PETRO MARKO – MUNGESA E LIRISË (poezi)
PETRO MARKO
MUNGESA E LIRISË (poezi)
Ti ishe
Një mëngjes i freskët
Që lëshonte
Tinguj të kthjellët.
Dhe ishe një kopsht i derdhur,
Zot sa i derdhur,
Me erë e me ngjyrë
Mbytje çdo gjë përreth.
Nga duart, nga yjet,
Si nga një libër i hapur,
Mund të parathoshe çdo gjë
Si fatthënë e rysur që ishe.
Po jepeshe lehtë
Si një kafshë
E lodhur nga ndjekjet,
Se në flokë,
Në ballë,
Në sy,
Kudo,
Të vihej re
Mungesa e lirisë.