AGRON TUFA – LETËRSIA E BURGUT DHE MORALI I SAJ HUMAN

AGRON TUFA – LETËRSIA E BURGUT DHE MORALI I SAJ HUMAN

AGRON TUFA

LETËRSIA E BURGUT DHE MORALI I SAJ HUMAN

Ende nuk e njohim letërsinë e burgut dhe, më gjerë, letërsinë e shkruar nga shkrimtarët e burgosurit për shkaqe “politike”. E fus në thonjëza fjalën politike, sepse diktatura edhe po të mos e kishe të shpallur ndërgjegjen tënde të kundërshtimit, do ta sajonte sa më lehtë, e mundësisht, sa më trashë një pretekst arresti e dënimi. Them nuk e njohim ende të plotë këtë letërsi të burgut, të cilën shkrimtari Visar Zhiti (edhe ky një ish-i burgosur i famshëm) e ka pagëzuar me nocionin ndoshta më të saktë: Burgologji. Ky nocion tashmë është shndërruar në term operativ sa herë merret në shqyrtim kritik narrativa letrare e memuaristike mbi lëndën e burgut. Vetëm dy vitet e fundit nga Instituti i Studimeve të Krimeve she Pasojave të Komunizmit dolën në dritë dy vepra kapitale: “Orlandi i çmendun” poema epike kalorsiake e Ludovigo Ariostos e përkthyer përgjatë 18 viteve në burgjet dhe kampet e internimit nga prof. Guljelm Deda, në dy vëllime, me rreth 1700 faqe; një përkthim si mjet mbijetese për t’i shpëtuar çmendurisë, i realizuar nën ritmin e goditjeve të kazmës në punë të rënda bujqësie, tharje kënetash etj. Dorëshkrimi i përkthimit janë rreth 500 fletore me shkrim të imët dore. Dorëshkrimi tjetër është botimi i pjesës së parë të “Fjaor i Shtjelluem Enciklopedik i Shqipes” i Atë Benedik Demës, i gjetur në arkivat e Sigurimit të Shtetit, edhe kjo, një vepër kapitale rreth 3000 fletë me shkrim dore, i shkruar nga një prift “reaksionar”. Kam parë dhe pritet të botohen dorëshkrimet e romaneve të Dostojevskit, që janë përkthyer e kanë qarkulluar me fashikuj nëpër gjithë burgjet e Shqipërisë, përkthime nga origjinali nga i burgosuri Nazmi Saiti. Para dy-tre vitesh u botua një libër i rrallë me krijimtarinë poetike të Kujtim Aliajt (1940-1995), 200 faqe poezi të panjohura me titullin “Ndryshe nga çdo jetë” (Omsca-1, 2013), me parathënie të gjerë të Visar Zhitit, ish bashkëvuajtës i tij. Poeti burgoset që në moshën 17 vjeç dhe doli në liri vetëm pasi ra diktatura. Është poeti që u bë i tillë në burg, duke ëndërruar gjithë jetës lirinë. “Vërtet është një dukuri e veçantë dhe e rrallë në botë që poezinë ta mësosh e ta lexosh që në adoleshencë brenda në burg”, – thotë Zhiti në parathënie e librit. Por mendoj se në burgjet e komunizmit shqiptar kjo ka qenë një dukuri e rëndomtë. Poezitë e Kujtim Aliajt janë shkruar me lëndën reale të burgut, me lëndë vegimesh, shpresash e dëshirash, në metër e varg klasik. Ja një syresh:

Si hajduti kur hyn në një shtëpi
Dhe s'lë pa parë çfarë ka, çfarë s'ka,
Dhe sytë i mban nga dera përsëri,
Hyri erë në shpellë e në kala.
Prej andej arriti gjer në re,
Të çdo ngjyre i bëri vetëm gri,
Të cilat nuk e dinë as ato pse
Zotit të tyre i lindi kjo mëri.
Dhe u foli me një zë idhnak:
"Sonte dua borën, imja mbesë,
T'ia hidhni tokës pak nga pak
E bardha të mbulojë ç'është e zezë

Pra, meqë qenka kështu, meqë narrativa mbi lëndën e burgjeve vazhdon ende të botohet në trajtë romanesh, përkthimesh, fjalorësh, vëllimesh poetike, ditaresh e epistolaresh, do të thotë se as ne nuk e njohim të plotë (dhe as jemi kujdesur fort për këtë gjë), por as ajo nuk është bërë e gjitha “fakt letrar”, kryesisht për shkak edhe të indiferencë së plotë të, atmosferës mosmikpritëse e mosmirënjohëse që ekziston prej kohësh mes nesh.

