IN MEMORIAM – VDIQ SHKRIMTARJA SILKE LIRIA BLUMBACH

IN MEMORIAM – VDIQ SHKRIMTARJA SILKE LIRIA BLUMBACH

“Po të duhej të zgjedhja midis një jete të lehtë, të përciptë, dhe një jete sfiduese, të vështirë, që më lejon të mësoj sa të mundem për njerëzimin – atëherë, prapë do ta zgjedhja jetën time. Se edhe këto peripeci më afrojnë gjithmonë e më shumë te qëllimi, që „asgjë njerëzore nuk më është e panjohur“. Udhëto bashkë me mua nëpër këtë lumë të çuditshëm, që nuk është si lumenjtë e tjerë, që rrjedh në drejtim të kundërt dhe që duket i pakuptueshëm në sytë e shumëkujt. Pse të çash kodrat dhe malet nëse është më lehtë të rrjedhësh nga larg poshtë? ‘

Unë jam kthyer aty nga jam nisur para më shumë se një dhjetëvjeçar, kur rashë në dashuri me botën shqiptare dhe fillova ta mësoja gjuhën shqipe, në të cilën tashmë u botua libri im i tretë. Kështu, gjithmonë do të jem në kërkim të burimit tjetër, nga vijmë ne të gjithë, nga vjen kuptimi i gjithë asaj që ne ende nuk e deshifrojmë. Dhe do të vazhdoj të këndoj për këtë kërkim dhe udhëtim, për ty dhe ju të gjithë, që t’ju hapen zemrat dhe t’ju kthjellohen mendjet. Dhe në fund të këtij udhëtimi marramendës, kur të më lejohet të pushoj në burim, do të kuptoj se burimi dhe deti, zanafilla dhe qëllimi, janë e njëjta gjë…”

Silke Liria Blumbach
(Nga parathënia e librit “Lumi që rrjedh drejt burimit”)
Silke Liria Blumbach

Shaip EMERLLAHU

VDEKJA E SILKES ËSHTË NJË LAJM I TMERRSHËM

Ishte i tmerrshëm lajmi se paska ndërruar jetë poetja, anëtarja e Drejtorisë së Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”, Silke Liria Blumbach. Nuk mund ta besoja tërë ditën… Nuk është turp, nëse do të thoja se, u ligshtova dhe qava disa herë gjatë ditës. Silke ishte bashkëpuntorja ime e ngushtë në përgatitjen e edicioneve të shumta të Festivalit për dy dhjetëvjeçarë rresht.

E palodhshme, motivuese, kreative, punëtore… i shtynte punët përpara. Këtë vit kishte ndërtuar projektin e Festivalit, se si mund të realizohej në kushte pandemie… dhe të shkonim ta mbanim një pjesë të programit edhe në Frashër për 120 vjetorin e vdekjes së Naim Frashërit. Silkja qe e lidhur fort me poezinë, me shqiptarët, me Tetovën, Sarandën, Prizrenin… Urojmë që të gjejmë mundësi dhe në të ardhmen të punojmë fort që eshtrat e saj t’i sjellim në tokën shqiptare, të cilën e deshti aq shumë, … dhe se na e la amanet “vendvarrimi: në trojet shqiptare”. I lehtë i qoftë dheu!

Silke Liria Blumbach
Dorëshkrim i Silke Liria Blumbach

Kush është Silke Liria Blumbach?
Poetja Silke Liria Blumbach u lind më 13 dhjetor 1970 në Gottingen të Gjermanisë. Kreu gjimnazin ”Johanneum” në Hamburg, ndërsa më pas studioi përkthimin në Universitetin e Haidelbergut, ku diplomoi për frengjisht, anglisht dhe portugalisht. Gjuhën shiqpe e mësoi në mënyrë atodidakte. Në Haidelberg veproi në shoqatën “LiOff”. Punoi në KFOR-in gjerman në Prizren dhe në një kompani përkthimi në Berlin, deri në ditën e vdekjes (11 qershor 2020).

