AGRON TUFA – TARTI (TREGIM)
AGRON TUFA
TARTI
Diç e jashtëzakonshme do të ndodhë. E ndjeva sapo shkela në kamp. Fiqo nuk ndjen gjë dhe më vjen plasje. Ai është njeri. Leha, angulliva, iu solla rrotull këmbëve, vura putrat në gjoksin e tij, kërkova t’ia shoh sytë, tunda bishtin, por Fiqo – hiç. E nuhata të vërtetën nga njëri kapanon në tjetrin. Të gjithë të nervozuar. Ankth që lëvrin në damarë. Rrahje pulsesh. Tëmthash. E ndjej dhe aromën e zemërimit.
Tek policët – e njëjta. Zien.
Në mbrëmje plasi. Parrulla. Sharje. Flamur pa yll. Mua s’më mban vendi. I shoh të burgosurit në sy. Ata më përkëdhelin, më fërkojnë dhe nxitojnë për diku. Shoh se nga dyert e komandës vërshon një lum i madh policësh dhe trupash speciale. Ata rendin drejt nesh. Por do të ndeshen së pari me mua. Tërë atë gjullurdi unë e shfrytëzova duke i sulmuar policët. Kafshimi në zverk ishte tashmë shpikja ime dhe llahtari i tyre.
Ditën e tretë Revolta u shtyp. Katër u pushkatuan me vendim gjyqi. Kurse mua, të pestin, më dënuan me vdekje. Pa letra. Si burracakë! Unë u ndesha ballas me ta. Në radhët e para. Kurse ata më kanë lidhur pas një shtylle me dy palë zinxhirë. Katër policë po më godasin me bishta lopate në kokë. Inate të vjetra… Po edhe pa gjyq, edhe pa letra, prapë unë e di: vetëm mua, qenin, do të më kujtojnë. Mijëra njerëz do kujtojnë si u përlesh Tarti me policët dhe jo cilët policë mbytën Tartin.
Nga vëllimi me tregime “Kur këndonin gjelat e tretë”, Onufri, 2019.
Të tjera tregime, poezi, kritikë apo studime për letërsinë nga Agron Tufa mund të gjeni këtu.