë hyjnizimin në vallen e dëfrimit;
femën-mashkull rrokun si dy vetë që mbyten
kin për të mbramen herë qindenjë herë puthen
e mbrenda krahnorit gati të pëlsasë zemra,
nsa majet e këpucve shkarravisin germa
të tanë natën e lume deri në të lem t’agimit.
Për njenin ky gëzim, për tjetrin gëzim tjetër…
ndoshta vllime librash, atom ose kompas
fund’ i fundit shkundet ai djalosh i vjetër
nga melankolia fillon të vuejë pa masë.
Dh’ atëherë nalmadhnia e tij mbret Dyshimi
futet në zemër, në tru, në jetën e të riut
mfshehtas fillon lojën tinzake, si krymbi
në thalbin e mollës… e syni i të riut
merr hijen e vendit, hijen e një murit
mbrapa të cilit rrahin zemrat e makinat
m’i krijue jetë të tjetër, njeriun e gurit…
… po, një ringjallje mbi të vjetra kalbsinat.
Syn’ i të riut muer hijen e atij murit.
Hidhet e përhidhet
zogu i liris,
por dhe bjen ku lidhet djalosh’ i Arbënis.

NDESHJA

O grue, që të ndesha në ditn e fatkobit tem,
kur prirja njellte e syt shikojshin zi
e ndjejshe veten se dhe unë jam fli
të një ndjesi si ti.

O grue, q’u ndeshme ditnë e fatkobit tonë
zemër për zemër edhe ball për ball
e ndjesitë n’u shprehën me mall
më një vall’:sahall…

Dhe kështu në rrugë të madhe e shitme zemrën tonë,
njerzve që vetëm një të përqeshun dhanë për të
e shkuen të kënaqun e tu’ u gëzue pse
panë mfshehsinat intime të kësaj jetesës sonë.

E na, dhe një dhimbë të sinqertë tue ndijë,
vuejshim me zemër të ndrydhun si dy fëmijë
të humbun ndër vise të hueja natën, vonë,
o grue, q’u ndeshme në ditn e fatkobit tonë.

SONET PRANVERUER

Me kangë në buzë e me hove të reja
u zgjue agimi pranveruer,
largësinat e hjedhta ka zatetë hareja,
n’argjent shkëlqejnë brigjet tërthuer.

Me kangë në buzë u zgjue agimi
dhe ia këndoi kangën diellit t’ art
rrezash purpure dhe jetëdhurimi
me kaltrinat e thellta në qiellë të kjartë.

Me manushaqe në buzë e me andje në zemra
vajzat si biluri ndër kopshtie të gjelbra
dihasin aromat, që lulzimi derdhi,

me gji të paprekun, ku dashnia sosë
me fletza trandafilesh që flladi sjelli
dhe adhrojnë pranverën me një apoteozë.

DY BUZË

Dy buzë të kuqe,
dy dëshira të flakta,
që afshin ma thithën,
gëzimin ma fikën,
si fantazma ikën
ndër do bota të larta…
Dy buzë të përgjakta,
dy dëshira të flakta,
që afshin ma thithen
në buzë kur m’u njitën
andjet m’i trazuen,
zemrën ma tërbuen,
trunin ma helmuen
e në fund u mërguen…
Dy buzë të kuqe,
bukuri fatale,
të një grueje stërzane
një pranverë të tanë më mormë
një pjesë zemre më nxormë,
dhe gëzimin ma vodhnë…
Ato dy buzë të kuqe
dhe dy lotë të mia
qenë shenjat e dhimbjes
kur më vrau bukuria,
kur më zu dashunia
e më dogji rinia.