Silke Liria Blumbach

Botoi tre vëllime me poezi, një me proza të shkurta dhe një ditar në gjuhën shqipe, si dhe një vëllim me poezi në gjuhën angleze.
Vëllimin e parë me poezi “Dyzet vdekje në Sarandë” e botoi në Sh.b. “Naim Frashëri” në Tiranë, 1999, vëllimin e dytë “Karavela e fundosur”, në Sh. b. “Ditët e Naimit” në Tetovë, 2002, vëllimin e tretë “Lumi që rrjedh drejt burimit” në sh. b. “Ditët e Naimit” në Tetovë, 2007, librin me proza poetike “Një vit pas vdekjes sime” në Sh.b. “Ditët e Naimit” në Tetovë, 2017, librin “Ditari i një kthimi”, Tiranë, 2010, ndërkaq vëllimin me poezi “Beyond the bos of the heart” e botoi në gjuhën angleze në SHBA. Silke Lria Blumbach përktheu në gjuhën shqipe për shtëpinë botuese të Festivalit, një numër të madh emrash të njohur të poezisë botërore si laureatët e Festivalit “Ditët e Naimit”, poetin amerikan Craig Czury dhe laureatin taivanez, Kuei-shien Lee, poeten koreanojugore, Moon Chung Hee, poeten indiane Nivedita Lakhera etj. Silke Liria Blumbach, gjithashtu, ka përkthyer nga gjuhë të ndryshme në gjuhën shqipe 15 antologji të Festivalit “Ditët e Naimit”.
Ajo ishte anëtare e Drejtorisë së Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”, Tetovë, si dhe anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. U laurua me çmimin letrar të Festivalit Ndërkombëtartë Poezisë “Qiriu i Naimit” (2001). Poezia e saj është vlerësuar edhe me çmimin letrar për krijimtari “Naji Naaman” në Bejrut (Liban), (2003) dhe çmimin letrar “Flaka e janarit” në Gjilan etj. Poezia e saj është përkthyer në disa gjuhë dhe është botuar nëpër revista dhe antologji të ndryshme. Poezia e saj është pjesë e Antologjisë së Poezisë Shqipe të botuar në gjuhën kineze në Taivan (Zgjodhën dhe përgatitën Shaip Emërllahu dhe Kuei shien Lee).

Për 20 vjet, Silke Liria Blumbach jetoi me kancerin dhe depresionin. Sa dukej se e mundte sëmundjen, ajo rishfaqej përsëri… E Silkja nuk dorëzohej… Para pesë vitesh, për ta motivuar, për ta mbështetur ate në luftën kundër kancerit, Drejtoria e FNP ”Ditët e Naimit” ngriti një çmim letrar me emrin e saj “Silke/Liria”, që jepej në çdo edicion Festivali nga vet ajo. Vjet kërkoi të tërhiqet çmimi me arsyetimin së është shëruar. Ne festuam së bashku me poetët pjesëmarrës të Festivalit. Por, si duket këtë herë sëmundja e saj u rikthye më fuqishëm dhe bëri poeten Silke Liria Blumbach, që të na buzëqesh tash e tutje nga qielli.


Agron TUFA

IN MEMORIAM SILKE LIRIA BLUMBACH

Paska ndërruar jetë e paharrueshmja Silke Liria Blumbach (1970-2020), vajza e dashuruar me Shqipërinë dhe Kosovën, poetja, përkthyesja poliglote, mikesha jonë e shtrenjtë e familjes.

Për ikjen e saj të parakohshme (në shkurt të këtij viti këmbyem për herë të fundit mesazhe), i vetmi ngushëllim e kujtim për miqtë janë tekstet e librat e saj, që Silke i shkroi në shqip.

Këtu poshtë po hedh një tekst recensional mbi njërin nga librat e Silkes të shkruar kund 14 vjet më parë…

Qofsh lule e Parajsës, e shtrenjta jonë!


GJUHA, POETI, FATI DHE KRIJIMI

(Mbi fenomenin dhe fenomenologjine e poezisë shqipe të poeteshës gjermane Silke Liria-Blumbach)

Agron TUFA

Ka afër një dhjetëvjeçar që poetja Silke Liria-Blumbach ka projektuar një ekzistencë të dytë, kësaj radhe jo biologjike, por gjuhësore, e për rrjedhojë, ekzistencë shpirtërore. Ekzistenca e re gjuhësore e poetes nga Gjermania, nuk ka habitur vetëm atë vetë, por të gjithë ata lexues që e kanë njohur poezinë e saj. Sepse mahnia që shkakton kjo ekzistencë ka të bëjë me faktin se ajo është konfirmuar në nivelin e saj më të epërm: në gjuhë dhe madje në nivelin më të epërm të ekzistencës së gjuhës, që është poezia.

