FJALIMI I KANCELARES MERKEL MBI SITUATËN E KRIJUAR NGA KORONAVIRUSI

FJALIMI I KANCELARES MERKEL MBI SITUATËN E KRIJUAR NGA KORONAVIRUSI
ANGELA MERKEL

FJALIMI I KANCELARES MERKEL MBI SITUATËN E KRIJUAR NGA KORONAVIRUSI

Të dashur qytetare, të dashur qytetarë,

Aktualisht, koronavirusi e ka ndryshuar në mënyrë domethënëse jetën në vendin tonë. Si kurrë më parë po vihet në provë përfytyrimi ynë për normalitetin, për jetën publike, për shoqërinë me njëri-tjetrin. Miliona prej jush nuk mund të shkojnë në punë, fëmijët tuaj nuk mund të venë në shkollë apo në kopsht; teatrot, kinematë dhe dyqanet janë të mbyllura dhe, çka është ndoshta edhe më e vështirë, të gjithëve na mungojnë takimet me njëri-tjetrin, të cilat në një situatë tjetër do të ishin krejt të natyrshme.

Është e vetëkuptueshme që, në një situatë të tillë, secilit prej nesh t’i lindin pyetje e të ketë shqetësime të pafundme për atë se ç’do të ndodhë më tej. Sot po ju drejtohem në këtë mënyrë të pazakontë, sepse dëshiroj t’ju them nga çfarë udhëzohem unë si kancelare, por edhe të gjithë kolegët e mi në qeverinë federale. Jemi pjesë e një demokracie të hapur: i marrim dhe i shpjegojmë vendimet politike në mënyrë transparente; i përligjim sjelljen dhe komunikimin tonë në mënyrën sa më të mirë të mundshme, por edhe të kuptueshme. Unë besoj me vendosmëri, se ne mund ta përballojmë këtë detyrë, nëse të gjithë qytetaret dhe qytetarët e kuptojnë atë edhe si detyrë të tyren.  

Prandaj më lini t’ju them: kjo është diçka serioze. Merreni edhe ju seriozisht. Që prej pavarësisë së Gjermanisë… jo, që prej Luftës së Dytë Botërore, vendi ynë nuk është përballur kurrë me një sfidë të tillë, që e ka kaq të domosdoshme sjelljen tonë të përbashkët e në mënyrë solidare. Dua t’ju sqaroj se ku gjendemi aktualisht në këtë epidemi dhe çfarë kanë bërë qeveria e strukturat tona shtetërore për të mbrojtur gjithçka që na përket si bashkësi, me qëllim kufizimin e dëmeve ekonomike, sociale dhe kulturore. Por dua t’ju them, po ashtu, se përse për këtë nevojiteni edhe ju dhe se çfarë mund të bëjë secili prej jush për të dhënë ndihmesën e vet.

Fjalimi i kancelares Merkel mbi situatën e krijuar nga koronavirusi

Sa i përket epidemisë dhe gjithçkaje që do t’ju them në lidhje me të, është informacion që vjen prej konsultimeve të vazhdueshme të qeverisë federale me ekspertët e Institutit Robert Koch dhe me shkencëtarë e virologë të tjerë: në të gjithë botën, nën një trysni të lartë, po bëhen hulumtime, por nuk është gjetur ende një terapi apo një vaksinë që lufton koronavirusin. Për sa kohë gjendemi në këtë situatë, ka vetëm një gjë që mund të bëjmë, dhe kjo është dhënia e udhëzimeve se si duhet të veprojmë: të ngadalësojmë përhapjen e virusit, ta shtrijmë atë përgjatë muajve dhe të kursejmë kështu kohë. Kohë për të bërë kërkime mbi ndonjë medikament apo vaksinë. Mbi të gjitha, kohë që të kujdesemi në mënyrën më të mirë të mundshme ndaj atyre që janë të prekur.

Gjermania ka një sistem shëndetësor të shkëlqyer, ndoshta ndër më të mirët në botë. Kjo gjë mund të na ofrojë besim. Por edhe spitalet tona do të ishin të mbingarkuara, nëse në një kohë të shkurtër shtrohen një numër shumë i madh pacientësh, të cilët vuajnë nga një përparim i shpejtë e i rëndë i virusit koronal. Këto nuk janë thjesht shifra abstrakte në një statistikë. Ky pacient mund të jetë një baba a gjysh, një nënë a gjyshe, një partnere a partner. Janë njerëz. Dhe ne jemi një shoqëri, e cila e vlerëson jetën e çdokujt.  

Para së gjithash, dua të përfitoj nga ky rast për t’ju drejtuar të gjithëve atyre, që punojnë si doktorë a doktoresha, që janë të angazhuar në shërbimin e infermierisë, që kanë një funksion të posaçëm në spitalet tona, pra, që punojnë përgjithësisht në sistemin tonë shëndetësor. Në këtë luftë ju qëndroni për ne në ballë të betejës. Ju i shihni për herë të parë të sëmurët, ju shihni se sa i vështirë është në disa raste përparimi i këtyre infeksioneve. Ju shkoni çdo ditë në punë dhe jeni aty të pranishëm për njerëzit. Ajo që bëni ju është e jashtëzakonshme. Për këtë ju falënderoj nga thellësia e zemrës.

