BEGZAD BALIU – EQREM ÇABEJ DHE NORBERT JOKLI

BEGZAD BALIU – EQREM ÇABEJ DHE NORBERT JOKLI
BEGZAD BALIU

EQREM ÇABEJ DHE NORBERT JOKLI

(Ndërlidhje personale dhe shkencore)

Duke u marrë për një kohë të gjatë me jetën, sidomos me veprën e Profesor Eqrem Çabejt, më ka rënë të merrem njëkohësisht edhe me mësuesit, me konceptet shkencore, me shkollat, me fushat e studimit dhe më në fund me ambientet ku Çabej është përgatitur si personalitet shkencor.

Përtej hulumtimeve të ngushta teorike, të cilat dalin si rezultat i hulumtimit të drejtpërdrejtë të veprës shkencore si fushë studimi, më ka interesuar edhe kronologjia historike e shkrimit të tyre në rrafshin e brendshëm, si dhe shkrimi i tyre në kontekst të studimeve albanologjike e ballkanologjike, që bëheshin atë kohë.

Prej hulumtimit dhe studimit të veprës së Çabejt, nuk është vështirë të shihet dhe të kuptohet se bazën e studimeve çabejane e përbën shkolla gjermane e studimit si teori dhe ajo austriake e ndërtimit si strukturë e organizimit. Profesor Çabej ka mësuar dhe është edukuar përgjithësisht prej emrave më të mëdhenj të shkencave evropiane dhe gjermane, por për shkak se ndërlidhjet e tij më të veçanta të natyrës personale dhe shkencore janë me Norbert Joklin, në këtë trajtesë i kam pasqyruar vetëm këta dy, sado që Jokli ishte mësuesi e Çabej nxënësi i tij.

Veçantitë

Çabej ishte shqiptar i njërit prej shteteve të fundit që po bëhej në Ballkan, ndërsa Jokli hebre nga Çekosllovakia, i një populli që i shpërndarë nëpër botë, mbahej peng i shtetit që nuk po arrinte ta vendoste aty ku e kishte krijuar mitin e tij të ringjalljes.

Çabej në Austri, as pas mbarimit të gjimnazit, me gjithë shenjat e veçanta për zotërimin e diturisë, ende nuk ishte përcaktuar për fushën e veçantë të studimit, dhe ishte ftuar madje të regjistronte studimet për muzikë, ndërsa Jokli, megjithëse kishte mbaruar fakultetin e drejtësisë –një si obligim moral i synimit politik për mbrojtjen e çështjes hebraike në botë, shpejt do t’i kthehet interesimit të tij për të mbaruar studimet në fushë të gjuhësisë.

Të dy gjuhëtarët, Jokli e Çabej, sado në kohë të ndryshme, do t’i takojnë shkollës austriake, ata me kohë do të bëhen zotërues të saj dhe vazhdimësi e përmasave të mëdha që ka dhënë kjo shkollë.

Baza kërkimore, kultura e gjerë e hulumtimit dhe gjeografia e shtrirjes, bashkë me metodat e rrepta shkencore që kërkonin rregullat e shkollës vjeneze Fjalët dhe sendet, i përshkojnë studimet e tyre, si mikro edhe si makrostrukturë. Profesor Çabej, tek Jokli kishte diktuar konceptin e traktatit monografik të qasjes së problemit, dhe këtë metodë do ta parapëlqejë me kohë, si në studimet gjuhësore ashtu edhe në ato letrare e etnofolklorike. Nëse për Joklin, kjo ka të bëjë jo vetëm me dy veprat kryesore, por edhe me njësi më të vogla, çfarë janë, bie fjala njësitë leksikore, për Çabejn kjo ka të bëjë me tema të caktuara në fushë të folklorit, të letërsisë dhe të gjuhës, e brenda saj. Le të kujtojmë këtu studimet me qasje monografike, për gjenezën e literaturës, detyrat e gjuhësisë shqiptare, eufemizmat, shumësin e emrave etj., të cilat sado nuk paraqesin vëllime të veçanta, në tërësinë e tyre paraqesin qasje të gjera të natyrës monografike. Në këtë linjë, do të mund të shihnim edhe praktikën e shkrimit të veprave të tyre kryesore: Jokli, para se të shkruante “Fjalorin etimologjik të shqipes”, këtë vepër të panjohur, shkruan veprën bazë të saj “Studien zur albanesischen Etymologie und Wortbildung”, (“Studime mbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes”), me të cilën u rehabilitua më 1911, ndërsa Profesor Çabej para se të shkruante “Fjalorin etimologjik të shqipes”, përkatësisht veprën madhore “Studime etimologjike të shqipes”, shkroi versionin e parë të veprës bazë “Studime etimologjike në fushë të shqipes”. Kur jemi këtu, do kujtuar edhe një element tjetër: sipas nxënësit të Joklit, Soltës, Fjalorin etimologjik të shqipes, Jokli e ka shkruar mbi Fjalorin etimologjik të shqipes të Gustav Majerit, përkatësisht mes rreshtave të anëshkrimit të tij, ndërsa sipas informacionit që kemi për Çabejn, rishkrimin e tezës së doktoratës së vitit 1933, e ka bërë me dorë mbi dorëshkrimin e disertacionit, përkatësisht mes rreshtave dhe anëshkrimit të tij.