Silke tani sapo ka botuar librin e tretë me poezi të shkruara në shqip: “Lumi që rrjedh drejt burimit”. Duhet thënë se për qenien e shkrimtarit gjuha përcakton automatikisht edhe atdheun. Besoj se kjo është një ligjësi universale. Postulati i njohur i Martin Hajdegerit, se “Gjuha është shtëpia e qenies”, veçse e thekson më fort mendimin e shprehur deri tash. Madje edhe nëse kjo “Shtëpi e qenies” është njëkohësisht e banueshme në dy gjuhë, në shqip dhe gjermanisht, si në rastin e Silkes. Natyrisht poeti në këto raste ka dy “shtëpi” të Qenies dhe rrjedhimisht, bujtja në të dyja këto shtëpi e bën të pashmangshëm dyzimin e qenies, sikundër ka ndodhur kjo edhe me raste shkrimtarësh të tjerë para Silkes (me Konradin, Nabokovin, Gogolin ukrainas, Vasko Popën rumun, Apolinerin italo-polak, Josif Brodskin rus etj.).

Ajo që pëson sensacion të thellë në këto raste është Gjuha. Gjuha nuk është instrument në duart e shkrimtarit, siç keqmendohet, përkundrazi, shkrimtari është instrument i bindur i gjuhës. Në rastin konkret, jo gjuha, por poetesha Silke Blumbach ka qenë shumë e epshme, e dëgjueshme, e bindur dhe e dhënë tërësisht pas shqipes, duke i besuar asaj tërë botën e saj, nga rrëqethja dhe frika ekzistenciale gjer te regëtimat më intime.

Do të themi se Silke ka projektuar një Vete të re, duke ia besuar tërësisht aktivitetin e saj frymor shqipes dhe duke pranuar me dëshirë e vullnetarisht të jetë totalisht e varur nga kjo gjuhë. Dhe kur njeriu gjendet tërësisht i varur nga gjuha, ashtu si alkoolistët nga alkooli, si duhanxhiu nga cigarja, si narkomani nga droga, pra kur një njeri e ka përsëritur mahninë e krijimit me gjuhën, dhe s’mund të bëjë pa të, njëlloj si varësitë që përmendëm më sipër, atëherë sipas Brodskit, ky njeri quhet poet.

Por Silke, mendoj fort dhe jo pa arsye, është e ngjashme me rastet analoge të Gogolit, Konradit apo Nabokovit, të cilët krijuan ekzistencën e tyre krijuese në gjuhë tjetër, duke ardhur nga jashtë sistemit. Duke e lidhur fatin e ekzistencës së vet me një gjuhë tjetër, është normale që krijuesi gjendet para një tendosjeje maksimale për të edukuar e stërvitur reflekset, duke operuar në plan të parë me vetëdijen, logjikën dhe ndjeshmërinë, derisa të fitojë siguri duke kompensuar një gjë thelbësore: mungesën e instinktit amësor ndaj fjalëve të sakta që të mund të shprehë atë çka është, atë çka ka më të shtrenjtë. E ndoshta me kohë, pas një familjarizimi me gjuhën, ky instinkt fitohet.

Po ta vëresh ligjërimin poetik të Silkes, ai dominohet nga një vetëdije gati traumatike, duke ndërkëmbyer e përforcuar imazhet me mjete të gjithëmundshme. Ashtu si fotonet e dritës rrahin pa pushim objektin nga një burim i caktuar drite, ashtu edhe Silke angazhon në ndriçimin dhe përftimin e imazhit të saj burime të gjithëmundshme ndriçimi të natyrave heterogjene. Një rol të tillë e luajnë tufat e dendura të asociacioneve me referenca nga kultura verbale, nacionale e transnacionale, kryesisht nga mitet, por asociacionet lindin edhe nga një sensacion infantil brendapërbrenda gjuhës, duke u vetëmagjepsur me kumbimet, aliteracionet, semantikat e papritura.

Vigjilenca e shqisës poetike shfrytëzon në mënyrë lojacake dhe krijon sakaq papritmas neologjizma, përftesa, fjalë-kentaurë, kimera efemere, duke krijuar një miksturë dinamike të tekstit. Një vështrim i tillë mbi gjuhën, mahnitja e pafund ose më saktë vetëmahnitja, është e pamundur për bartësin e lindur dhe të familjarizuar me gjuhën që në lindje. Një vështrim i tillë i magjepsur e infantil është privilegj i një vetëdijeje që vjen nga jashtë sistemit të gjuhës, duke ndërkallur një përjetim krejt të panjohur më parë nga bartësit e rutinizuar të saj. Pak a shumë ndodh diç e ngjashme me konceptin e arbitraritetit të gjuhës së fëmijëve, të cilin e pati studiuar Roman Jakobsoni në punimin “Gjuha e të pavetëdijshmes”.