EKSTAZA PRANVERORE

…dhe pranvera erdhi…
Nëpër ftyra tona rrëshqiti nji gëzim
dhe ndër zemra tona ngrehi një fole,
e një jetë e bukur, e një jetë e re,
me dëshira të shumta po buzqesh në lulzim.
…dhe dallndysha erdhi…
si shpirti n’ekstazë, në hovin e shejt shtri;
me qiellën rroket, me diellin puthet,
dridhen krahët në hare mandej poshtë vërsulet
t’u dhurue në cicrim përshndetje një mijë.
…triumfon bylbyli…
kangëtar plot magji në gemb të trandafiles,
në një tempo të marrë përkdheljet po shfre
e kanga kumbuese, kang’ e tij pa fre,
asht si kangë Orfeji ndër telat e lyrës.
…dhe vesa shkëlqen…
në një pikë t’argjant pasqyrohet jeta
tërheqse si andrra dhe si vijzatimi
ndër orët e hyjzimit, kur shpërthen agimi
e rrezet e arta rrëshqasin ndër fleta.
… dhe pranvera erdhi…
Nëpër ftyra tona rrëshqiti një gëzim
dhe ndër zemra tona ngrehi një fole
e një jetë e bukur, e një jetë e re
me dëshira të shumta po buzqesh në lulzim.

SHPIRTËNT SHTEGTARË

Mbramë një erë e ftohtë acar fryni nga ana e maleve,
i shkundi shpirtënt tonë bashkë me gjethe të kësaj vjeshte
i mori andej kah dielli hijen si të pergjakët ua lëshon zalleve
në Përndim, ku shtret e shkimet dita në pamundsinë e vet
Enden shpirtënt tonë nëpër vise të Përdimit të mrekullueshëm,
bajnë të fala dhe me thanë vendeve të shuguruem
e të përitnme ndër fluide të hekunt të zjarrmit adhurueshëm
e me një kredo gëzojnë qiellën me çagje e të tymuem
në cilën, diku në skaj merimanga fatin tregon
vetes dhe njerzis poshtë, që damarët i rrahin
(si të rrahunt trompete në vorrëzë) ndërsa tue qa, kumbon
e thrret kumbon’ e fabnikës, i njëmijti fishkëllim si një fsham
shkyn ajrin
Shpirtënt tonë me një dashni tragjike ato vise i duejnë.
n’eter të kulluet u bajnë fli ndjenjat e veta ma të holla
E të nesërmen fatale kundrojmë një horizont me njolla
shtegtare të mërguem. shpirtënt tonë n’origjinë po kthejnë.

KANGA E PERNDIMIT

Kangë Përndimi, kangë njeriu të dehun nga besimi në vete
Kanga e tij një fè tjetër, me tempuj të tjerë, me meshë solemne,
ku prej mëngjesit deri në mbramje shkrihen ndjesitë njerzore
n’apoteozën e hekurit; shpirtënt përshkohen në tymore,

të cilat në fishkllim i përqeshen zotit të vjetër edhe qiellit
e me re të ndyt’ tymi të dendun ndriçimin ia vrasin diellit.
Fe tjetër, fe e çmendun e Përndimit të mrekullueshëm…
ekzaltuem shklet njeriu në delirium të pakuptueshëm.

Dëgjon zanin q’i thotë feja. Plagos qiellën, e shpon tokën,
i shkyn horizontet e bardhë, zhvesh natyrën, ia heq kotllën.
Kult’ i tij kult i zhveshun! Nuk ia bren ma trutë enigmi
e varros, mbi varr ia vë një shej përbuzje o nderimi.

Kangë Pëmdimi, kangë njeriu të dehun nga besimi në vete
Kanga e tij shpres’ e bukur, me flatra të një tjetër jete
në të cilën dielli do ndrrojë udhën: ka për t’u lindë nga Përndimi
por deh! nga lumnia tash humb kokën rruzullimi.

Me një “tango” qejfi tash ia ngatrron fijet zotit të vjetër
ka me ia skandalizue të birtë besnikë në planetë të tjetër,
Kanga Përndimi, kangë njeriu të dehun nga besimi në vete…
Le të dëgjojmë kangën që mshtillet në shllung’ avulli në pika djerse.

