JOLANDA LILA – 1 QERSHORI I HARRUAR PËR SAMI FRASHËRIN
JOLANDA LILA
1 QERSHORI I HARRUAR PËR SAMI FRASHËRIN
Sami Frashëri ishte poligloti, shkencëtari, mendimtari enciklopedist, që dha një ndihmesë të vyer, jo vetëm për kulturën shqiptare, por edhe atë turke. I njohur gjerësisht për botën si Shemsedin Sami, ai shkroi rreth 50 vepra në disa zhanre, si: studime shkencore, shkrime letrare e historike, si dhe publicistikë. Në vijim, po përcjellim disa fakte që shpalosin profilin e tij krijues dhe veçanërisht do të ndalemi në rolin që luajti në gazetarinë turke të viteve të tetëdhjeta e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, meqenëse kjo veprimtari e tij ka mbetur në hije në raport me të tjerat, ku ai u angazhua.
169 vjet më parë, në 1 qershorin e vitit 1850, lindi Sami Frashëri. Ndonëse jetoi vetëm 54 vjet, ai shkroi rreth 50 vepra, disa prej tyre shumëvëllimëshe, ndërsa publikoi qindra artikuj në shtypin e kohës në Turqi e më gjerë. Përvjetorët e lindjes dhe të vdekjes së ideologut të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, të këtij njeriu që e sfidoi kohën me vizionin e punën e madhe që la, nga viti në vit kalohen në heshtje prej institucioneve të kulturës në Shqipëri. Madje, as mediet nuk shkruajnë a flasin në përvjetorë të figurave të tilla, duke e lënë në errësirë veprën e ndritur që ai e hartoi për së gjalli. Ky indiferentizëm i skajshëm, që u bëhet në përgjithësi personaliteteve të mendimit e kulturës shqiptare, është kthyer në dukuri normale tashmë dhe e kundërta, paradoksalisht përngjan anormale.
Përvjetorë të tillë të bëjnë të kuptosh, përtej shpërfilljes shoqërore ndaj vlerave, faktin sesi prania dhe mungesa bashkëjetojnë kaq pranë, në kuptimin që, ndonëse emri i tij nuk përkujtohet në tubime publike, vepra që la pas vijon të jetë aktuale dhe mbetet busull orientuese në shumë fusha të mendimit.
Revolucionarizuesi i dy kulturave
Dijet enciklopedike të Sami Frashërit kanë shënjuar jo vetëm gurthemelin e Rilindjes Kombëtare Shqiptare (të shprehur drejtpërdrejt përmes veprës “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”), por kanë ngritur edhe bazat e mendimit shkencor gjuhësor të shqipes e të turqishtes. Në të dyja kulturat ai solli risi themelore, që u bënë përcaktuese për zhvillimin e mëtejshëm të fushave me të cilat u mor më së tepërmi. Konkretisht, në historinë e Shqipërisë ai do të mbahet mend si një nga personalitetet më të rëndësishme të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, udhëheqës politik e ideologjik, demokrat e revolucionar mendjendritur, që nuk e ndali deri në fund të jetës aktivitetin patriotik e politik për Shqipërinë. “Shoqëria e të shtypurit shkronja shqip”, e ngritur me nismën e tij në vitin 1879, ndikoi fuqishëm për zhvillimin e arsimit, duke hapur shumë shkolla shqipe nëpër qytete të ndryshme dhe e konsolidoi alfabetin e përbashkët të gjuhës shqipe, duke vënë kështu themelet e gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Pikërisht ky projekt i Sami Frashërit, që u miratua zyrtarisht më vonë edhe në Kongresin e Manastirit (1908), mbështetej në parimin fonetik të gjuhës dhe në alfabetin latin, të plotësuar me shkronja të veçanta, në përshtatje me tingujt e shqipes. Në parim, me shumë pak ndryshime, alfabeti që kemi sot (i miratuar 110 vjet më parë), është konceptuar nga Sami Frashëri.
Mes shumë veprimtarive të rëndësishme për arsimin e kulturën shqiptare, “Shoqëria e të shtypurit shkronja shqip” do të mbahet mend edhe për botimin e revistës “Drita” dhe, më pas, me emrin “Dituria”, e ideuar dhe e botuar me nismën e Samiut, Naimit dhe të Pandeli Sotirit. Kjo revistë do të mbetet në historinë e shtypit shqiptar si revista e parë me natyrë didaktiko-pedagogjike, por edhe si një organ kulturoro-shkencor, letrar e, më tej, me synime të dukshme, me përmbajtje e prirje të theksuara kombëtare. Në shumë shkrime të botuara prej Sami Frashërit në këtë revistë shpërfaqet mendimi se “çdo popull që nuk ka të shkruar gjuhën e vet dhe në këtë gjuhë nuk ka libra, ndodhet në errësirë“.