ÇABEJ DHE NORBERT JOKLI
Eqerem Çabej (1908 – 1980)
ÇABEJ DHE NORBERT JOKLI
Norbert Jokli (1887 – 1942)

Prejardhja e popullit shqiptar dhe e gjuhës së tyre është njëra prej temave posaçërisht të rëndësishme dhe veçanërisht e trajtuar gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIX dhe gjysmës së parë të shekullit XX. Sado që, ajo është stabilizuar, falë edhe punës së këtyre dy albanologëve më të mëdhenj të shekullit XX, ajo vazhdon të trajtohet edhe më tej, por kryesisht nën hijen e tyre. Qasja kësaj teme, duke vënë paralele mes Joklit dhe Çabejt, është e rëndësishme jo vetëm për ndikimin e të parit mbi të dytin, por edhe për mënyrën se si është bërë ajo. Jokli me kohë kishte tejkaluar tezat mitike të prejardhjes së popullit shqiptar, të cilat ende i diskutonin postromantikët e vonuar, ndërsa Çabej, jo vetëm nuk i diskuton ato, por që në vitin 1936, do të tërheqë vërejtjen për mënjanimin nga diskutimi i kësaj teze. “Është koha që së paku në shkollë të mos mbushen trutë e nxënësve me hipoteza të mjegullta të mesit të shekullit të kaluar” (III), shprehej në hyrje të librit Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe. Sigurisht për shkak se Çabej ishte nxënës i Joklit, ndonëse e ka diskutuar dhe e ka rrahur këtë problem, për më se një gjysmë shekulli dhe parimisht ka qenë ithtar i prejardhjes ilire të popullit shqiptar, shumë herë, deri në fund të jetës, nuk e ka eliminuar elementin trak. Prej veprës së parë Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe, në të cilën shqipja radhitet në grupin e gjuhëve indoevropiane si “e bija e trakishtes dhe e ilirishtes”, e deri më fund të jetës së tij, Çabej ka vazhduar ta diskutojë prejardhjen e popullit shqiptar dhe të gjuhës së tij, pa e mënjanuar krejtësisht tezën trake, por gjithnjë duke e plotësuar me elemente të reja tezën ilire, e cila sikur shprehej Çabej “sipas gjendjes historike e gjeografike që na paraqitet, fondin themelor të popullit shqiptar pas gjase e përbëjnë ilirët”.

Nëse mendimi i Joklit për elementin trak të prejardhjes shqiptare, mund t’i dedikohet mësuesit të tij Paul Kreçmer, diskutimi i Çabejt mbështetet pa dyshim mbi respektin për Joklin.

Ndonëse është Mikloshiqi ai që vuri bazat e ballkanistikës, do të jetë Jokli, ai që do ta përcaktojë jo vetëm shkallën marrëse të shqipes, por edhe shkallën dhënëse të saj, dhe do të jetë Çabej ai i cili do të bëjë sintezën e saj. Pasqyra e studiuesve të kësaj problematike sipas Joklit brenda studimeve ballkanike duket kështu: Mikloshiq – Gustav Meyer – Meyer – Lubke – Pedersen, ndërsa Çabej e plotësonte këtë pasqyrë edhe me Joklin, ashtu sikur mund ta plotësojmë ne sot me Çabejn. Por, mbase pamja më e saktë do të sigurohej sikur të shihnim personalitetet e tyre referuese në studimet ballkanike dhe albanologjike, ndonëse nuk janë të një moshe.