REZIGNATA

Na shprehun të ngushlluem gjetme në vaj…
Mjerimet i mormë në pajë
Me jetë… se kjo botë mbarë
ndër gji t’Univerzumit asht një varrë,
ku qenia e dënueme shkrrahet rrshanë
me vullnet të ndrydhun në grusht të një vigani.
Një sy i stolisun me lot të kulluet së dhimbes së thellë
ndrit nga skaji i mjerimit,
e kaiherë një refleks i një mendimit të hjedhtë
veton rreth rruzullimit
shfrimin me gjetë mnis së vet të mnerëtë…
Por kreu varet, syn’ i trishtuem, mbyllet
e nga qerpiku një lot i kjart’ shtyhet
rrokulliset nga ftyra, bie në tokë e thrrimet,
e ndër thrrimet e vogla të lotit ka një njeri lindet
Secili prej tyne n’udhë të fatit të vet niset
me shpresë në ngadhnim ma të vogël, përshkon të gjitha viset
kah rrugët janë të shtrueme me ferra e rreth të cilave shifen
vorret të shpëlamë me lotë e të marrët që zgërdhihen.

KANGA E DHIMBËS KRENARE

O dhimbë krenare e shpirtit që vuen
dhe shpërthen ndër vargjet e lira…
A deshte, vall, për t’u ngushlluem
tu’ e stolisë botën me xhevahira?

O dhimbë krenare ndër vargjet e lira,
që kumbojnë me tinguj të sinqertë…
Vall, a do të prekish kënd ndër ndijesina?
Apo do vdesish si vdes gjethi në vjeshtë?

O kangë e dejë e dhimbës krenare…
Mos pusho kurr! Por bashkë me vaje,
si dy binjakë këndoni mjerimin
se koha do t’ju bijë ngushllimin.

KANGA E TË BURGOSUNIT

Nëpër hekra të kryqzuem të dritores seme
shof qiellën të coptueme në katërdhetë copë
edhe shof diellin sa një pare serme
aq larg asht qielli nga e emja gropë.

E kjo gropë e eme e ka emrin burg.
E dini se burgu nuk asht për dëfrim.
Prandaj burg’ i em asht shum i ultë
dhe më bani palmuç dhe më mbyti në trishtim.

Hekrat e kryqzuem dhe ndërgjegj’ e eme,
dy anmiq të betuem, luftojnë dit’ e natë;
por hekr’ i fortë e mund ndërgjegjen teme
dhe në dëshprim përplasem si një qen i ngratë.

E kur nata vjen dhe xhixhillojnë hyjt
gëzohem fort, se hekrat nuk m’i kryqzojnë syt’,
por t’u sjellmen mbrapa shof dritën e smutë
edhe hijën teme tu’ u zgjatë në murt

si një kërcnim ligji, posi një dajak.
Dhe atëher tërbohem dhe urrej pa masë
dritën, hijën, vetën, muret edhe hekrat
edhe e ndjej vetën lua të ndryem në kafas.

Nëpër hekra të kryqzuem të dritores seme
shof qiellën të coptueme në katërdhetë copë
dhe zemra e eme ndien po aq të breme
në mes të katër murve si në një gropë.

BALADË QYTETËSE

Mbramë
qiella dhe hyjt e vramë
një ngjarje të trishtueme panë:
Hije… jo! por një grue
me ftyrë të zbetë edhe me sy
të zez si jeta e saj,
me buzën të vyshkuna në vaj,
me plagë në gjoks e stolisun
me veshje dhe me shpirt të grisun,
me hije grueje,
një kens këso bote,
një fantom uje
vallzonte valle në rrugë të madhe.
Dy hapa para, dy hapa mbrapa
me kambë të zbathun,
me zemër të plasun.
Dy hapa djathtas, dy hapa majtas,
me flokë të thime,
me ndjesi të ngrime.
(Dikur,
kur gjit’ e saj me kreni
shpërtheheshin n’aromë,
kur ish e njomë
atëherë e dashunojshin shum zotni.
E sot?)
Jeta e saj asht kjo vall’ e çmendun
në rrugat e qytetit tonë,
një jetën e fikun, një jetë e shterun,
shpin i molisun, zemër e therun,
një za vorri, një jehonë
që vallzon natën vonë
nëpër rrugat e qyteti tonë.