Atëherë, e gjithë kjo ka të bëjë me ngadalësimin e virusit në udhën e tij përmes Gjermanisë. Për këtë duhet të mbështetemi në një gjë, që është ekzistenciale: kufizimin e jetës publike, për aq kohë sa të mundemi. Sigurisht, me masë dhe në mënyrë të arsyeshme, sepse shteti do të vazhdojë të funksionojë; natyrisht, furnizimet do të vijojnë të sigurohen dhe duam që të ruajmë, sa më shumë të jetë e mundur, aktivitetin ekonomik. Por do të na duhet të kufizojmë gjithçka që vë në rrezik jetën e njerëzve, që mund të dëmtojë secilin prej nesh apo të gjithë shoqërinë tonë.

Fjalimi i kancelares Merkel mbi situatën e krijuar nga koronavirusi

Ne duhet të përpiqemi me sa mundemi për të kufizuar rrezikun e infektimit të dikujt nga dikush tjetër. E di se sa dramatike janë këto kufizime: nuk ka më aktivitete, nuk ka panaire, nuk ka koncerte dhe, mbi të gjitha, nuk ka më shkolla, universitete, kopshte apo kënde lojërash për të luajtur. E di se sa e vështirë ka qenë për qeveritë federale e shtetërore të binin dakord për të mbyllur institucione, që ndikojnë në jetën dhe imazhin tonë demokratik.

Ka prej atyre kufizimeve, të cilat nuk kanë ndodhur kurrë më parë në Republikën Federale. Më lejoni t’ju them diçka: për dikë si unë, për të cilën liria e udhëtimit dhe lëvizja e lirë kanë qenë një e drejtë e fituar me vështirësi, të tilla kufizime përligjen vetëm në raste të nevojave absolute. Në demokraci, vendime të tilla nuk mund të merren kurrë me lehtësi, as edhe vetëm përkohësisht, por, në situatën ku ndodhemi, ato janë të domosdoshme për shpëtimin e jetëve. Kjo është arsyeja përse, që nga fillimi i javës janë përforcuar kontrollet kufitare dhe janë kufizuar hyrje-daljet me disa nga vendet tona më të rëndësishme fqinje. Tashmë është shumë e vështirë për ekonominë, për sipërmarrjet e mëdha dhe për bizneset e vogla, për dyqanet, restorantet, për të vetëpunësuarit apo ata që angazhohen me detyra të veçanta në kompani të ndryshme. Javët në vijim do të jenë edhe më të vështira.

Unë dua t’ju siguroj se qeveria gjermane po bën gjithçka mundet për të zbutur ndikimet në ekonomi, mbi të gjitha, për të mbrojtur vendet e punës. Ne mund dhe do të përdorim gjithë ç’është e nevojshme për të ndihmuar sipërmarrjet dhe punonjësit tanë në këtë provë të vështirë.

Po ashtu, dua t’ju siguroj të gjithëve, se furnizimi me ushqime është i sigurt dhe, nëse një ditë do të shihni rafte të boshatisura, ato do të mbushen sërish. Të gjithëve atyre që janë rrugës për në supermarket, dua t’ju them se është krejt e arsyeshme të keni rezerva ushqimore. Kështu ka qenë gjithmonë. Por, çdo gjë me masë. Të furnizohesh në të tillë mënyrë, sikur nuk do të kesh më kurrë mundësi të blesh diçka, kjo është një sjellje e pakuptimtë dhe, si përfundim, josolidare.

Më lejoni, po ashtu, të shpreh falënderimet e mia ndaj njerëzve, të cilët rrallë marrin falënderime. Kushdo që këto ditë punon si shitës apo që merret me sistemimin e ushqimeve në raftet e supermarketit, ai bën edhe punën më të vështirë për situatën ku gjendemi. Faleminderit që jeni aty për bashkëqytetarët tuaj dhe që ruani, në kuptimin e parë të fjalës, aktivitetin e dyqanit ku punoni. Tani le të flasim për atë që është edhe më e rëndësishme për mua: të gjitha masat qeveritare do të jenë të paefektshme, nëse nuk do të përdorim mjetet më të efektshme për të parandaluar përhapjen e shpejtë të virusit. Dhe këto mjete jemi vetë ne. Në të njëjtën mënyrë siç secili prej nesh, pa dallim, mund të preket nga virusi, në po atë mënyrë edhe mund të japim ndihmën tonë, në këtë çast.

Mbi të gjitha, duke e marrë seriozisht situatën e ditëve të sotme. Mos u frikësoni, por as mos mendoni për asnjë çast se ai apo ajo janë të parëndësishme. Asnjëri prej nesh nuk është i parëndësishëm. Të gjithë ju na nevojiteni dhe kjo kërkon përpjekjen e të gjithëve ne. Kjo është ajo ç’na mëson një epidemi: sa të prekshëm jemi që të gjithë, sa të varur jemi nga sjellja e të tjerëve, por edhe se si mund të mbrohemi e të forcohemi duke vepruar së bashku.

