AGRON TUFA – DASHTË ZOTI… (poezi)

AGRON TUFA – DASHTË ZOTI… (poezi)
AGRON TUFA

DASHTË ZOTI…

dashtë Zoti që prekjet e mia
të kenë hedhur rrënjë prore
në materien tënde trupore;
prekjet e mia – farëra kokëforta –
durojnë dimërime të gjata, –
baromina që çajnë
shkëmbin në mijëra plasaritje
për ta zhbërë rërë,
rërë sedentare.

fryma ime që të rrahu fytyrën
mbijetoftë në poret e tua
derisa t’i herrë, zvetënojë
të gjitha kujtimet e tjera –
ato bimësi parazite
që fiksohen pa rrënjë
pas gjërave të forta.

dashtë Zoti, që tingulli i prajtë
i zërit tim
të zhdavarisë zhurmnajat,
që ploja e kohës derdhi
në hinkën e veshëve të tu,
duke ta prishë ritmin e gjakut
dhe ashtu,
e pastruar nga kjo barrë barbare,
të rilindësh si Afërditë
nga shkuma e muzikës së parë.

dashtë Zoti, që e kafta e syve të mi
ta fshijë njëherë e mirë
kromatikën e kurmeve që ke njohur
tek shkrihesh,
tek tretesh
njësh me nuancën
ku ç’prej zanafille dallove veteveten.

dashtë Zoti, që zjarri i trupit tim,
si në një rit të shenjtë të purifikojë
gjithë ngrohtësitë e rreme,
të sëmura
që t’u shitën nën dorë
me premtimin dinak
të një lulnimi të vërtetë.

jo! do jetë puthja ime ajo që do t’i zhbëjë,
do t’i fshijë
të gjitha iluzionet
e qytetërimeve parazite
mbi truallin e dobët të keqkuptimit tënd.

dhe atëherë
gjithçka e parëlindur
do marrë udhën e vet të divnimit
me bujën,
harlisjen,
shpërthimin
e një stine si në kohën e parë të Krijimit.

ne jemi misteri i vetëm në univers
për ekzistencën mistike të llojit…

Nga “Zonja asnjeri dhe zoti askurrkush”, Onufri, 2019

Dashtë Zoti

Biografi e shkurtër e autorit

Agron Tufa u lind në 1 prill 1967. Pas studimeve për Gjuhë-Letërsi në Tiranë, ai mbaroi studimet në Institutin Gorkij të Moskës. Më pas vazhdoi studimet pasdiplomike për Filozofi arti dhe Përkthimi në Institutin e Kulturave Europiane, po në Moskë.

Përgjatë më shumë se 20 vjetëve krijimtari, ka botuar vëllime poezish: Aty te portat SkeeRrethinat e AtlantidësAvangardë engjëjshFryma mbi ujëraGjurma në rrjedhë; romane: DueliFabula rasaMërkuna e zezëTenxherjaGurit të varrit ia rrëfej; ese: Janusi qindfytyrëshKuja e Mnemozinës etj.; libër me miniatura: Thembra e akcilit, si dhe ka përkthyer poetët dhe shkrimtarët më të mirë rusë në shqip: Osip MandelshtamJosif Brodskij, Olga Sjedakova, Boris Pasternak, Andrej Pllatonov, Danjill Harms, Jurij Llotman, Vladimir Prop, Tolstoj etj.

Ka marrë shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare – Penda e Argjendtë për romanin më të mirë (Fabula rasa). Në 2009 fitoi Çmimin e Madh Letrar (kombëtar).

Poezitë e tij janë përkthyer në anglisht, frëngjisht, italisht, gjermanisht, spanjisht, rusisht, rumanisht, polonisht, sllovenisht etj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!