Dy fjalë mbi autorin*

Millosh Gjergj Nikolla i njohur më shumë përmes nofkës Migjeni (Shkodër, 13 tetor 1911 – Torre Pellice, 26 gusht 1938) ka qenë poet dhe prozator i shquar shqiptar i viteve 1930. Migjeni konsiderohet si një ndër shkrimtarët më të lexuar e më të rëndësishëm të letërsisë shqipe të shekullit të 20-të. Për epokën ishte një zë krejtësisht novator nga brendia dhe forma dhe ndikimi mbi letërsinë shqipe të kohës ishte i madh.

Konsiderohet që Migjeni kaloi nga një romantizëm revolucionar në realizëm kritik gjatë jetës së tij. Ai trajtoi varfërinë e viteve kur jetoi, me krijime të tij si “Bukën tonë të përditshme falna sot”, “Bukuria që vret”, “Mollë e ndalueme”, “Legjenda e misrit”, “A don qymyr zotni?”, etj. fshikulloi ashpër indiferentizmin e klasave të kamura ndaj vuajtjeve të popullit.

Një shtysë te posaçme mori përhapja e krijimtarisë se tij pas Luftës së Dytë Botërore, kur regjimi komunist mori përsipër botimin e plotë të veprave, të cilat në vitet 1930 kishin qenë pjesërisht të pabotuara.

Prejardhja

Gjyshi, Nikolla (v. 1876) nga Reka e Dibrës (shqiptar sipas Lekosavës, vajza e axhës e Migjenit) shkoi në Podgoricë ku ushtronte zanate ndërtimi dhe mbiquhej Nikollë Dibrani. Në Podgoricë u njoh me Stanka Stanishtin, ortodokse malazeze, pasi u pëlqyen, e grabiti dhe u vendosën në Shkodër. U bënë me dy djem: Kriston/Kërston dhe Gjergjin/Gjokon (1872-1924). Sipas Pipës, familja e tij ishte me origjinë sllave.

Gjergji më 17 shtator 1900 u martua me Sofinë e Anastas Kokoshit. Më 1910 Gjergji zuri një ushqimore dhe dhjetë vjet më vonë, kur vdiq baxhanaku Ilia Trimçev, mori ëmbëltoren e tij, të cilën e mbajti gjersa vdiq, më 21 mars 1924, në moshën pesëdhjetë e dy vjeç. Qe përfaqësues i komunitetit ortodoks në Kongresin e Beratit, ku u shpall Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë nga Fan Noli.

Në këtë dyqan e ndihmoi fëmija i parë i shtëpisë, Nikolla, që pati lindur më 30 tetor 1901 dhe vdiq një mot pas t’et nga pleuriti. E ëma vdiq që në 1916 duke lënë gjashtë fëmijë (dy djem e katër vajza). E ëma ish edukuar në seminarin katolik të Shkodrës, të drejtuar nga murgesha italiane. E dërrmuar nga këto fatkeqsira që e pllakosën njëra pas tjetrës, vdiq më 1926 edhe gjyshja tetëdhjetëvjeçare. Ndër gjashtë fëmijët, Milloshi dhe e motra më e vogël, Ollga, u shkolluan në shkollën fillore serbe në Shkodër.

Shtëpia ku lindi Migjeni ishte e ndërtuar në oborrin e shtëpisë së Trimçeve, shtëpi ku u bë Muzeu i Migjenit nga viti 1961 deri në vitin 1993.