Letërsia e burgut dhe morali i saj human
At Zef Pllumi

Letërsia e burgjeve (burgologjia) me autorët e saj ka ekzistuar e vazhdon të ekzistojë, pavarësisht nga shpërfillja jonë dhe mosdashja për t’i dhënë ndërin që i takon, thjesht në bazë të kritereve artistike që ajo i ka dëshmuar me tepri. Ka pasur gjithnjë zëra e zëtha se “ja, pritëm e pritëm, se çfarë do të na qenkësh kjo letërsia e burgjeve… po shiheni vetë, gjykojeni, s’na doli gjë”. Tingëllon hipokrit ky cinizëm, i cili, duke abstraguar nga liria e komoditeti që kanë gëzuar falë mercenarizmit, e kërkojnë heroikën e të pamundurën tek letërsia e burgut. Por nga ana tjetër janë të verbër e s’e shohin dot, pikërisht këtë heroikë e madhështi modeste.

Letërsia e burgut, sipas meje, është larmishme, e shumëllojshme dhe e dallueshme për nga gjeneratat që e kanë shkruar. Në fillim kemi të burgosurit dhe të pushkatuarit e para në prolog të diktaturës. Sepse diktatura këta shkrimtarë e poetë i burgosi dhe i pushkatoi me vetëdije të plotë, duke e ditë mirë se janë poetë e shkrimtarë, madje pikërisht pse ishin të tillë. Disa nga emrat më me peshë që u pushkatuan që në vitet e para të komunizmit janë: Lazër Shantoja (poet briliant, përkthyes e publicist), Dom Ndre Zadeja, Atë Anton Harapi, Bernardin Palaj, Beqir Çela, Qemal Draçini, Vinçens Prenushi, Ndoc Nikaj, Manush Peshkëpia, Trifon Xhagjika, Et’hem Haxhiademi, Lef Nosi, Gen Leka, Vilson Blloshmi, Havzi Nela. Për fat të keq, veprën e tyre postume sot e njohin vetëm specialistët. Antologjitë e krestomacitë shkollore janë të hapura kanatësh për ish poetët e partisë, por jo për t’i përfaqësuar këta poetë-martirë, në bazë të kritereve po them, rreptësisht artistike e estetike, më nga një fragment proze apo me një poezi lirike.

Letërsia e burgut dhe morali i saj human

Nga emrat e shkrimtarëve të mbijetuar, që arritën të dëshmojnë e të shkruajnë, ndër më të rëndësishmit, sipas meje janë Atë Zef Pllumi me trilogjinë “Rrno vetëm për me tregue”, një vepër e denjë epokale si dokument, si dëshmi, e si letërsi njëherësh, me vlera të pallogaritshme njohëse, edukatave, estetike e meditative. Në këtë hulli të prozës memuaristike janë shkruar me art e nerv edhe rrëfimet e mrekullueshme autobiografike të Petro Markos (“Retë dhe gurët”), Sami Repishtit (“Nën hijen e Rozafës”), Atë Konrad Gjolajt (“Çinarët”), Luan Myftiut (“Nën terrorin komunist”), Amik Kasoruhos (“Një ankth gjysmëshekullor”), Agim Mustës (“Gjenerali i zi, Nevzat Haznedari” dhe “Poligonët e vdekjes”), Fatbardha Saraçit (“Kalvari i grave në golgotën komuniste, dhe “Saga e dhimbjes””), Fatos Lubonjës (“Ridënimi”), Uran Kalakullës (“21 vjet burg komunist”), Maks Velos (“Koha antishenjë”), Sokrat Shytit (“Mbijetesa ime në kasollen e lopës”), Visar Zhitit (“Rrugët e ferrit”, “Ferri i çarë”, pa llogaritur poezitë e vëllimeve “Kujtesa e ajrit” dhe “Hedh një kafkë te këmbët tuaja”), Ejëll Çobës (“Jetë e humbun), Beqir Ajazit (“Nga shkaba me kurorë te drapri me çekan”), sikundërse dhe librat memuaristikë e reflektivë të Ahmet Bushatit, Tomorr Alikos, Pjetër Arbnorit, Bedri Çokut, Dom Simon Jubanit, librat memuaristikë të Shkelqim Abazit “Repsi” dhe “Spaçi”, apë memuaret e Maks Rakipajt “Gjallë pas mbytjes së anijes”, pa harruar ditarin unikal e voluminoz të internimit “Grabjani rrëzë kodrave” të Lekë Tasit, të gjitha – botime të ISKK.

