Pjetër Gjini – Drandofilli i yt (poezi)
Pjetër Gjini
(1910 – 1988)
Drandofilli i yt
Nji dit’ qindroi ndër duer të mija,
U veshk, u thá, mbaroi për jetë,
Mbaroi e vdiq si dashunija,
Që përjetësi nuk mujt me gjetë.
Rroi nji dit’ vetëm drandofilli,
Aq sa jetoi dashnija e jonë,
Të dyja qén’ si vesa n’dielli,
Që ndrit’ por tretet përgjithmonë.
Nji lule u thá, pranverë e bjerrun,
Nji dit’ gjallni, nji jet’ dëshirë,
Nji ag rinije xên m’u errun
Edhe pa ndrit’ mal-brezi mirë.
Nji djelmëní që i soset shpresa,
Që dridhet, fshânë e prore vuen,
Nji zêmër t’ré e mbyt’ dënesa
Për sa ândrrime që mbaruen.
…Me sa dashni at lule m’fale??
Dashni plot zjarr si ngjyra e saj,
Si gjaku i rí që s’din t’i ndale
Dëshir e shprehje n’gaz e vaj!…
Më the: “Asht lulja që lidh motet
E ândrrës son’ në përjetsi!”
Dhe në gjij t’lules riguen lotët
E synit t’and gjith pafajsi!…
Por… në kët bot’ gjithçka u shueka
– Der shekujt çaste dijn’ me u ba, –
E zêmra e nierit shumë durueka,
Mâ shum se’ i gur që gjak nuk ka!…
Tash netve t’gjata lodh’ vetmije,
Kujtoj nji lule thá për jetë,
Lotoj at shprehje dashunije,
Që veç nji andërr sod ka mbetë.
Revista “Shkëndija”, 1940