AGRON TUFA – NJËMIJË VJET VETMI TË SHKRONJËS KH

AGRON TUFA – NJËMIJË VJET VETMI TË SHKRONJËS KH
AGRON TUFA

NJËMIJË VJET VETMI TË SHKRONJËS KH (cikël me poezi)

1. NJËMIJË VJET VETMI TË SHKRONJËS “KH”*

…Sepse koha krijohet me vdekje, ndaj ne
Jemi urna e saj, jemi qarku përmbyllës,
Jemi ashkla pluskore mes gjethit dhe ritit –
Vegulli efemere, shkumë detare a re
Lojcake në qiej, bij të shembëlltyrës –
Loti që humb në lumin e Heraklitit.

Se koha është Qenia n’prani e mungesë,
Dhe mungesa krijohet me vdekjen tonë.
Do hapet sipari dhe heret a vonë
Papraninë do shohim të gjithë në Zbulesë:
Do jemi boshti i veshur n’kuptim
Dhe lumë Herakliti së prapthi n’vërshim.

…Sepse koha rikthen në po atë tryezë
Të ngjërojë grimat që pati lënë,
Dhe dita e lume ndrron natën e zezë,
Dhe nata prapton me shéjza e hënë –
Ngathët si vargjet në anakrezë,
Koha rikthen në atë tryezë.

…Sepse koha s’është aspak shkatërrim
I thelbit të Qenies, i shpirtit në Hiç.
Ana e prapme e saj është gjallim.
Vdekja është Oazi dhe Krishti në Kryq,
Ku koha pushon, zgjanohet dhe ngre
Të tjerë profetë për sendet dhe ne.

…Sepse vdekja është ç’lodhja e Frymës,
Pastrimi i saj për gjakimin e ri
Në pulsin e gjallë të Qenies në kohë.
Vdekja është djegia e gjethit prej brymës –
E po atij gjethi që gjen përsëri
Degën e blertë dhe Frymën që ngroh.

Vdekja është gjendje e Qenies në gjumë, –
Rrjedhë e papastër kohe të amullt,
Është edhe nyje kohe e gangullt
Dhe zor se mund të shprehet me gjuhë.
Se koha lëviz veçse në Qenie
Si anë e prapme germe, fonéme.

Mos koha lëviz dhe ngrin në një germë?
“O shpirt i mumosur, o merrmë, o lermë,
O kthem ti sërish në Zanafillë –
Në kllapa Logosi vulosur me dyllë,
Në kohë kaosi, në Frymë pështjellimi,
O kthemë në gjendje të grirë vetmimi” –

Tha shkronja kh dhe u suall vërtik
Profil-grirë karshi përjetësisë
Një nate me prenka yjsh në fytyrë –
Dhe mbeti peng i pezullt në grykë
Në cepin qëndror të Ilirisë:
Në laringun e shqipes – e para mënxyrë.

Moskë, 2000
Nga vëllimi “Rrethinat e Atlantidës”, Aleph, Tiranë 2002.

* * *
Shënim: në çiftet korelative të bashkëtingëlloreve të gjuhës shqipe, vetëm fonema laringale “h'” e ka humbur gjegjësen e vet. Sipas mendimit të disa gjuhëtarëve, kjo gjegjëse korelative e fonemës “h”, ka qenë bashkëtingëllorja “kh”, e cila mund të jetë bjerrë rreth shek. X -XI. Mbeturinat e kësaj foneme ruhen ende në të folmen e fshatrave të Peqinit (Pajovë).

2. NJËMIJË VJET KEQARDHJE PËR SHKRONJËN “H”

Pyeti presja: ç’ndodh kur takohen dy pykpyetje?
Përgjigjet kllapa: tri pikçuditëse.

Anton Pashku

I

Herioglife hidhërimi hanë hënë. Hulli
Hundorësh hapën Hunët e humbën humbellash.

Hepohen Hamletë harrakatë hamendjesh:
Huti hapat heq humnerash.

Hov e hidhem hamulloresh,
Hyj humbas në heshtje hithrash.

Hoje honesh historikë –
Hy e himne himerikë.

Hapen hallkat hapësisë:
Helenizëm.
Hurb harresa helm hazdisë:
Histerizëm.

II

Hordhi hardhucash – halë hakmarrje hipokrite.
Horizontit hungërijnë hymne hetite.

Hurdhë.

Hemoragji.

Hiçi hëngër hudhra hijesh hijerënda.
Hark i hapur hanxharonte hyjzit hëna.

Hajmali havasë harushat hapërdarë,
Huqe-holla si havjari mbi hoshmar.

Herë hare harbojnë hatullat e hirta,
Herë hollohet hink e hellit – hingëllima.

Hù haraçi, hurmë hendeku, hatà has,
Harpa hup hire hapash në hashash.

III

Huti hutat hir’ i horës harrimtare!
Hyr e ha haje e hije hijerorje!
O haliç hallesh halldejase habertare!
Himene! hukamë harqesh humbëtorje.