Ai mbetet një mësues i madh i të vërtetave shkencore edhe në historinë e Turqisë, pasi ishte leksikografi që e hartoi fjalorin e parë normativ shpjegues të turqishtes (40 mijë fjalë), fjalor ky i përdorur gjerësisht në gjuhësinë turke, pasi e standardizon shkencërisht gjuhën turke, ngase deri atëherë përdorej osmanishtja. Gjithashtu ai i ka hartuar fjalorët dygjuhësh turqisht-frëngjisht, frëngjisht-turqisht dhe turqisht-arabisht, si dhe Fjalorin Enciklopedik të Turqishtes “Kamusul Alam”. Emrin e tij, Shemsedin Sami, e mbajnë edhe librat për alfabetin dhe gramatikën e gjuhës turke, si dhe shumë tekste të tjera didaktike, të cilat i dhanë hov zhvillimit të arsimit në Turqi.
Ndërkaq, me veprat e veta letrare, ai solli një frymë të re dhe krejtësisht origjinale në letërsinë turke, duke e zhvilluar veçanërisht zhanrin e prozës dhe të dramës. Me veprat e veta dhe me dijet që pati në gjuhë të ndryshme, ai ndikoi jo vetëm në revolucionarizimin e kulturës shqiptare dhe asaj turke, por edhe të asaj universale, ndërsa kjo bie në sy veçanërisht në studimet e tij me karakter krahasues.
Pse shkroi më shumë në gjuhë të huaj?
Nëse bëjmë një përllogaritje të veprave të Sami Frashërit, rreth 90% e tyre janë shkruar në osmanishte, turqishte a në gjuhë të tjera të huaja dhe pjesa tjetër është në shqip. Në shqip i shkroi i botoi këto vepra: “Alfabetarja e gjuhës shqipe”, “Shkronjëtore e gjuhës shqipe”, “Dheshkronja”, “Fjalor i përgjithshëm i historisë dhe i gjeografisë” dhe “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhetë?”, libër që shërbeu si programi ideologjik i Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
Pjesa tjetër e veprave janë të gjitha në gjuhë të huaj. Disa më kryesoret janë përkthyer në gjuhën shqipe vitet e fundit, siç është kolona e 20 veprave të Sami Frashërit, botuar nga Shtëpia Botuese “Logos-A” në Shkup. Pavarësisht se shumica e veprave të tij janë botuar në gjuhë të huaj, përmbajta dhe subjekti i tyre, në pjesën dërrmuese të rasteve, është me lëndë shqiptare.
Fakti që ka shkruar në gjuhë të huaj më tepër se në atë shqipe, sipas nesh, përligjet me dy arsye kryesore: së pari, për vetë kushtet në të cilat gjendej vendi ynë, ai kishte si synim që t’i bënte të ditur botës dhe veçanërisht Perandorisë Osmani realitetin historik, politik, shoqëror e kulturor shqiptar, në mënyrë që të ndikonte në autonominë e vendit; dhe, së dyti, në Shqipëri mbizotëronte analfabetizmi dhe vepra mund të qarkullonte vetëm në një rreth të ngushtë lexuesish. Meqenëse synimi i çdo autori është të komunikojë me lexuesit, ai vetvetishëm ka zgjedhur si gjuhë atë që e ofron me më shumë lexues, për të përçuar mesazhet e tij. Si argument ilustrues për këtë kujtojmë se romani “Dashuria e Talatit me Fitneten” (1872), bashkë me romanin “Bardha e Temalit” (shkruar në frëngjisht) të Pashko Vasës, përbëjnë pikënisjen e historisë së romanit të shkruar nga shqiptarët, me subjekt, mendësi, kohë-hapësirë e personazhe krejtësisht shqiptare, por të shkruara në gjuhë të huaj. Në një kohë kur nuk dihej shkrim e këndim, si mund të lexohej romani në Shqipëri? Këtë e dëshmon edhe fakti që poezia ishte më popullore sesa zhanret e tjera në këtë periudhë, pasi nuk kërkonte domosdoshmërisht një akt individual leximi, siç lipset në perceptimin e romanit si zhanër.
