Agron TUFA – Identifikimi traumatik i kohës në novelën “Katundi me gjuhë të fshehtë” të Martin Camajt

Agron TUFA – Identifikimi traumatik i kohës në novelën “Katundi me gjuhë të fshehtë” të Martin Camajt

Agron TUFA

Identifikimi traumatik i kohës në novelën “Katundi me gjuhë të fshehtë” të Martin Camajt

Premisë

Koha dhe gjuha janë dy nga polet më të fuqishme që mpiksin universin letrar të Martin Camajt. Edhe kryetema e Camajt, në krejt krijimtarinë e tij, është fati i frymorit në vorbullën e kohës, fati i qenies efemere përballë kohës, apo më saktë, habia se çfarë është në gjendje të bëjë koha me njeriun. Një kredo që do t’i shkonte më përshtat një filozofi se sa një shkrimtari, por që Camaj e shpërnguli këtë diskurs në veprën letrare nëpërmjet imazhit të njeriut të vetmuar, ishullor, edhe në metropolet e zhurmshme të qyteteve të Europës. Nga kjo pikëpamje, teza e hedhur ku përvjedhtazi në shtyp e ku me gjysmëzëri “nën banakun” e rretheve shkencore e letrare se krijimtaria e Camajt “është disi jashtë mode, rurale”, shpreh ose moskuptim t’pashpresë, ose ligësi të përllogaritur.

Katundi me gjuhë të fshehtë

Në novelën e Camajt “Katundi me gjuhë të fshehtë”, ndryshe nga poezitë dhe prozat e tjera të tij, ndeshemi me përjetimin e kohës si kategori psikotraumatike. “E fshehta/fshehtësia” si dominante në këtë novelë lejon shfaqjen e parabolës së një udhëtimi dhe bujtjeje në viset e vdekjes dhe kthimin prej andej me një vetëdije të traumatizuar dhe të shprishur mbi rrjedhën racionale të kohës, të njohur në filozofinë dhe shkencat europiane si “shigjeta e kohës”. “Fshehtësia” në novelën e Camajt aq sa lejon të shfaqet, po aq mbështjell me mjegull shenjat e përvijimit dhe zbardhjes së saj. Në këtë “fshehtësi” lejohet përgjysmë të shfaqet ideja ciklike (karakteristike për mitin) e kohës – nga shtatori në shtator- kohë që përkon me kthimin e vazhdueshëm të personazhit në të njëjtin plazh bregdetar. Nga ana tjetër, kemi fshehjen e saktësimit kalendarik të kohës (vitit), çka do t’i jepte kohës karakter linear. Në dikotomitë “e fshehtë/ e dukshme” – e fshehtë mbetet hapësira, toposi i papërcaktuar i ngjarjes (një plazh diku buzë detit Jon), katundi i papërcaktuar mbas majëmalit, për të cilin dinë shumë gjëra përveç emrit të tij, disi krejt në frymën e prozave të Franc Kafkës. Mandej kemi emrat e e papërcaktuar të personazheve dhe identitetet e tyre (i huaji, vendasi).- Të dukshëm na jepen kuvendimet fantazmagorike të heroit me shembëlltyrën e rigjetur, Florën, një ish e dashur e tij e para njëzet vjetësh, të cilën e ndesh sapo shkel në katundin misterioz. Të dukshme janë dy kategori-simbole në novelë: Gjuha (e fshehtë) dhe Koha (e fetishizuar, pas përvojës së bujtjes te vdekja).

Ne do të përpiqemi të analizojmë përjetimin e traumatizuar të kohës në novelë, në rrekje për të kërkuar “gjuhën e fshehtë”, duke e parë përjetimin e kohës në këndvështrimin psiko-mitologjik, përvijimin e simboleve mitike në përvojën e traumës. Duke iu referuar K. L-Strosit se “miti është një makinë për shkatërrimin e kohës”, analiza jonë do të përqendrohet në kërkimin alegorik të rrënjëve të identitetit të kallura në kategoritë e gjuhës dhe kohës, si dhe përpjekjen e tendosur të qenies së njeriut vetmitar për t’i rezistuar karakterit dezintegrues të ndarjes nga gjuha e tij.

“ATJE… MAS… FLASIN SI JU”

Novela nis me shprehjen:

“Ata atje nalt flasin si ju” dhe kur heroi i narracionit gjendet mes atij vendi iluzor, ku pritet të “flasin si ai”, flet me shembëlltyrën e dashurisë së tij të rinisë:

“Kaq me randësi qenka për ty kjo rrethanë, me u marrë vesh në gjuhën e djepit?”