Letërsia e burgut dhe morali i saj human
Visar Zhiti

Të gjithë këta emra shkrimtarësh e veprash kanë mundësuar ndër vite që në letërsinë shqipe të rritet një ndër narrativat më realiste e njëhersh më tronditëse në repertorin e prozës autobiografik dhe romanit autobiografik. Në dijeninë time, është përvijuar ndoshta letërsia memuaristike më cilësore e shkruar në krejt kampin ish komunist të Europës Qendrore e Lindore.
Nëse flasim për letërsi në kuptimin e lartësuar të veprës artistike, atëherë do të veçoja menjëherë këtu kontributin kapital që ka në këtë drejtim poezia e Arshi Pipës (“Libri i Burgut”, Romë 1959) dhe sidomos poema e tij sonetike “Kanali”, një inspektim dantesk në kampin e shfarosjes së Maliqit, Vloçisht. Mendoj se kjo poemë me 26 sonete do të ishte një ndër ekuivalentet e “Ferrit” të Dantes në letërsinë shqipe. Mjafton të përmend këtu sonetin e parë hapës, për të nënkuptuar lëndën e kësaj poeme:

Nga Korça bumbullon. Currila shiu
rrjedhin prej mushamás mbi krena e shtroje.
Pështillen, struken gjindja ndër mbuloje:
Nji lamsh ku qelben recka e mish njeriu.
Mbramje. Dikush përbrî qet gjak për goje.
Këndon letas mbatanë nji fmí arxhiu.
Ky grindet për pak uj qi shoku i piu;
Ai shán se i vodhën bukën. Hín nji roje.
Shkopinj e shqelma. Britma. Frín bilbili.
Pushim. E dergjet lodhja, prân secili,
E flên kush mundet për atë natë me fjetë.
Si lazaret rënkon e fshân baraka.
Nesër të gjithë i pret kanali, brraka,
veç atyne qi pret nji vorr i shkretë.
Letërsia e burgut dhe morali i saj human
Arshi Pipa

Arshi Pipa këtë poemë e shkroi tinëz, përmbys, në një shtrat spitali të Korçës, drejt në një tefter letrash duhani dhe e tillë ka shpëtuar e ruhet dorëshkrimi i saj unikal, tek e motra. Është një ndër figurat poliedrike që i bën nder çdo kulture të madhe të Euro-Amerikës, ku në fakt pati sukses vepra e tij në shumë gjuhë, sikundërse dhe karriera e tij si profesor i universiteteve amerikane. Për turp, vepra e tij ende nuk është botuar as në një të dhjetën e saj, rjedhimisht mbetet e panjohur.

Nga prozatorët, rëndësi të veçantë, sipas meje, ka vepra e gjerë dhe e njohur tashmë, e pranishme edhe në kurrikulat shkollore dhe universitare e Kasëm Trebeshinës. Rëndësi gjithaq të madhe kanë shtatë romanet e shkrimtarit Astrit Delvina (“Sykuqi”, “Bijtë e Tantalit”, “Edhe varreza nuk ka qetësi”, “Ëndrra me ngjyra”, “Globi në rrjetë”, “Plutoni”, “Kalimi i Rubikonit”), të cilët, për fat të keq, janë shpërfillur si fakte të zbehta botimi, pa hyrë në asnjë sistem leximi dhe interpretimi letrar, ndonëse për të mbrohen teza doktorale. Po ashtu, një vend të veçantë duhet të zinte ajo letërsi e ndaluar e autorëve që mërguan dhe u dënuan në mungesë, duke i privuar nga atdheu, sikundërse janë autorët me peshë të madhe në letërsinë shqipe si Martin Camaj (tashmë gjerësisht i njohur) dhe Isuf Luzaj (me një korpus të begatë e të shumëllojshëm veprash letrare e filozofike, thuajse i panjohur).