Gjuha në atë stad përjeton shekullin e saj fëminor dhe ka një automatizëm të kulluar për të hyrë në lidhje referenciale arbitrare me dukuri dhe nocione. Ajo, si të thuash, njeh fazën e saj “magmatike”, të pangurtësuar dhe prej kësaj “plazme magmatike” është më lehtë të krijohen konture e trajta, metamorfoza e kimera që i japin ligjërimit një dimension alogjik, nonsensi, absurdi, për sa koshienca dhe subkoshienca gjenden përballë një urie për krijim. Kjo shpjegon edhe natyrën surrealistike dhe një vështrim tejet të mitologjizuar të subjektit lirik. Këtë fill argëtues në procedeun me gjuhën, Silke e ftillon nëpër labirinte fjalë pas fjale, shprehje pas shprehjeje, duke i ndriçuar dukuritë dhe realet nxitimthi, sa të shplojnë pakëz konturin a profilin, në mënyrë kaleidoskopike.

Mirëpo gjuha ka të ndërkallur një veti të çuditshme: ajo ngjiz dhe shumëfishon vetveten, e së këndejmi, realitetet gjegjëse paralele. Si duket, kjo e vërtetë duhet ta ketë shtyrë poeteshën ruse Marina Cvjetajeva të shkruajë vargun: “Poeti e shpie gjuhën larg. Gjuha e shpie poetin larg”. Së këndejmi, edhe vetë ekzistencën e poetit, përderisa ai banon në gjuhë, duke u ripërtërirë në mënyrë të ndërsjellë, ashtu si ripërtëritja ciklike e kohës në mite. Po e ilustroj këtë mendim me një nga poezitë e Silkes, që për mua ka vlerën e kredos poetike, ku Fjala dhe Krijimi janë veçuar spikatur nga poetesha me germë kapitale:

NDËRRIM

Kur botë të jashtme nuk ka
Ose ajo është e pagjetshme
Ose copat nuk mjaftojnë për të formuar botë,
Atëherë
Kthen sytë nga balli në mes të kafkës
Dhe lëkura bëhet një thes përreth universit
Dhe përsëri Fjala do të fillojë veprën e saj të Krijimit.

Silke Liria-Blumbach është një poete shqiptare. Ajo është një dukuri krejt sensacionale e poezisë shqipe. Kontributi më i madh dhe më esencial që i jep çdocili poet me krijimet e tij një tradite të poetikës nacionale është shkalla e begatimit të saj me mjete shprehëse: me metrikën, prozodinë, format poetike, intonacionin ligjërimor dhe diksionin e zërit, me tropet dhe metaforat, e si rezultat të fundmë të këtyre, me ndjeshmërinë e caktuar. Të gjitha këto janë ndryshime në kodin e një sistemi nacional poetik, për rrjedhojë kjo çon edhe në ndryshimin e fizionomisë së poezisë në etapën e saj të evolucionit organik.

Unë mendoj dhe jam i bindur se ky begatim që Silke i sjell poezisë shqipe është i qëndrueshëm e jetëgjatë, sikundërse jam i bindur se edhe gjuha shqipe e ka shpërblyer bujarisht poeteshën, duke e përsosur, duke e çliruar dhe shkarkuar nga frikat e saj ekzistenciale, duke i dhënë asaj një jetë të dytë, të shëndoshë, në nivelin e saj më të epërm: poezinë. Me fjalë të tjera, ndoshta të panevojshme – duke e shpëtuar nga fantazma e realiteteve të frikshme. Dhe kjo jo në kuptimin figurativ, por në kuptimin më konkret dhe të drejtpërdrejtë.

Unë nuk mendoj se historia e letërsisë bashkëkohore shqipe mund të refuzojë luksin e veçantë dhe të anashkalojë një poete novatore si Silke Liria-Blumbach, sikundërse nuk imagjinoj dot asnjë antologji të lirikës bashkëkohore shqiptare pa përfshirjen e individualitetit të veçantë të poeteshës shqiptare nga Gjermania – Silke Liria-Blumbach. Ne poetët shqiptarë duhet t’i gëzohemi tashmë pranisë së një simotre të talentuar të penës.