“Ashtë pak me thanë e djepit: e tamblit të gjiut! Çdo fjalë e saj përçohet si nëpër tejza të një athtie magjepsëse në veshë dhe më zgjon në qenien time ndija kuptimi të vetvetes e të botës mbarë. Nuk më zen besë?”

Fraza e parë e novelës me të cilën vendasi i huaj i drejtohet heroit – “Atje nalt flasin si ju” – na fut menjëherë në një fushë të polarizuar kuptimore. Më së paku kjo fjali e parë e ndërgjegjëson lexuesin se protagonisti qendror i rrëfimit a) është i huaj, b) ndodhet i prerë nga mjedisi i gjuhës amtare dhe c) (më vonë, pasi njihemi me veprimtarinë e tij si mbledhës i relikteve shpirtërore të emigruesve) – ai e gjurmon gjuhën e tij si një relikt të rrallë etnografik. Personazhet e rrëfimit njihen turbull. Përveç të huajit, është vendasi i parë me të cilin i huaji takohet çdo shtator në atë gji bregdeti jonik ku e ka bërë traditë të kalojë pushimet.

“Mbas Maje”…

Që në faqet e para të tekstit protagonistin e rrëfimit, përkundër vrojtimit të hollë dhe një aftësie analitike, e shoqëron pasiguria e kujtesës e deri diku, njëfarë déjà vu-je e papërcaktuar. Nuk ka emër, por jepet në tekst na jepet “i huaji”. I huaj në lidhje me kë? Për dy vendasit ai ka vetëm përshtypjen se dikund janë takuar, por kjo është vetëmse hamendje e pasigurt. I huaji është më i pasigurt se dy vendasit, të cilët duket se e mbajnë mend më mirë atë, meqenëse çdo shtator i kujtojnë atij se “Mbas asaj maje flasin si ju”. Më vonë, nga fundi i rrëfimit sqarohet edhe më fort rrethana, ku del se dy vendasit, i pari prej të cilëve tani identifikohet me emrin e vet (Sandri), e njohin mirë të huajin, sepse njëri sosh thotë:

“Ky asht një gjurmues – ndërhyni Sandri – dhe pati ardhë për të mbledhë landë mbi emigrimin e banorëve nga vendet pasive, ndër male, në shmang. Ky thoshte se donte me u përnjisue me ata që lanë vendlindjen e mandej kthejnë përsëri. Im kushri e unë e kemi përcjellë gjithkund ndër ato katunde gjysmë të lëshueme, thellë ndër male”. Pra, del se i pasigurtë në kujtesën e vet është vetëm i huaji.

Përveç pasigurisë së identiteteve të personazheve, e pasigurtë dhe e tretur ndër aluzione është biseda që ata bëjnë, e pasigurtë është vendndodhja e fshatit të fshehur pas majës së malit, pasi prej bregdetit shihet në majë vetëmse antena e televizorit; e pasigurtë është hamendja mbi gjuhën e supozuar që flet ai katund. I pasigurt është vetë i huaji, i cili dyshon se dy vendasit që qëndrojnë në tavolina të ndryshme, kanë ardhë aty kinse për ta ndeshë rastësisht. Duket se uji i detit dhe koha e plazhit e thellojnë këtë pasiguri, ngase personazhi qendror, i huaji, nuk është në gjendje të ndërmendë asgjë të sigurtë. Ndërdyshjen e thekson edhe motivimi i tij, fakti i përsëritur për të ardhur çdo shtator në këtë gji deti jugor. Ai i thotë vendasit të dytë (i cili përton me marrë udhën për tek katundi ku mendohet se flitet gjuha e tij, ngase thotë se ka ardhë në det dhe s’i duket “aspak e arsyeshme për me marrë malet”). Por i huaji i thotë:

“Për t’u la në det paske ardhë këtu? Në shtator, kur uji e moti ftohen! Me të thanë të vërtetën, unë s’di pse vij në këtë kohë këndej; kush e di, në fund të zemrës rrekem gjithnjë me mendimin që ta bjerë puna me u ngjitë te katundi ku u flitka një gjuhë që unë e kuptuakam”.