Një shkrimtar shumë i veçantë dhe padrejtësisht i harruar, më saktë – i pa vënë re, është Makensen Bungo me romanin “Këneta e Vdekjes”. Është një roman rrëqethës, i shkruar me një forcë të jashtëzakonshme psikologjike dhe i kontrolluar me një koprraci të ndershme në masë e në stil. Një roman autobiografik i ankthshëm, një Imre Kertez origjinal shqiptar. Mjerisht zor gjen kënd ta ketë lexuar këtë roman të butuar një herë me 1995. Turp!
Padyshim, lista e romancierëve , shkrimtarëve e poetëve ish të burgosur është e madhe ajo vazhdon me disa emra tipikë, që njihen relativisht mirë në sajë të profileve të tyre krijuese dhe titujve të shumtë e cilësorë, sikundërse janë Bashkim Shehu, Henrik S.G, Mehmet Myftiu, Zyhdi Morava, Jamarbër Marko, Gjon Marka Ndoj, Petrit Velaj, Pirro Kuqi, Drita Çomo, Dalan Luzaj, Agim Hamiti (romani “Odiseja e një dedektivi”) etj.

Letërsia e burgjeve komuniste dhe autorëve që e vuajtën në lëkurë burgun dhe internimin është një fakt i gjallë, i pranishëm, konkret. Ajo përbën një repertor ndër më të rëndësishmit e letërsisë shqipe, një bibliotekë të veçantë e të pasur, pavarësisht se ajo nuk është parë me seriozitetin e vlerës së saj artistike që përfaqëson. Për fat të keq, shumë vepra janë botuar sipas takatit të autorëve, shpesh në botime të zbehta e të vobegta, nga shtëpi botuese jo gjithnjë prestigjioze, ndaj dhe titujt e saj janë të shpërndarë e margjinuar, pa pasur fatin e fakteve ndikuese letrare. Një prej qasjeve të saj që propozoj, duhet të kishte qenë sistematizimi në një kolanë botimi, me shënime e punë redaktuese profesionale, gjë që i përket politikave shtetërore të botimit, enteve akademike, qendrave studimore e universitare. Sepse është pikërisht kjo letërsi që mbrojti nderin dhe dinjitetin kombëtar për 45 vjet diktaturë, atëherë kur krejt letërsia shqipe e kishte të pamundur për ta mbrojtur në një epokë amorale survejimi, që e kompromentoi rëndë ADN-në e saj me konformizmin e servilizmin e njohur me termin socrealizëm. Letërsia e burgut i jep moral e dinjitet krejt letërsisë shqipe, pikërisht aty ku ajo ndjehet në krizë të madhe.

2015


Biografi e shkurtër e autorit

Agron Tufa u lind në 1 prill 1967. Pas studimeve për Gjuhë-Letërsi në Tiranë, ai mbaroi studimet në Institutin Gorkij të Moskës. Më pas vazhdoi studimet pasdiplomike për Filozofi arti dhe Përkthimi në Institutin e Kulturave Europiane, po në Moskë.

Përgjatë më shumë se 20 vjetëve krijimtari, ka botuar vëllime poezish: Aty te portat SkeeRrethinat e AtlantidësAvangardë engjëjshFryma mbi ujëraGjurma në rrjedhë; romane: DueliFabula rasaMërkuna e zezëTenxherjaGurit të varrit ia rrëfej; ese: Janusi qindfytyrëshKuja e Mnemozinës etj.; libër me miniatura: Thembra e akcilit, si dhe ka përkthyer poetët dhe shkrimtarët më të mirë rusë në shqip: Osip MandelshtamJosif Brodskij, Olga Sjedakova, Boris Pasternak, Andrej Pllatonov, Danjill Harms, Jurij Llotman, Vladimir Prop, Tolstoj etj.

Ka marrë shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare – Penda e Argjendtë për romanin më të mirë (Fabula rasa). Në 2009 fitoi Çmimin e Madh Letrar (kombëtar).

Poezitë e tij janë përkthyer në anglisht, frëngjisht, italisht, gjermanisht, spanjisht, rusisht, rumanisht, polonisht, sllovenisht etj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!