BAJRAM KARABOLLI – DISA ANEKDOTA ME SHKRIMTARË HISPANIKË

1.
Jorge Luis Borges, ndërsa jepte leksione si profesor letërsie në universitet, pyeti një studente se ç’mendonte ajo për Shekspirin. Studentja iu përgjigj:
– I mërzitshëm. Të paktën me ato ç’ka shkruar deri tani.
– Ndoshta Shekspiri ende nuk ka shkruar për ju. Kushedi, e bën brenda pesë vitesh që vijnë.– i thotë Borgesi.
2.
Kur shkrimtari spanjoll, Camilo José Cela, sapo qe shpallur fitues i çmimit Nobel, një gazetar e pyeti:
– A ju ka çuditur fitimi i çmimit Nobel në Letërsi?
– Shumë. Mbi të gjitha, sepse prisja atë të Fizikës.– përgjigjet shkrimtari.
3.
Dramaturgun nobelist, Jacinto Benavente, e viziton një i njohuri i tij, një dramaturg jo shumë i njohur. Duke ardhur rrotull nëpër shtëpi, i habitur nga biblioteka shumë e pasur e të zotit të shtëpisë, miku gati klithi:
– Ua, don Jacinto! Me tërë këto libra mund të shkruash kushedi sa komedi të mrekullueshme.
– Merri, miku im. Janë të gjitha në dispozicionin tuaj,– ia kthen dramaturgu.
4.
Kur Alfonsi XIII e nderoi shkrimtarin dhe filozofin e shquar spanjoll, Miguel de Unamuno, duke i dhënë Kryqin e Madh, ky i fundit i thotë:
– Më nderoni, madhëri, duke më dhënë këtë kryq kaq të merituar.
– Po më çuditni. Shumica e atyre që e kanë marrë këtë kryq, më kanë siguruar se nuk e meritonin.
– Sigurisht, madhëri, ashtu ka qenë në rastin e tyre.
5.
Pas 20 vjetësh, Antonio Alcalá Galiano takohet me një të njohurën e tij.
– Don Antonio,- i thotë ajo e habitur,- sa qenkeni plakur?!
– As ju nuk jeni më e re,- ia kthen shkrimtari.– Por kështu u ndodh atyre që hipin për herë të parë në anije: u duket se është toka ajo që largohet prej tyre, ndërsa ata qëndrojnë në vend.
6.
Një gazetar në Romë, për ta provokuar Borges-in e pyet:
– A ka më kanibalë në vendin tuaj?
– Jo,- i përgjigjet shkrimtari.– Tashmë i kemi ngrënë të gjithë.
Përktheu Bajram Karabolli