Hamës humbësi horroresh: hosana!
Hekur han havan’ i huaj: hosana!
Heralkitin honeps Hegeli: hosana!
Heraherë hidet janë Hidra: hosana!

Heshtin heshta e habitur harmoninë.
Hallvë hakmarrje hap hamshori me hanxhinë.
Hyn hajduti, hyn harbuti si harap –
Hartë e harxh hamalli hodhi në hesap.

IV

Heliocentrizëm. Humababa humbi hartës:
Hallat hallve horasani harrimegër.
Hungurijnë Hesperidet hymn Helladës
Dhe Hermesit: Huserl. Hajdeger.

Halë e hyjve hyjnizues – Hiroshima.
Hajku hupas hjek hise harakiri.
Hapsanë hanesh hem hutoresh has Harkovi,
Hunj harrimi heq hebreu: hime hiri.

Herr Halili hoje hejesh hajdutnisht,
Hapin hijshëm hedh hajatit pas Hyjrisë.
Hoshgjelden! – hundëzon Harambashi.
Hasta la vista! – heq harrimi hurbë hashashi.

V

Herë hero, herë hasëm hyqimeti,
Herë hutim, herë harrim hapësisë,
Herë hulli i hardhuar n’hall Hamleti –
Hijerore herë harlisur hajmalisë.

Himalajë, – hon heterash huamarrë,
Hordhi hindësh harrakatur, hapërdarë.
Helizoizëm heraldik: hiperbolë.
Hipoteza – haku i humbjes: hekatombë.

Vitjazjevo, Deti i Zi, 2000

3. EKZISTENCË

Njëmijë vjeshta rrodhën gjak në ijet tona.
Njëmijë vera gjaku eshkej dhe në grykë
Shtjellej Qenia, kutullohej shkronja,
Frushullonte verb’ i shqipes, kallej thikë

Mbi dremitjen fusharake – pelte trush,
Ku lakorja e horizontit puthej epshëm
Dhe skajonte rrjedhën lumi krejt në tush
Nga kujtesën nxin i Letës breg i mnershëm.

Përsëthelli shkulme ngrinte prapë shtrëngata.
Tjetër sy cikloni mbarsej shkrepëtima.
Nga themel’ e thelb’ i Qenies trandej Fryma –

O baticë që vdekjen vetë vure në kllapa!
Dhe n’u kthefsh në atë thelb Zanafillor, –
Kthen sërish të pish ambrozin tënd hyjnor.

4. TMU – TARRAKAN

“Dhe nëse fantazma gjalloi dikur këtu,
E braktisi këtë shtëpi. E braktisi”.

Josif Brodskij

I

Këtu koha është shkallmuar nga erëra të errëta
Dhe dergjet distiluar në Detin e Zi.
Me shkopinj të trashë rrebeshesh të verbëra
Mbi kafkuj qafgjata dunash përmbi-
Zgjohen kumte të fjetura deliresh të hershme
Për brenga të ardhme prej vreresh të djeshme,
Që barten, shkapeten si thneglat e treten
Në rërë anonime ku bjerrin vetveten

II

Këtu “pasardhësit” i sajojnë apologji
Një të shkuare që kurrë s’e kanë patur.
Kështu dhe terzia, pa cohë, gjithsesi,
Do sajojë prej leckash një rrobe të varfër.
Kështu historisë i japin të pijë
Prej gurrash të lashta uji të vjedhur,
Dhe hedh shtat përçudshëm mashtrimi i ri
Përkundër rrjedhës me memorie të tredhur.

III

Krejt çka lanë perandoritë këtu
Janë rrënojat e qytetit antik: Gorgypa.
Po koha kafshoi dhe shtroi nër tru
Shtresa pomade ndër fasha e rrypa.
Eh! Qenia si Kukule në Fshikëz mbështjellë
Dremit në jermi alfabetesh, delir e narkozë,
Dhe në përmendet shpellash përthellë –
Vetvetja-Proté i shket-metamorfozë.

IV

Me triskuj ernash t’misterta, ç’mund të na thotë ende
Kjo natë tingujsh tinzarë që trazohet gjethnajash?
Me akuariumin që tallazit faunë yjesh t’arrirë?
Me palcë historie shtanguar ndër pengje?
Me kafka t’nëndheshme dergjur thirravajash?
Me fushatën kobzezë të Svjatosllavit përfshirë
Vorbullash qorre? Me lavdinë e bjerrë t’atamanit
Mbi gërmadhat e pakthyeshme të Tmu-Tarrakanit?

V

Njeriu. Njerëzit. Njërëzimi. Mendimi përsëri
Rikthen duarthatë nocioneve të bjerra.
Mendimi fyhet. Mes dunash pëlcet era.
Njeriu. Njerëzit. Gjithë kjo industri
Prej mishi cullak që për diell theket –
Këto fryte të errëta gjaku – mizëri –
Janë iluzion’ i mbramë që nuk don të shembet, –
(Iluzion në kllapa plus-minus përjetësi).