Norbert Jokli, për fushën e fonetikës historike do t’i referohet Pedersenit, por për shkak se edhe vet do të sjellë rezultate të reja, bashkë me të arriturat në fushë të morfologjisë, dyfish do të jetë i referuar nga Çabej; për latinitetin ballkanik edhe Jokli edhe Çabej do t’i referohen Meyer – Lubkes; për marrëdhëniet sllave që të dy do t’i referohen Mikloshiqit; për etimologjinë, bazë do ta kenë Majerin dhe do të kenë jo pak rezultate të përbashkëta për të mos thënë do të nxjerrin teza të përbashkëta; bazën e gjurmimeve dialektore-etnogjeografike dhe përgjithësisht leksikore të veriut të Shqipërisë, si Jokli ashtu edhe Çabej do ta vjelin nga Baron Nopça, ndërsa, baza dialektore dhe leksikore e dialektit jugor do të jetë kryesisht e ndryshme. Në fillimet e tyre Jokli dhe Çabej kanë bërë hulumtime në dy zona të skajshme: Jokli ka bërë hulumtime dialektore mbi të folmet e dialektit gegë në Shqipërinë verilindore, dhe do të shfrytëzojë Fjalorin e ri të Gazullit për veriun dhe Fjalorin e Konstandin Kristoforidhit për jugun, ndërsa Çabej do të shfrytëzojë fjalësin e vjelë ndër arbëreshët.

Per materialin Eqerem Cabej dhe Norbert Jokli
Eqerem Çabej

Ndonëse që në çerekun e parë të shekullit XX teoritë gjuhësore për gjuhësinë ballkanike kishin marrë hov, me Sandfeldin dhe të tjerë, për ne është me interes të duket se si gjatë kësaj kohe Jokli i është përmbajtur rreptësisht shkollës gjermane dhe e ka avancuar atë edhe më tej, dhe sesi Çabej i është përmbajtur asaj rreptësisht gjatë gjithë jetës, pa u ndalur dhe hulumtuar teoretizime të reja.

Duke kujtuar kontributin e Joklit në fushë të studimeve albanologjike, Çabej, shkruan:

“Jokli historinë e gjuhës shqipe me çështjet fonetike dhe leksikore të sajat, nuk e ka studiuar në një mënyrë të njëanshme e të izoluar, duke u kufizuar brenda caqeve të shqipes, po e ka trajtuar duke e pasur përherë parasysh gjendjen si na paraqitet te gjuhët që janë fqinje me shqipen. Marrëdhëniet e shqipes me gjuhët e tjera të Ballkanit janë një anë me rëndësi në metodën jokliane; përherë në të mbahet parasysh ç’ka marrë hua shqipja prej greqishtes (greqishtja e vjetër, e mesmja, e reja), serbo-kroatishtes, bullgarishtes e rumanishtes, dhe më anë tjetër, ç’u ka dhënë kjo atyre gjuhëve dhe dialekteve të tyre. Kështu gjurmimet e tij nuk i përkasin vetëm albanistikës; ato marrin karakterin e një vështrimi panballkanik, në kuptimin e Kristian Sandfeldit dhe në një fare vështrimi edhe të Gustav Majerit”.

Paralele të kërkimeve, në shikim të parë krejt formale, por si mikrostrukturë shumë të rëndësishme për studimet në fjalë, në mes Joklit dhe Çabejt, mund të gjenden edhe në mënyrën se si i janë qasur studimit të marrëdhënieve mes gjuhëve ballkanike. Le të shikojmë titujt që mbajnë studimet e mësuesit dhe nxënësit: Pak fjalë mbi disa elemente latine të fjalorit shqip (Jokli); Përmbi disa fjalë që nisin me –z, ose Histori fjalësh të sllavishtes e të shqipes (Çabej); Për historinë e diftonges shqipe –ua, -ue (Jokli); Për historinë e zanores ë në gjuhën shqipe (Çabej) etj. Pra, siç shihet edhe prej vetë titujve të tyre, në të gjitha rastet, fjala dhe elementet e saj kulturore, materiale, historike dhe gjeografike, si dhe struktura fonetike, morfologjike e semasiologjike bëhet objekt qendror i studimit, pavarësisht prej rezultateve që synohen.

