Agron Tufa – ELEGJITË ROMAKE

Agron Tufa – ELEGJITË ROMAKE

Agron Tufa

ELEGJITË ROMAKE

Elegjia e parë

Të ecim bashkë, ta lëmë pas turmën
që ngutet, furet drejt bregdetit,
t’u biem prapë kryq e tërthor
piacave vuve të qytetit –
nën kumbe hapash si me brejll,
kalldrëmesh shurdhe si qivuri,
të deshifrojmë dalëngadalë
një tekst të vdekur prej qëkuri.

Ndanë shkorretesh, pas harkadash,
mbi plloça guri bardh e zi –
një shah i pezullt kolonadash
ka dy mijë vjet që del remí.
Ka dy mijë vjet që krojet rrjedhin
dhe mbushen puset dy mijë vjet,
dhe kalbin shtat e shtat rish hedhin
pinus nigru-t mbi qytet.

Porsi vertebër krokodili –
Via e brerë që rreh drejt Portit
(si hekzametër pas Virgjilit
me ndjellazinë e shpejtë të mortit),
me peng të mbramë edhe njëherë,
gjakon kjo rrugë si vizë të lidhë –
Hapsinë e Kohë të pandërprerë
me unitetin Trup e Shpirt.

Elegjia e tretë

Si buall i artë përtesa u shtri përmbi fusha;
dihat përvëlimën afshrëndë qyteti antik nga rrënojat:
dritë terratisëse Tirreni, avuj të kripur, gëmusha
gjineshtre dhe pinus-e shtatlarta si karakolle –

më fort të habitura se të stepura, tek braktisej qyteti,
si zbrazeshin faltoret, licetë, garnizonet, sheshet;
si iknin karrot, skllevërit e, më së mbrami, deti –
dezertori i fundit – ia mbathi. Mandej çatisën rrebeshet

si lotë të valë që thërrmuan dhe tjegullat. Mbeti
sall tkurrja, ashtnori i bardhë prej mermeri;
mbetën vazot e mëdha, Janusi me atë grimë surrat që treti
në rrudha kohësh të ra; mozaikë e sarkofagë e, sidomos, terri –

me perde të rëndë dherash ra e fshehu gjithçka.
Këtu Vertumni s’ka punë! S’ka çfarë të ndryshojë –
gjersa përkthyesi maniak, Karonti, me varka të mëdha
i ktheu në Hades të gjithë: me vollë e pa vollë në gojë –

madje dhe pa copyright. Ja ç’paturpësi: pirateri
ndaj vetë Demiurgut! Dhe nëse flasim për Qenien në pikë paniku –
ajo nuk u zhbë – së thelli frymon me fyej pinus-esh përmbi,
si një i zhytur që pret sa të kalojë rreziku…

ELEGJITË ROMAKE
Elegjia e katërt

Maria Stepanovës

Kur si lulesë me vesë u shkund ky qytet,
kur mugullim’ e fundit u shkërmoq në hi
dhe mbeti vetëm emri, ndonjë inicial i zbehtë
si sqep i thyer qokthi në përjetësi,

kur zulma dhe finesa zâmadhe e Adrianit
dergjet poshtë rrënojash në urna, në saksi,
ç’ndodhi poeteshë, o mbesë e Mandelshtamit,
me vendin e njeriut në Gjithësi?

Nga orët rëra rrodhi në duart e Satirëve.
Na sheh fytyr’ e Janusit prapa e ngërdheshur…
(fytyr’ e tij e re – stërdhëmbët e vampirëve
dhe pamjen – prej shenjtori llaftarisht të dhembshur.

si e stilizuar në Holliwood). Pra, mund
ta ndeshim vetë. Tete-â-tete. Dikush si palë
aleate, të tjerët, rroposur ndoshta, përfund
rrënojash – në Shtetin e tyre Ideal…

Elegjia e gjashtë

Kjo botë që dot nuk i kthen
dijet dhe diejt e kapërdirë,
hap buzët ndanë detit Tirren,
si molusku me perlë të ngrirë.
Vetëtin ftohtësi mbi mermer…
por duhen kaluar përskej
hamendjet, ndërgjegjja e brerë
dhe llumi përplot farisej,
dhe fara që mbolli mënxyrë…

U kthehemi rrënojave më mirë:
thesari vezullor drithëron
me rrathë vetëdijeje të mpirë;
përjetimin tonë e shkagon
prore në mahni. Dhe aty,
pa kufi, pa ndërruar cilësi,
zgjanohet sarkofagu ynë –
anonim, si Koha kur hyn
dhe shplahet në Përjetësi.

Me fantazma kuptimesh të vjetra
përpëlitet mendimi – ulok,
rrëmon si fajkua me kthetra
të sqepojë atë që s’e rrok –
atë gosti njerëzish e hyjsh
me thelbet që patën për zemër,
dhe fjala, xheloze, sërish
e mundur tërhiqet si shemër.

…Se është vullnet Demiurgu –
mister i vulosur me dyllë…
ndaj buzët që hapi, molusku
nxiton mbi rrënoja t’i mbyllë.