Edhe motivi pse i huaji vjen çdo shtator në këto ujëra, kur moti nuk është i përshtatshëm për plazh, mbetet i paqartë, i fshehtë. Duket se stihia e ujit të ftohtë dhe motit të turbullt nuk sqarojnë, por thellojnë ndërdyshjen, pasigurinë e kujtesës. Vetmia e të huajit që vjen fillikat buzë detit çdo shtator me kujtesë të bjerrur, të sjell ndërmend ujin mitik të Letës, që shplan kujtesën.

Megjithatë, megjithë këto pasiguri, ekziston një këmbëngulje e madhe për t’iu ngjitur Majës pas së cilës ndodhet katundi me gjuhë të fshehtë dhe është vendasi i pari që merr vendimin për t’iu ngjitur majës, megjithë përtacinë dhe kinse përtesën e vendasit të dytë. Vendasi i parë i mëshon këmbënguljes së vet me lutjen:

“Hajt, mos ma prishni! Ky – tha tue shënue kah i huaji – kush e di a ka për të pasë një rast të tillë në jetë të ndërrojë katër o pesë fjali me ata që flasin si ai”.

Novela do të kishte patur një efekt artistik më të fuqishëm, nëse enigma e bujtjes së të huajit, në katundin me gjuhë si e tij, të mos ishte sqaruar në fund të tekstit prej gjellëbamësit.

Misteri që mëtohet të mbërrihet në novelë është ekzistenca e një katundi që fliska si protagonisti i rrëfimit, i yshtur, përkrahur dhe i ndihmuar prej dy vendasve. I gjithë udhëtimi dhe, në përgjithësi veprimi, i ngjan një situate ëndrre apo gjendjeje somnambul. Duket se i vetmi motiv i dy vendasve për ta shpënë të huajin në katundin misterioz, jepet kur njëri prej tyre thotë:

“Se ai, – e tregoi me gisht shokun – edhe unë mjaft dëshiroj me të ndëgjue si ti flet me ata, atje!”, por, paradoksalisht, prej po këtij motivi vendasi heq dorë kur makina mbërrin në majën nga ku duket fshati:

“Pse nuk po vini me mue?”

“S’jam kurreshtar me ditë si flitni. Mandej jam i bindun se sikur të vij me ju, ju pengoj në kuvendim…”.

ISH-E DASHURA ËSHTË GJUHA

Vizitori i huaj ka hyrë tashmë në katund, pamja e të cilit përshkruhet nën zhegun e mesditës pa frymë njeriu dhe me dritare të mbylluna. Protagonisti është gati në të kthyer, “sikur të mos ishte dukë në një ballkon guri gruaja e veshur në zi, me një shall ngjyrë të blerë të mbyllët krahëve. Kjo çoi dorën e përshendeti, tue buzëqeshë, burrin të cilit iu kujtue fytyra dhe kryekreje gazi në buzët e saj”.

Protagonisti ka takuar papritmas ish të dashurën e vet të viteve studentore, Florën, tashmë një grua e vetmuar, me gjasë, vejushë. Pjesa me madhe e rrëfimit të novelës përshkruan bujtjen e të huajit, deri në mbrëmje, në shtëpinë e ish të dashurës së djalërisë, e cila është larguar një ditë papritmas, pa i dhënë lamtumirë. Pjesa e dytë e novelës i përngjet një epilogu, ku personazhi kthehet në të njëjtën kohë, në të njëjtin bregdet, pas dhjetë vitesh, por që në vetëdijen e tij janë reduktuar në tre vite. Kjo është, si të thuash, edhe pjesa sqaruese dhe ballafaquese në lidhje me iluzionin e bujtjes në një katund që nuk ekziston dhe e përjetimit të ngadalësuar të kohës.

Protagonisti i novelës “Katundi me gjuhë të fshehtë”, i huaji, na paraqitet me çrregullime kujtese, déjà vu dhe kujtime të rreme. Vektori i përjetimit të kohës së tij, nga është e kthyer dhe vetëdija dhe veprimtaria e tij – është e shkuara, sikundërse është dhe profesioni me të cilin merret – gjurmues i relikteve në zonat e braktisura nga emigrantët. Një prej problemeve qendrore në përvetësimin e Dialogut të tij me Botën është pamundësia për t’u gjendur në kohën e tashme, duke e kredhur atë psikologjikisht kah e shkuara. Pesha rënduese e së shkuarës, vetmia dhe nostalgjia ushtrojnë një trysni tëhuajësuese të subjektit përjetues në të gjithë personazhet e Camajt.