VI

E lëmë detin të fshajë e rrahë në breg
Me rropullitë, çafkat, sytë e Ifigjenisë
Që sogjetojnë nga ky ngulim grek
Hapësirën sakrale gjirit të Pontisë.
I kthehemi stepës, ku pas shpine çurg
Kanoset zhyer-gjak perëndimi turk.
Muzgu enjtet. Merimanga dhe akrepa
Shqyhen pràjshëm rrengjesh nëpër rrjeta.

Vitjazjevo, Deti i Zi, korrik 2000
Nga “Rrethinat e Atlantidës”, Aleph, 2002

5. KËNGË INFANTILE

Amshimi ha lastarë
Për ty o gaztar
Amshimi ha prapë
Për ty o gazngratë
Amshimi ha fruta
Aguridhe të buta
Amshimi ha triskuj
Me vriguj pa vriguj
Me bishta nervurë
Për ty more burrë

Amshimi ha gurë

Amshimi ha fletë
Për ju mori bletë
Ai ha lëvore
Për ju hijerore
Amshimi ha shumë
Për ty mor i lumë
Amshimi ha shkronja
Për ju mori zonja
Amshimi ha shpesë
Për ty mori mbesë
Ai ha zanore
Për ju o lotore

Amshimi nuk nginjet
Amshimi nuk thinjet

Amshimit s’i merr as dhe një thërrime.
Amshimi ha gjethet e veta prej dorës sime.

6. TRANSHENDENCË
(peizazhi tjetër)

I

…Dhe i hapa sytë në këtë botë krijesash që mpaken në përjetësi.
Vezullinte stepa nën hënë.
Hënë, o hënë e derdhur në Mongoli!
Me kulte hijesh, angështi baticash,
e qumështin e tundur në gjinj amësie,
Me rite mortore magjistricash
Ti anën e prapme të Qenies e shpie
Në tjetër alfabet që çartur rravgon,
Nëpërdredh flatra t’padukshme mshehtësie:
Kufijtë e kohërave tëhollen dhe Fryma
Somnambule ndërkallet ndër trupa të tjerë.
Irrele materia.Vërshon Leta a bryma,
Vetëdija, kujtesa, xhelati, viktima, –
Rimishërojnë nocionin e bjerrë.
Dhe pengje të lashta, pengje që s’vdesin
Kthejnë të ç’mallin mortarët e vet,
Dhe det’ra-martirë, liqej-asketë,
Shestime të turbullta përbrenda djérsin.

II

…Dhe i hapa sytë në botën që madhohej nën hënë.
Tjera kohëra, tjera vrunduj qeniesh shkapeteshin mbi dhera.
Tjera shira tingujsh, tjera epopera
Shplojnë Qenien në mundësi, qajnë Qenien e ngrënë.
Qyteti hyjnor së larti hukaste sendet përposh
Dhe palcën e tyre brumonte me Frymë e Vullnet.
E di: sapo gjethi i zi i ditës të ríjë –
“të rrosh/ të mos rrosh”
Do bëhet sinori diskret.

Tungjatjeta natë, ty o art hermesian!
Kjaroma trurin dëng me skolastikë!
Në kordat e zërit tonë përshkëndit
Plazma e valë e verbit ilirian.
Po kthen biri yt plangprishës Atlantidë!
Avitet ngarkuar pasthirrma t’paemra,
Se qyteti, për banorët zë fill nga qendra
Kurse për udhëtarin – nga periferitë .

Vitjazjevo, Deti i Zi, 2000
Nga “Rrethinat e Atlantidës”, Aleph, 2002

Njëmijë vjet vetmi të shkronjës 'kh'

Biografi e shkurtër e autorit

Agron Tufa u lind në 1 prill 1967. Pas studimeve për Gjuhë-Letërsi në Tiranë, ai mbaroi studimet në Institutin Gorkij të Moskës. Më pas vazhdoi studimet pasdiplomike për Filozofi arti dhe Përkthimi në Institutin e Kulturave Europiane, po në Moskë.

Përgjatë më shumë se 20 vjetëve krijimtari, ka botuar vëllime poezish: Aty te portat SkeeRrethinat e AtlantidësAvangardë engjëjshFryma mbi ujëraGjurma në rrjedhë; romane: DueliFabula rasaMërkuna e zezëTenxherjaGurit të varrit ia rrëfej; ese: Janusi qindfytyrëshKuja e Mnemozinës etj.; libër me miniatura: Thembra e akcilit, si dhe ka përkthyer poetët dhe shkrimtarët më të mirë rusë në shqip: Osip MandelshtamJosif Brodskij, Olga Sjedakova, Boris Pasternak, Andrej Pllatonov, Danjill Harms, Jurij Llotman, Vladimir Prop, Tolstoj etj.

Ka marrë shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare – Penda e Argjendtë për romanin më të mirë (Fabula rasa). Në 2009 fitoi Çmimin e Madh Letrar (kombëtar).

Poezitë e tij janë përkthyer në anglisht, frëngjisht, italisht, gjermanisht, spanjisht, rusisht, rumanisht, polonisht, sllovenisht etj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!