Fjalimi i kancelares Merkel mbi situatën e krijuar nga koronavirusi

Kjo varet nga të gjithë ne. Ne nuk jemi të dënuar të pranojmë në mënyrë pasive përhapjen e virusit. Në kemi një mjet kundër kësaj: duhet të mbajmë distancë nga njëri-tjetri. Këshilla e virologëve është e qartë: asnjë dhënie dore tashmë, larje e kujdesshme dhe e shpeshtë e duarve, së paku një metër e gjysmë distancë nga njëri-tjetri dhe më e mira do të ishte të mos kishim asnjë kontakt me të moshuarit, sepse ata janë veçanërisht më të rrezikuar nga ky virus. Pikërisht në këto kohë në nevojë ne duhet t’i qëndrojmë pranë njëri-tjetrit.

Ne jemi mësuar të kujdesemi për tjetrin duke iu gjendur pranë fizikisht apo duke e prekur. Fatkeqësisht, për këtë situatë vlen e kundërta. Dhe këtë duhet ta kuptojmë seriozisht të gjithë: në këto çaste, distanca është e vetmja shprehje e kujdesit ndaj tjetrit. Vizitat me qëllime të mira, udhëtimet, që nuk duhej të ishin ndërmarrë, të gjitha këto mund të nënkuptojnë infeksion dhe nuk duhen bërë. Ka një arsye përse specialistët thonë se gjyshërit e nipat nuk duhet të qëndrojnë më bashkë.

Ai që shmang takimet e panevojshme ndihmon të gjithë ata që u duhet të kujdesen çdo ditë për rastet e të infektuarve në spitale. Kështu mund të shpëtojmë jetë. Për shumë prej nesh kjo do të jetë e vështirë dhe prandaj nuk duhet të lëmë askënd vetëm, por të kujdesemi për gjithkënd që ka nevojë për kurajë e besim. Si familje e shoqëri ne do të gjejmë mënyra të tjera për t’i qëndruar pranë njëri-tjetrit. Në ditët e sotme ka plot mënyra të tilla kreative, të cilat parandalojnë virusin dhe pasojat e tij shoqërore.

Tashmë ka nipër e mbesa, të cilët regjistrojnë mesazhe zanore për gjyshërit e tyre, me qëllim që ato të mos ndihen vetëm. Ne të gjithë duhet të gjejmë mënyra për të treguar përulësinë dhe miqësinë tonë: skype, telefonata, e-mail-e dhe, mbase, edhe të shkruajmë letra. Posta do të funksionojë. Tani po dëgjojmë edhe për shembuj të mrekullueshëm të ndihmës që japin fqinjët ndaj atyre moshuarve, të cilët e kanë të pamundur t’i blejnë vetë ushqimet e tyre. Jam e sigurt se ka edhe më shumë dhe ne do ta tregojmë si shoqëri, se nuk e lëmë njëri-tjetrin vetëm.

Ju bëj thirrje që t’ju përmbaheni rregullave, të cilat vlejnë tashmë për ditët në vijim. Qeveria do të rishohë sërish se ç’mund të bëhet më mirë, por edhe se ç’gjë tjetër mund të jetë e nevojshme për t’u bërë. Kjo është një situatë dinamike dhe ne do të qëndrojmë në gatishmëri për të mësuar, në atë mënyrë që në çdo kohë të mund të rimendojmë dhe riveprojmë me mjete të tjera. Por do të keni edhe sqarimet tona. Prandaj, ju lutem, mos u besoni thashethemeve. Besojuni vetëm njoftimeve zyrtare, të cilat gjithmonë i kemi ofruar të përkthyera edhe në shumë gjuhë të tjera të huaja.

Ne jemi vend demokratik. Ne nuk jetojmë nga detyrimi, por nga pjesëmarrja dhe dija jonë e përbashkët. Kjo është një detyrë historike dhe mund të kryhet vetëm duke qenë të bashkuar. Jam absolutisht e sigurt që do ta kapërcejmë këtë krizë. Por sa shumë viktima do të ketë? Sa njerëz të dashur do të humbasim? Kjo është në dorën tonë, ndoshta në pjesën më të madhe të rasteve. Tani mund të reagojmë me vendosmëri ndaj njëri-tjetrit. Mund t’i pranojmë kufizimet aktuale dhe të qëndrojmë pranë njëri-tjetrit.

Kjo situatë është serioze dhe e hapur. Që do të thotë se nuk varet vetëm nga disiplina që do të tregojë secili prej nesh në ndjekjen dhe zbatimin e rregullave, por sigurisht që varet edhe prej kësaj. Edhe pse nuk kemi përjetuar kurrë më parë diçka të ngjashme, ne duhet të tregojmë se dimë të sillemi me zemër e në mënyrë të arsyeshme dhe se kështu shpëtojmë edhe jetë. Kjo ka të bëjë pa përjashtim me secilin prej nesh në veçanti, por edhe me të gjithë ne bashkë.

Kujdesuni për veten dhe për të dashurit tuaj! Ju falënderoj!

Përktheu: Hysni NDREU

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!