Biografia

Mirkoja – siç e thërritnin Milloshin të vogël – u lind më 30 shtator 1911 sipas kalendarit julian, që i bie 13 tetor 1911 me kalendarin gregorian. Arsimin fillor e mori në qytetin e lindjes në një shkollë serbo-ortodokse dhe nga 1923 deri më 1925 u shkollua në Tivar ku ndoqi gjimnazin e ultë po në serbisht. Daja, Jovan Kokosheviqi, i nxorri bursë për në gjimnazin e Manastirit, ku kreu dy vitet e fundit të semimaturës më 1925/26 dhe 1926/27. Më pas fitoi të drejtën e studimit shkollim fetar dhe u regjistrua në seminarin ortodoks “Shën Gjon Teologu”. Në diplomën e lëshuar prej drejtorisë së shkollës më 18 qershor 1932, cilësohet “bir i Gjergjit, tregtar“. Me atë “Dëftesë Pjekurie” e përcaktonte për detyra klerikale.

Me dëftesën e pjekurisë në xhep, Milloshi u nis më 22 qershor 1932 nga Manastiri për në Tivar, tek e motra, Lenka. Një vit qëndroi pa punë, më pas në vitet 1933-1935 punoi si mësues filloreje në Vrakë kur u sëmur ose iu përkeqësua tuberkulozi. Vitin arsimor 1935-36 kthehet dhe shërben në Shkodër; vitin pasardhës kërkoi që ta transferonin në Pukë – ku përfitoi edhe për shëndet, ndërsa dimrit kthente në Shkodër. Në Pukë i përkeqësohet shëndeti, e zë hemoftiza dhe më 22 dhjetor 1937 shkoi në Torino, ku shpresonte të studionte për letërsi pasi të kurohej. Pas një operacioni të pasuksesshëm në spitalin Valdensian të Torre Peliçes, ndërroi jetë më 26 gusht 1938.

Migjeni kishte bindje të përparuara për kohën e tij, me të cilat filloi të brumoset që në bankat e shkollës nën ndikimin e veprave të autorëve përparimtarë. Punën si shkrimtar e nisi kur në letërsinë shqiptare po forcohej rryma demokratike me shkrimet e tij realiste, thellësisht novatore nga brendia dhe forma, dha ndihmë të madhe në zhvillimin e saj të mëtejshëm.

Në themel të veprimtarisë së Migjenit qëndron aspirata për një botë të re, ku njerëzit e thjeshtë të jetojnë të lirë dhe të lumtur me dinjitet njerëzor dhe pa frikë për të nesërmen. Ky humanizëm aktiv përshkon tej e ndan veprën e tij. Në poezitë e para, si “Zgjimi”, “Të birt’ e shekullit të ri”, “Shkëndija”, “Shpirtënit shtegtarë”, etj. pakënaqësia e thellë ndaj realitetit çifligaro-borgjez dhe ëndrra e autorit për një të ardhme të bukur u shpreh me figura të gjalla romantike. Poeti u ngrit kundër amullisë shoqërore dhe forcave që mbanin vendin në errësirë (“kalbësinave që kërkojnë shejtnim”). Kritika e rreptë e gjendjes së rëndë të vendit u gërshetua në këto vepra me dëshirën e zjarrtë për “një agim të lum e të drejtë kombëtar”, me grishjen për të luftuar për ditë më të bukura. Për zhvillimin e Migjenit si shkrimtar është karakteristik kalimi i tij i shpejtë nga romantizmi revolucionar në realizmin kritik.