Kontributi që i dha zhvillimit të shtypit turk
Meqenëse është folur gjerësisht për kontributin që ka pasur për zhvillimin e arsimit dhe kulturës turke në përgjithësi, me interes gjykojmë dritësimin e rolit të tij në zhvillimin e shtypit turk. Kronistët e kohës dhe studiuesit e Sami Frashërit shkruajnë se ai ishte 22 vjeç kur nisi rrugëtimin e gazetarisë. Më 1871 Samiu arriti në Stamboll, ku u emërua në punë në Zyrën e Botimeve “Matbuat Kalemi”. Ai mori shumë famë në rrethet intelektuale turke kur botoi romanin e parë “Dashuria e Talatit me Fitneten” në revistën “Hadika” (“Kopshti”), organ i qarqeve përparimtare turke, ndërsa themelues i revistës ishte poeti dhe iluministi i njohur turk Namik Kemal, që u bë më vonë një nga miqtë më të afërt të Sami Frashërit. Sipas studiuesit Hasan Kaleshi, mendohet se pikërisht pas botimit të këtij romani, revista është drejtuar nga Samiu, duke u bazuar në referencat e “Ismal-i Ansiklopedisi”.
Puna e tij më e madhe, ku ai spikati jo vetëm si drejtues, por edhe si publicist, ishte angazhimi në revistën “Hadika”. Por, ajo nuk pati jetë të gjatë, sepse u mbyll për shkak të publikimit të dramës “Atdheu dhe Silistria” të Namik Qemalit. Sami Frashëri e themeloi më vonë një tjetër gazetë me emrin “Siraç” (“Feneri”), ku punoi edhe si redaktor, edhe si përkthyes.
Më vonë, me kërkesë të Guvernatorit të Tripolit, Sami Pasha (babai i shkrimtarit të njohur Sezai Effendi), Samiu e mori drejtimin e gazetës “Trablusgarp”, organ i Vilajetit të Tripolit, që dilte në dy gjuhë: arabisht dhe turqisht. Sipas studiuesit Hamit Boriçi, që është marrë gjerësisht me specifikat e kësaj gazete, por edhe të gazetave të tjera ku ka punuar Sami Frashëri, thuhet se ai, me zgjuarsi e mjeshtëri, i propagandonte idetë e lëvizjes përparimtare turke të asaj kohe dhe, në disa artikuj, evokonte edhe historinë dhe traditat e kombit shqiptar.
Pas një viti qëndrimi në Tripoli, ai rikthehet në Stamboll dhe vijon të shkruajë në disa gazeta të përditshme. Me interes ishin artikujt e publikuar në gazetën “Sabah” (“Mëngjesi”), e dyta e përditshme më e madhe në Perandorinë Osmane, ku ai shprehu njohuritë e veta të thella si filozof e historian, gjuhëtar e shkrimtar dhe u bë kështu një nga zërat më autoritarë të publicistikës turke.
Gazeta e fundit që drejtoi Samiu ishte “Terçuman-i Shar” (“Zëdhënësi i Lindjes”), gazetë e përditshme, të cilën e udhëhoqi nga numri 74 deri në numrin 179, përkatësisht nga qershori deri në nëntorin e vitit 1878. Gjatë kësaj kohe një vend të posaçëm në gazetë i kushtoi Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku idetë dhe debatet intelektuale mbi këtë lëvizje gjetën pasqyrim në shumë faqe të gazetës.
Sami Frashëri u shqua si publicist edhe në disa revista që ai i drejtoi, si: “Muharrir” (“Shkrimtari”), “Alie” (“Familja”), “Hafta” (Java), një revistë letrare e shkencore etj. Në këto revista u trajtuan kryesisht probleme shoqërorë, të arsimit, të edukatës, të kulturës dhe të shkencës.
Gjatë gjithë karrierës së vet, qoftë si drejtues shtypi, ose edhe si publicist, ai ka spikatur për vizionin e qartë, për stilin polemist dhe për njohuritë e thella në disa fusha të dijes. Ai mendonte se gazetari duhet të ishte njeri që i përkushtohet dijes e idealeve kombëtare dhe jo interesave vetjake. Këto pikëpamje të shprehura për gazetarinë ai diti t’i vërë më së miri në jetë përmes shkrimeve të veta, të cilat mbeten ende të panjohura për publikun shqiptar, pasi thuajse nuk janë përkthyer fare në gjuhën shqipe. Mbetet një thesar për t’u zbuluar.
Shpresojmë që dikujt t’i ngjallet kërshëria për t’i studiuar e sjellë në shqip ato, në mënyrë që të përftojmë nga mësuesi i madh i të vërtetave shkencore dhe nga mjeshtëria e tij fjalësore.