Shefqet DIBRANI

LAMTUMIRË MIKJA E MIRË SILKE BLUMBACH!

SILKE BLUMBACH (13 dhjetor 1970 – 11 qershor 2020)
Ka vdekur shkrimtarja dhe përkthyesja Silke Blumbach. Ajo kishte emrin adaptues Liria, ishte gjermanja që ka treguar dashuri e adhurim të jashtëzakonshëm për NE shqiptarët. Ka jetuar në Sarandë dhe në Prizren dhe përherë është parë edhe në Festivalin Kulturorë “DITËT E NAIMIT” në Tetovë.
Personalisht kam pasur fatin ta njoh dhe ta fotografoj, (paparac i saj), dhe të ruaj shumë letra dhe dashuri, si një komunikim miqësor i gjatë e i gjerë dhe mjaftë interesant, andaj ruaj kujtime të rralla të çmuara dhe të pa harruara nga Ajo. Po ashtu SILKE LIRIA BLUMBACH, është përkthyesja e poezisë sime në gjuhën gjermane! Unë do të ruaj përherë emrin e saj që e kam vendosur në librin tim! Respekt mike…


Manjola BRAHAJ

Sot e mora vesh se paska ikur nga kjo jetë një ndër shpirtrat e bukur që pata kënaqësinë ta njoh e të krijoj miqësi me të para 5 vitesh në Maqedoni, në “Ditët e Naimit”.
Më shumë se prej krijimtarisë së saj e njoh për miqësinë e çiltër, sensin e saj të humorit dhe mbi të gjitha për dashurinë e madhe për gjuhën shqipe dhe shqiptarët.
Nga bisedat tona zbuluam se në atë lagje në të cilën jetoja unë në atë kohë ajo kishte jetuar disa vite para meje, biles kishte edhe disa vargje kushtuar “Rrugës 5 maji”.
U prefsh në paqe mike.
Dheu të qoftë i lehtë.
R.I.P.


Alisa VELAJ

Mikja e gjithë shqiptarëve, Silke Liria Blumbach paska fluturuar dje drejt një tjetër Jete! Gjer një ditë para ka qen: aktive në Facebook. Poliglote, poete, përkthyese e dashuronjëse e gjithçkaje që frymonte shqip, ajo la pas një krijimtari poetike të shkruar me një shqipe të mahnitshme. 15 vjet të shkuara, kur e takova për herë të parë në një aktivitet poetik në “E Për7shme” nuk do ta kisha kuptuar kurrë se ishte gjermane, nëse nuk do të ma kishin thënë. Poezia që lexoi për minatorët e Dibrës u recitua prej saj me një lloj shqipeje, ku nuk ndihej asnjë akcent i huaj.

Shpirt i bukur, i lirë, jetë e jetuar me intensitet gjer në frymëmarrjet e fundit, Silkja Gjermane, apo Liria jonë shqiptare ishte një rast i jashtëzakonshëm në afrimin e dy kulturave.

Shpirtra aq të bukur kam njohur fare pak! Qoftë dijshmëria e saj supreme në fushë të dijes dhe personaliteti i saj rrëzëllitës pa kurrfarë fije egoizmi, një shembull për t’u ndjekur nga femrat artiste shqiptare sot, veçanërisht për ato në lëmine e poezisë e përkthimit.

Do të na mungosh e dashur Liri! Do të na mungosh shumë! Drite pastë kujtimi yt në Tokë, e dritë të bëftë shpirti në qiell.

Në Kishën e Shën Todrit në vendlindjen time do ta ndez sot një qiri për ty!

Faleminderit Silke për gjithçka bëre për ne! Mirënjohje që dite të na doje me të tillë forcë dashurie e kthjelltësie!


Mario BELLIZZI

A RED DADDY IN MY MEMORY
FRIEND SILKE LIRIA BLUMBACH WHO LEFT US

Silke was born in Germany but lived in various languages of the World, learned with extraordinary ability and empathize in literary and poetic cultures. I met her in Macedonia, in Tetova, where she was the official translator of the international poetic festival invented by Shaip Emerllahu. With her and the poets we traveled by bus to Albania,… Found for dinner and lunch, on official visits. She translated for everyone. She considered herself Albanian. I remember an anecdote he told amused. She was bipolar she said. Very sensible, every place was tight to her, it moved in geography and linguistics with such agility. She told me that… One day she invented she had a friend in Buenos Aires and she wrote her a letter. Of course, the Argentine friend was Silke who wrote and wrote the letter. She / her friend wrote in Spanish, described her the part of Buenos Aires where she lived, in details, talking about mutual friends and friends…. Silke had learned Spanish and studied for that game the city….