Pasqyrimi i varfërisë së thellë të masave zë vend qendror në botimet e Migjenit për shkrimtarin kishte rëndësi të madhe shoqërore që të dilte në dritë sa më qartë humnera e vuajtjeve, ku e kishte hedhur popullin regjimi reaksionar. Heronjtë e veprave të tij më të mira (“Bukën tonë të përditshme falna sot”, “Bukuria që vret”, “Mollë e ndalueme”, “Legjenda e misrit”, “A don qymyr zotni?”, etj.) ishin të papunë që rropateshin gjithë ditën për të nxjerrë kafshatën e gojës, malësorë që qëndronin në zgrip të jetës, të mjerë që nuk u kishte ecur në jetë dhe ishin flakur jashtë shoqërisë. Në “Poemën e mjerimit”, veprën e tij më të shquar, Migjeni përshkroi në tablo të gjallë dhe rrëqethëse të gëlltitjes së vështirë të masave të shtypura dhe të shfrytëzuara, të venitjes së tyre fizike nën grushtin e mjerimit, që sundonte në vend dhe mbrohej nga monarkia çifligaro-borgjeze. Në një varg shkrimesh, si “Zoti të dhashtë” etj., Migjeni fshikulloi ashpër indiferentizmin e klasave të kamura ndaj vuajtjeve që hiqte populli. Shtresat e privilegjuara Migjeni i pasqyroi kryesisht në jetën e tyre vetjake, ai tregoi moralin hipokrit dhe despotizmin që karakterizonte marrëdhëniet e tyre familjare (“Të çelen arkapijat”, “Studenti në shtëpi”). Në “Studenti në shtëpi” vuri në lojë inteligjencien borgjeze, si forcë e paaftë për të luftuar për ideale të larta. Migjeni goditi haptazi dhe me forcë artin dhe shtypin zyrtar (“Kanga skandaloze”, “Programi i një reviste”, “Novelë mbi krizën” etj.) Skamorët, të cilët i urrenin shtypësit, por ende nuk guxonin të ngriheshin kundër tyre, Migjeni i pasqyroi me simpati të thellë. Në skicat “Luli i vocërr” dhe sidomos te “Zeneli”, shkrimtari vuri në dukje aftësitë intelektuale të masave dhe dëshirën e zjarrtë për ndryshime në gjendjen e tyre shoqërore. Shkrimtari tregoi edhe shfaqjet, sado të zbehta të protestës së tyre ndaj padrejtësisë shoqërore (“Mollë e ndalueme”). Rrëfimi i thjeshtë dhe konciz, imtësitë, që zbulojnë thelbin e dukurisë, fryma polemike, psikologjizmi i hollë, prirja për t’i dhënë personazhet me disa viza, figurat poetike shprehëse, ironia – këto janë veçoritë kryesore të stilit të Migjenit. Shkrimet e tija lanë gjurmë të dukshme në letrarët e rinj të kohës.

Me mohimin e shoqërisë çifligaro-borgjeze dhe aspiratën e fortë për një të ardhme më të mirë për masat e popullit, Migjeni pati ndikim të ndjeshëm në rrethet e rinisë përparimtare; me veprat e tij ndihmoi në formimin shpirtëror të saj. Këtë rol ato e luajtën edhe në vitet e qëndresës kundër pushtuesit fashist, kur qarkullonin dorë më dorë.

Pas Çlirimit trashëgimi letrar i Migjenit u bë i njohur plotësisht. (“Veprat” e plota të Migjenit janë botuar tre herë: 1954, 1957, 1961, kanë dalë edhe një varg botimesh të tipave të ndryshëm). Shkrimet poetike dhe në prozë të Migjenit janë përkthyer në disa gjuhë të huaja. Për jetën dhe shkrimet e tija janë botuar studime e artikuj të shumtë.

Me interesimin e Republikës Popullore të Shqipërisë eshtrat e Migjenit u sollën në atdhe në 1956. Iu dha titulli “Mësues i Popullit” post-mortem në vitin 1957.

* Marrë nga Wikipedia.

2 thoughts on “MIGJENI – RECITAL I MALËSORIT (cikël me poezi)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!