KRISTAQ JORGO – ARTI si KRIM

KRISTAQ JORGO – ARTI si KRIM

KRISTAQ JORGO

ARTI si KRIM

Ky status – titulli blasfemues, në të vërtetë provokues i të cilit do t’ju befasojë – lindi në formën e dialogut me mikun e kolegun HYSNI NDREU në vijë të një trajtese të shkëlqyer të tij (“MBI PËRÇUDNIMIN E IDHUJVE”), që merrte shkas prej dy “kryeveprave” të mëposhtme, përuruar (“përmallkuar” do të qe fjala më e saktë) paraditen e së Kremtes së 28 Nëntorit në Prizren.



HYSNI NDREU

MBI PËRÇUDNIMIN E IDHUJVE

Skulptura, përpara se të jetë një objekt konkret, i prekshëm, prej balte, qeramike, druri, guri a bronzi, është një objekt shpirtëror; është një objekt që hyn më thellë e shkon më përtej baltës, qeramikës, gurit, drurit a bronzit. Duke hyrë më thellë e duke shkuar më tej, gjer në transhendencë, ajo krijon një botë të sajën, brenda së cilës ti sheh, reflekton, ndien, kupton.

Balta, guri, druri, bronzi a qeramika shndërrohen, pra, në një “frymor”, me të cilin mund të bisedosh, të bësh një foto, ta përqafosh, ta nderosh, pse jo, edhe ta adhurosh.

Në çdo rast, në një mënyrë a një tjetër, ai të përfaqëson ty; në mos ty, një të fisit, krahinës, kombit tënd; përfaqëson identitetin tënd, historik, kulturor a fetar; përfaqëson të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen tënde.

Që balta, qeramika, guri, druri a bronzi të shndërrohen në “frymorë”, më së pari duhet që frymori-skulptor, domethënë artisti, të jetë përfshirë emocionalisht, logjikisht, historikisht, antropologjikisht, kulturorisht në botën e personazhit që ka vendosur ta shndërrojë në skulpturë. Duhet, pra, të hyjë thellë bronzit, qeramikës, baltës, gurit a drurit, të shkojë më tej konkretes së tyre, gjer në transhendencë, në të padukshmen që duket. Të përkapë prej këtu aurën që rretheqarkon personazhin dhe mbi bazën e kësaj aure të gdhendë baltën, gurin, drurin, qeramikën, bronzin. Vetëm kështu do të mund të emocionoheshim përballë shtatores a bustit të Gjergj Kastriotit, Adem Jasharit, Ismail Qemalit e me radhë.

Në skulpturat e mëposhtme, si dhe në plot të tjera nëpër Shqipëri e Dardani, nuk është shkuar më tej, as është futur më thellë, as na është dhënë aura. Ato janë, pra, skulptura të paaurta e, si të tilla, mbeten thjesht gur, baltë, dru, qeramikë, bronz.”



KRISTAQ JORGO

Urimet më të mira për trajtesën e thelluar!

Veç një pyetje: Pse ‘fyen’ gurin, baltën, drurin, qeramikën, bronzin i dashur mik?

Natyrisht, kjo pyetje nuk shpreh një moskuptim, sado të vogël, të statusit tënd të shkëlqyer, me të cilin – e tepërt ta them – pajtohem krejt. Ajo është vijim e përforcim i shqetësimit që ti ngre, në trajtën e një provokimi. Provokim që mori shkas prej frazës së fundit: “Ato janë, pra, skulptura të paaurta e, si të tilla, mbeten thjesht gur, baltë, dru, qeramikë, bronz.”

Jo. Ku ta gjenim të mbeteshin thjesht të tilla! Pse çdo lëndë e natyrës, në trajtën e vet gjenuine, ka dhe ajo – aq sa e ka – ‘shpirtin’ e vet, madje në duam, edhe ‘aurën’ e vet. (Më vjen ndërmend përgjigjja epike e Lasgush Poradecit ndaj habisë mospajtuese të Ismail Kadaresë – e me siguri të çdokujt prej nesh pa përjashtim – për cilësimin nga Mjeshtri të prozës (në raport me poezinë) si “BALTË”: “PO A KA GJË MË MADHËSHTORE SE BALTA?”) Edhe nga kjo pikëpamje krahas të tjerash, ato, fotot e të cilave i kemi këtu, NUK janë vepra, madje as ‘zhvepra’.

Janë KRIME! Të katërfishta:

KRIME ndaj simboleve të ndritura të Kombit,

KRIME ndaj bashkësisë: asaj të sotmes e të brezave që vijnë,

KRIME ndaj idesë sublime të Artit dhe, së fundi,

KRIME ndaj lëndës vetë, me të cilën tre krimet e para, gjakftohtësisht dhe (pa)përgjegjshmërisht janë kryer.

Për ta mbyllur: A nuk na e zbulon Shqipja potencialin kriminal që një ‘vepër’ ‘arti’ mundet të bartë, në vetë fjalën KRI(ji)M?

Dhe për ta çuar deri në skaj fshehje-zbulimin e ESENCËS së fenomenit artistik që Shqipja magjike mundëson në këtë rast, le të na lindë e drejta, me anë të një spekulacioni të pranueshëm si ai më lart, të themi: Pa atë “JI!”, (KriJI!m/ Bëhu! / TË BËHET!) të DEMIURGUT- Artist, pra PA Frymën/Shpirtin Vetëkrijues e Vetëgjallues të Veprës së Artit, çdo KRIJIM, pa atë JI! të brendashkruar, a nuk mbetet të jetë veçse një KRIM?

ARTI si KRIM
Shtatorja e Gjergj Kastriotit, përuruar më 28 Nëntor 2020, në Prizren
ARTI si KRIM
Shtatorja e Adem Jasharit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!