One day she translated into English what a hoxha said in Albanian, we were a group of visiting poets. Silke took notes while listening…. I was close watching his Notes block… He marked symbols not even a word…. An alphabet of his own…. I remember that for her an upward arrow was God. All the poems read in the Tetova festival were rewritten by her in Albanian… And published in anthologies. Dweller of peoples languages, tireless in love with poetry, Silke fought with irony an incurable evil with light in his eyes, serena, definitely dreaming of the place he loved most than any other: Saranda, which she pronounced as a joke Sarranda… and we burst out laughing!


Sadik BEJKO

Lamtumirë Silke Liria Blumbach!

Silke, më vjen shumë keq që u ndave shpejt nga kjo jetë. Lajmi për ikjen tënde më pikëllon.

Jemi takuar shumë herë. Kishe diçka prej femre delikate, diçka prej zogu dhe prej peme me fruta si manat e kuq të tokës.

Ishe si një pemë qershie ngarkuar plot me fruta. Pemë që ka përsipër dhe një tufë zogjsh që çukitin frutat.

Ishe njeri i begatë, fruthënës, dashuridhënës, ti Silke Liria Blumbach.

Të kam njohur në takimet e Tetovës dhe gjetkë.

Ti, Silke Liria Blumbach ke vuajtur prej disa vitesh nga një sëmundje shumë e rëndë, e cila… sot nuk të fali.

Ti e ka dashur Shqipërinë. Ti flisje shqip, shkruaje poezi shqip, këndoje këngët shqiptare, përktheje në disa gjuhë poezinë shqipe…

Ti jetove në Shqipëri, kur shqiptarët ikin prej vendit të tyre.

Lamtumirë gjermania-shqiptare Silke Liria Blumbach!


Shqiptar OSEKU

Na paska lënë Silke Liria Blumbach, përkthyese që shqipëroi shumë perla të letërsisë, autore që shkroi edhe në shqip. E ndjera pat lënë Gjermaninë ca vite dhe banoi në Shqipëri, për hir të gjuhës kuptohet. Me kujtohet si shkruante kur u kthye në Gjermani, se ish ndier e braktisur midis nesh. Unë i shkova një ndjesë, i thashë se ishin vite të zorshme ato për gjithë Ballkanin, e se ne, sido që të jetë, gjuhën e kemi më të mirë nga ç’jemi vetë. Nuk e harroj kurrë përgjigjen e saj. Me tha se gjuha s’është veç mjet komunikimi, por edhe qilar sekret ku ruajmë ëndrrat: një popull që ka një gjuhe kaq fisnike mund të ketë vite të liga, por ka një shpirt të mirë. S’e harroj kurrë si më ngushëlloi ajo, e braktisura midis nesh.

In memoriam të Silkes, po hedh këtu një nga rrëfimet e saj shkruar në shqip. Më duket se ky rrëfim i shkon jetëshkrimit.


Silke Liria BLUMBACH

JO

“Jo!” Fjala njërrokëshe përshkoi ajrin si një armë e sofistikuar dhe ia këputi daullen e veshit. Ai gati u rrëzua nga vrulli i zanores të katapultuar nga një bashkëtingëllore elastike. Mezi e kapi veten përsëri, zgjati dorën dhe siguroi kapjen në autobus për të mos rënë përtokë.

Nga habia për atë surprizë të pakëndshme kish harruar se çfarë kish pyetur. Iu kujtua vetëm se duhet të kish qenë një pyetje e madhe, me rëndësi jetësore. E fiksoi dheun mbi këpucët e veta sikur të ishte shkruar në atë baltë pyetja qe kish bërë. Prapë e ngriti kokën. Shikimi përballë nuk ish aq brutal sa fjala e shkurtër, që ishte lëshuar nga goja pak më poshtë. Shikimi dukej vetëm disi i irrituar, por nuk erdhi më asnjë reagim.