I huaji i novelës “Katundi…” është një emigrant i prerë nga mjedisi dhe gjuha amtare, prandaj metafora e kërkuesit të relikteve, është një imazh i afërt e autobiografik i njeriut që përjeton ankthin e përhershëm të nostalgjisë, duke shpresuar se koha do ta shndërrojë qenien ose në mjellmë, ose në narciz. Ky udhëtim i ankthshëm fytyrëkthyer nga e shkuara rreh të rizbulojë veten, aq sa i shmanget të tashmes ishullore.

NJË ODISE TE KALIPSOJA

Heroi i novelës “Katundi…”, i huaji, shndërrohet në një Odise në kërkim të rizbulimit të dëshmive të vetvetes së kërcënuar me harresë. “Malli, dëshirë e përjetës/ e jo mallëngjimi, gurgull frymëshkurtë/ e joshi Uliksin me kthye i kulluem/ atje kah ishte nisë”, thotë Camaj në poezinë “Çka i duhej Uliksit Itaka pa grue”. Dhe një rol të tillë në novelë, të gjurmimit të Itakës së vet, është për protagonistin e rrëfimit Gjuha. Malli për një takim me gjuhën amtare e motivon udhëtimin e tij në Katundin ku thuhej se flisnin si ai. Por kjo Itakë e gjuhës së fshehtë në katundin iluzor i shfaqet në trajtën e fantazmës së ish të dashurës, me të cilën është ndarë pa lamtumirë, në rrethana jashtë vullnetit të tij. Ky Odise në kërkim të gjuhës, sapo zhgënjehet nga pamja e ish të dashurës, e ndjen veten të ngujuar, ashtu si Uliksi në siujdhesën e nimfës Kalipso. Meqenëse zhduket iluzioni se në atë katund ka njerëz që flasin si ai, atëherë dhe qëndrimi i tij bëhet i përdhunshëm. “I zhgënjyer rrinte ndërdyzash përpara derës së hapun të grues që quhej Flora, para një labirinti apo hymje burgu, mbas dënimi shumëvjeçar”. Gjatë përshkrimit të banesës ka analogji që të ndërmendin shpellën e Kalipsosë. Por tashmë pa gjuhën, kjo është një Kalipso e rënë nga vakti, pa asgjë magjike që mban rininë e përjetshme. Ajo nuk është më Kalipsoja e parë, Flora me shtatin e hollë si nepërkë, që qëndronte e fshehur pas kurtinës së tejpashme dhe përgatiste ilaçet që i hiqnin atij dhimbjet e kokës. Ajo është një Florë e vyshkur, pa efektin magjik të barnave.

Kjo fantazmë Kalipsoje s’ka më asgjë me se ta mahnisë Odiseun e saj, e lë të ikë. I huaji largohet nën dritën e hënës, duke e lënë prapa fshatin e çuditshëm pa banorë të tjerë. Protagonistit nuk i kujtohen 7 vjet kohë (aq sa pati qëndruar i ngujuar edhe Odisea në siujdhesën e Kalipsosë), pas përvojës së kësaj bujtjeje, i cila na sqarohet se ka ardhë si traumë automobilistike gjatë rrugës për në Katundin “ku flasin si ai”.
Këmbimi i gjuhës me ish të dashurën dhe mandej zhgënjimi i dyfishtë, prej të dyjave, ka sjellë në vetëdijen e personazhit “kundërshtimin e kujtesës” për shtatë vjet, një çrregullim të përjetimit linear të kohës:

“A je ti apo hija e atij që po kujtoj unë ? – e pyeti (vendasi).

“Ti je ai që na pate lanë në rrugë mua e atë… atë që drejtonte makinën. Tash po më kujtohesh edhe ti! Sandër, të quejnë ty.”

“Mbas dhjetë vjetësh të ra ndërmend!…

“Në kohë po gabohesh: s’janë dhjetë, por tri…

I huaji nuk don të zërë besë, por më në fund, nën dëshmitë e të tjerëve në restorant, gjendet si heroi i Niçes: “Kujtesa ime pohon, se unë e kam bërë këtë: krenaria ime thotë, jo nuk e kam bërë; në fund të fundit, kujtesa ime dorëzohet”.

One thought on “Agron TUFA – Identifikimi traumatik i kohës në novelën “Katundi me gjuhë të fshehtë” të Martin Camajt

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!