Elegjia e shtatë

(hekzametër)

Si shirit mërkuri feks e shuhet e tashmja në Ostia.
Mbaruan portikët, kolonadat, kapitolet: kalldrëmi –
dërrmuar sos si kokë petashuqe krokodili. Tash ja,
prehet në humusin e fushës; ndërmend hyun që e nëmi,
ndërsa nofullashtrënguar mban kohën e shkuar ndër dhëmbë:
pa brohori, plaçkë lufte, pa kërkëllima koçish, këngë;
tash pa shtyllat me të kryqëzuar, pa këndellje mjeshtrish…
Qyteti sos; na gostit me do manaferra kokërrmëdha,
të brishta e të ndritshme si sy të vesuar të vdekurish.
Dhe duket sikur një falltar i verbër na thotë zëmekur:
“Ngjëroni këso gjelle dhe kujtojini ata të vdekur,
ju, o shortarë të Hadesit, – kujtojini edhe ata…”

ELEGJITË ROMAKE
Elegjia e dhjetë

(peizazh)

Kanoset mbi det hën’ e rrumbullt,
si kungull në ujëra të bjerë,
ndaj deti dallgën e turbullt
e shtron mëndafsh në rërë.

Si një kungull butaforik –
zgërdheshet hëna mbi ujë.
Deti i gjithë në panik
druhet mos bëjë bujë.

Por hëna ka marrë rrokullimën,
si kungull të plaset mbi valë.
Deti si kone lëpihet,
sall mos ketë skandal…

Se ja, kuqëlon fare afër –
kungull dekorativ i pazë;
po valët të gjitha në satër
deti i shkon një nga një.

-Po kush e bindi t’heqë dorë
kungullin të kthehet kah qielli?
-Citatet prej yjsh këshilltarë
qëmtuar nga vetë Virgjili.

Elegjia e njëmbëdhjetë

Osip Mandelshtami

Thonë: “Të gjitha rrugët të çojnë në Romë”.
Po kurrë nuk e sollën, as herët, as vonë –
atë që duhej, që e pat peng gjithmonë.

Rravgimit të tij dhe vetë fati i shmangej –
si polet e magnetit do ta bënin të trandej
objektin që prek adhurimin. Prandej,

erërat e mënxyrës që e rrahën këtë tokë,
e plasën në burg, çmendinë, Vlladivostok,
ia rropën qerpikët me qepalla, kokërdhokë,

dhe dimri siberian me dëborë e llohë –
e mbajti buz’ Lumi, kryqëzuar në Kohë,
dhe, ajme! ai Romën kurrë s’do ta shohë…

Elegjia e dymbëdhjetë

Osip Mandelshtamit

Mund të rrosh, natyrisht, e të vdesësh
Romën kurrë pa e parë…
sikundër dhe vdekjen ta presësh
gjithë jetës në Romë – barbar.

Ndjehem këtu – tek shtëpia.
Në vatrën atërore, më saktë.
Dhe të gjitha sinoret e mia
i ther një klithmë e paqartë

e grimëkohës së njohjes, siç tha
poeti që Romën e deshi. Prej nga
Erebi m’i dha sytë e tij hua,
të shoh çka dot ai nuk pa.

Nga gjitha ligjësitë gjenetike
prej mishi e gjaku në asht,
dhuntia dhe fryma fisnike
janë lënë jashtë

trashëgimisë. Këtë mund ta presësh
veç si një jerm arbitrar.
Se mund të rrosh e të vdesësh
edhe midis Romës, barbar.


Biografi e shkurtër e autorit

Agron Tufa u lind në 1 prill 1967. Pas studimeve për Gjuhë-Letërsi në Tiranë, ai mbaroi studimet në Institutin Gorkij të Moskës. Më pas vazhdoi studimet pasdiplomike për Filozofi arti dhe Përkthimi në Institutin e Kulturave Europiane, po në Moskë.

Përgjatë më shumë se 20 vjetëve krijimtari, ka botuar vëllime poezish: Aty te portat SkeeRrethinat e AtlantidësAvangardë engjëjsh, Fryma mbi ujëra, Gjurma në rrjedhë; romane: Dueli, Fabula rasa, Mërkuna e zezë, Tenxherja, Gurit të varrit ia rrëfej; ese: Janusi qindfytyrësh, Kuja e Mnemozinës etj.; libër me miniatura: Thembra e akcilit, si dhe ka përkthyer poetët dhe shkrimtarët më të mirë rusë në shqip: Osip Mandelshtam, Josif Brodskij, Olga Sjedakova, Boris Pasternak, Andrej Pllatonov, Danjill Harms, Jurij Llotman, Vladimir Prop, Tolstoj etj.

Ka marrë shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare – Penda e Argjendtë për romanin më të mirë (Fabula rasa). Në 2009 fitoi Çmimin e Madh Letrar (kombëtar).

Poezitë e tij janë përkthyer në anglisht, frëngjisht, italisht, gjermanisht, spanjisht, rusisht, rumanisht, polonisht, sllovenisht etj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!