Autobusi vazhdoi rrugën, ndërsa ai kërkoi në trurin e vet se çfarë do të ketë qenë pyetja në fjalë. Mos kishte shtruar një pyetje turpësisht të qartë? Mos e kishte pyetur a e dashuronte? Apo i kishte bërë ndonjë pyetje politike: a ke votuar për Salën? a ke votuar për Tosin? Nëse ajo ishte kosovare, mund ta kishte pyetur: a ke votuar për Shallin a Gjarprin? Apo: a ke humbur lekë në piramidat? a ka humbur Shqipëria ndeshjen kundër Greqisë?

Ai i dha çunit të pistë, heroit të autobusit, një dyqindlekësh të ngrohur në xhep. Kjo ishte dita e bujarisë: pesëdhjetë lekë të vjetra ia ofroi djaloshit duke shpresuar se ky gjest do t’i sillte fat, a së paku pyetje të përshtatshme. Ishte vetëm në merak se çfarë përshtypjeje paskësh lënë me këtë pyetje, e cila i kish humbur sa iku nga grilat e dhëmbëve – një debil ose dembel, një idiot himariot.

“Kombinati! Hajde kombinati!”

Papritmas iu kujtua. E kish pyetur vajzën përballë a do të shkonte autobusi në kinostudio.

Po tash, në vend se të shkonte në një kinostudion pa kinema e pa studime, ai, nën shikimin e pashpjegueshëm të vajzës, po i afrohej gjithnjë e më shumë një kombinati që prej kohësh kish mbaruar së qeni kombinat.

(Tiranë, 2000)


DISA POEZI DHE NJËTREGIM I AUTORES

GURI NË GJOKS

Me gurin u zgjova,
gurin në gjoks
atje ku ju e keni zemrën.

Dhurata e bukur për Vitin e Ri.
Më mirë gur se thikë.

Thikën e mbështolli guri.
Durin e mbështolla unë.
Jashtë bën ftohtë. Edhe brënda.

KARROCA GURI

kuajt e mi
kanë ikur
duke fikur
dritën
nuk i gjej dot më
në terrin kozmik
ju
i keni zënë
në një pallat të mrekullueshëm prej guri
nga nuk do të arratisen më
ku ne nuk do të jemi kurrë më

BUDA DHE BUJQTË E ORIZIT

ai na tha që
ne e kuptojmë më mirë
rrugën e mesme
këtë e duam
as thatësia e fushave tona dhe gojëve tona
as vërshimet që marrin kasollet tona dhe sjellin sëmundje
as vdekja e ajrit dhe zjarrit
as vdekja e ujit dhe dheut

as vdekja e tepër pak
as vdekja e tepër shumë
nëpër fushat tona të vogla orizi

MESNATA (tregim)

Mesnata është ora magjike kur fluturon stilografi duke rreshtuar gërmë pas gërme.
Mesnata është ora e krenarisë kur mbaroj një vjershë fringo që dua ta ndaj me një mik.
Mesnata është ora e krisur, ora kur pas mjaft ngurrimi guxoj më në fund ta thërras Xhevon, që më kishte thënë: “Më merr në telefon kur të mbarosh një poezi dhe ma lexo, qoftë edhe mesnate, sepse kështu do të frymëzohem dhe unë”.
Mesnata është ora kur mërzitem me atë zë femëror artificialisht të gëzueshëm, që më kujton që në Tiranë as në numrat e telefonit të miqve nuk mund të kesh besim, sepse numrat po ndryshojnë çdo ditë, janë në një rrymë të vazhdueshme kur nuk ka rrymë elektrike, janë mishërimi elektronik i parimit antik “panta rhei”. Por mërzitem edhe me faktin se nuk mësohem dot me ndryshimin më të madh brenda kësaj rryme fatale, e cila më rrëmben gjithë sigurinë e mbajtur me zor dhe të rindërtuar me flori në poezinë që nuk e gjen dot as veshin as vëmendjen miqësore. Nuk pajtohem dot më me atë zë debil stupid idiot, që në vend të fjalëve “Shërbimi special i Telekomit Shqiptar”, që me gjithë mërzinë kishte diçka qetësuese, më vjell në tru litaninë e modernizuar të privatizuar të idiotizuar “Alb-Telekom”, për të mbaruar me refrenin që me gjithë ndryshimin mbetet njëlloj dhe më siguron prapë në mërzinë përfundimtare: “Numri që ju keni kërkuar, përkohësisht është jashtë shërbimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!