Një element të rëndësishëm personal dhe shkencor mes Profesor Eqrem Çabejt dhe Joklit paraqet jo vetëm fakti se Çabej ka qenë kandidat për gradën e doktoratës, me të cilin, veç tjerash, ka mbajtur edhe një letërkëmbim personal e shkencor, por edhe fakti se si Jokli e ka përcjellë jetën dhe rezultatet shkencore të Çabejt. Duke iu referuar bibliografisë së Çabejt, të përgatitur me kompetencë nga Profesor dr. Jup Kastrati, ne kuptojmë se prej vitit 1933 e deri më 1940, Jokli ka shkruar trembëdhjetë recensione për veprat dhe madje studimet më të mira të Profesor Çabejt, vlerësimi i të cilave nuk mund të lidhet vetëm me obligimet e Joklit për buletinin Indogermanischen Jahrbuch. Përtej angazhimit të Joklit për bibliografinë shqiptare në përgjithësi, niveli i paraqitjes së Çabejt në këtë buletin tregon edhe interesimin për vlerësimin e zgjeruar që i bënte veprës së tij. Në anën tjetër, nuk e di a është e rëndësishme të thuhet, se nëse Jokli veprën e Çabejt e bëri objekt vlerësimi, Çabej veprën e Joklit gjatë gjithë jetës, me kujdesin më të madh, e bëri vepër studimi. Nëse Jokli, me mësimet e tij prej mësuesi dhe me vlerësimet e tij prej studiuesi, që u bëri nga fillimi veprave dhe studimeve të Çabejt, ishte shtytësi dhe mbrojtësi i parë i veprës së tij, Çabej gjatë gjithë jetës së tij, veprën e Joklit do ta ketë bërthamë të studimeve të veta.

Të kthehem edhe njëherë në fillim: Duke lexuar dhe rilexuar veprën e Çabejt dhe duke parë rezultatet e tij shkencore, kam mësuar se rezultatet e mëdha shkencore nuk arrihen nga një njeri dhe nga një brez studiuesish. Ato bëhen historike kur vlerat e tyre i provojnë njëri pas tjetrit mësuesi dhe nxënësi, aq më tepër kur ato i provojnë mësuesi dhe nxënësi që u takojnë dy brezave në vazhdim. Ata janë shembulli më i mirë se si duhet krijuar nxënësi dhe si duhet plotësuar mësuesi. Fjalën e kemi për një traditë të shkëlqyer dhe për shembullin se si duhet bërë ajo. Tradita e mësuesit dhe e nxënësit: Kreçmer – Jokli – Çabej etj., le, të jetë një shembull jo vetëm shkencor, por edhe kolegial se si duhet të organizojmë studimet albanologjike edhe sot.

Le të jetë kjo një prej arsyeve pse në këtë përvjetor kujtimi, veprës së Joklit dhe të Çabejt u jam qasur paralelisht: marrëdhënieve personale, të cilat u përfolën këtu, dhe ndërlidhjeve, respektivisht koncepteve e rezultateve shkencore, të cilat duhet qasur paralelisht jo vetëm me temat e kapura, por edhe me bazën shkencore të tyre. Kur një ditë të kemi një pasqyrë të plotë të studimeve dhe rezultateve të shkollës austro-gjermane dhe kur brenda saj të veçojmë shumë rezultate të papërsëritura të Norbert Joklit, atëherë mendimi ynë për studimet çabejane do të jetë më i saktë dhe më i plotë. Hapat e parë tashmë janë bërë. Sintezat e Profesor Shaban Demirajt për historinë e gjuhës e të prejardhjes së popullit shqiptar; Traktati i historisë së albanologjisë nga Profesor Jup Kastrati; sintezat dhe studimet e thelluara të Profesor Kolec Topallit e Rexhep Ismajlit në fushë të fonetikës historike; krahasimet dhe vlerësimet përimtuese të Profesor Idriz Ajetit, Profesor Petrit Kotrrit, të David Lukës e të Bardhyl Demirajt në fushë të etimologjisë etj., paraqesin rezultatet e para të këtij vlerësimi.

(Fragmente të një studimi më të gjatë)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!