QAZIM SHEHU – KOÇI PETRITI, YLLI VEZULLUES I LIRIKËS

QAZIM SHEHU – KOÇI PETRITI, YLLI VEZULLUES I LIRIKËS

QAZIM SHEHU

KOÇI PETRITI, YLLI VEZULLUES I LIRIKËS

Koçi Petriti hyri në letërsinë shqipe në vitet 1960 me lirikat e veta befasuese  që u botuan me titullin “Lirikat e Majit”. Që atëherë kaluan vite  dhe ai  gjithnjë e mbajti lirikën e vet në nivele të arrira, edhe pse frynin erëra ideologjike jo të mbara, edhe pse poetit i kërkohej të përcillte “ritmet e hekurta”. Duke qenë  poet i një natyre të butë e të thellë, një poet që vinte nga fusha e Korçës, me prejardhje nga Gora, ai kishte marrë që andej vizatimet e thella të lisave e lëndinave, të përmasës së fushës, intonimet e thella të serenatës korçare e këto i përcillte aq bukur në poezine vet brilante. Kështu, vargu i tij gjithë dritë e muzikalitet, me ritëm të shpejtë e fjalë të gdhendur, mbahet mend e ke qejf ta përsëritësh, sa herë  je i trishtuar apo kërkon të intonosh një ndjenjë në vetvete. Fundja, kjo është meritë e poetit të vërtetë, e poetit të lindur, siç ishte Koçi Petriti, një poet i adhuruar nga shumë lexues dhe poetë. Më vonë ai do të vinte dhe punonte në Librazhd, duke ndjekur peizazhin e luginës së Shkumbinit e ritmet e jetës së atëhershme. Këtu njohu legjendat e mitet e tokës së mineralit, njerëz të tjerë dhe i ndihmoi poetët e rinj, një prej të cilëve jam edhe unë. E kujtoj atë shpesh me një nostalgji të dhimbshme pas aq e aq kohësh, poetin që fliste për artin, poezinë, mësuesin e gjimnazit që i mbante nxënësit “gojëhapur” me shpjegimet e tij elokuente dhe tërheqëse.

Mjaft motive mori Koçi nga treva e Librazhdit dhe u dha jetë në artin e shenjtë të verbit të tij poetik, motive që i transfiguroi aq bukur dhe me shprehësi të lartë, duke u dhënë vlerën e artit të madh. Aty mori legjendën e nënës, gruas sopotare dhe e ktheu në një poemë të bukur.

”Lufta piu prej luftës,
llava piu prej llavës,
qumësht i Teutës
rridhte tek Vojsava
qumësht i Vojsavës,
rridhte tek Mamica
ranë sopotaret,
mbiu Shote Galica…”

Mori aty madhështinë e lartësisë së Urës së Bushtricës dhe thuri vargjet lapidare:

”Unë i shoh gjithë urat,
nga Urë e Bushtricës,
ja Urë e Qabesë,
ja e Drashovicës…”

Poezi e tij rendi drejt një frymëzimi krahëhapur për të përqafuar tema e motive  me peshë, tema e motive të legjendave dhe, në zbërthimin e tyre filozofik, ai gjithnjë arriti të konturojë peizazhe dhe imazhe mbresëlënëse.

Në poezinë e tij zien shqetësimi i drejtë qytetar për atdheun, fatet e kombit, historinë dhe të ardhmen. E  zgjeron vargun dhe rrit forcën e imazhit, bën kërkime në formë dhe, si mjeshtër i vërtetë, nuk i ikën merakut të vazhdueshëm për ta gdhendur fjalën.

Ashtu si Lasgushi dhe Mjeda shkruan pak. Fundja çfarë i duhet një poeti të shkruajë shumë e për lumë? Sepse ai asnjëherë nuk donte ta ulte rimin e vet, nivelin e  një poeti me emër. Dhe bëri mirë, sepse nga krijimtaria e tij mund të heqësh fare pak. Ajo është krijimtari që i reziston kohës me temën e përjetshme të shqetësimit lirik për natyrën, jetën, dashurinë dhe filozofinë e ecjes drejt së bukurës.

Mjedën e kishte mjaft për dëshirë, ecnim së bashku dhe recitonte vargje të tij plot pasion. Koçi Petriti ishte poet që jetonte me poetët dhe poezinë e mirë, inkurajues dhe promovues, ai nuk ngurronte aspak të drejtonte drejt teje fjalë miratimi, ashtu siç edhe dinte të bënte këshilla me takt, kur nuk e miratonte një poezi të dobët. Sepse ai e dinte, në poezi gjithnjë duhet kërkuar ajo më e arritura, më e realizuara, më e bukura.

I ditur, kishte botuar një libër për teorinë e letërsisë dhe një studim të plotë për Martin Camajn, kurrë nuk e zbriste nivelin e bisedës, madje nga ai mund të mësoje shumë, siç na ndodh të kemi fatin kur rrimë afër një personaliteti të tillë.

Lirik vezullues, i impresionuar nga natyra dhe e bukura, nga dashuria dhe madhështia e bukurisë së saj, në vjershat e tij rrjedh e qetë me hove të thella kjo natyrë, perceptuar dhe vëzhguar thellë nga një njohës i mirë i drithërimave të shpirtit njerëzor.

YLLI VEZULLUES I LIRIKËS

Siç thotë studiuesi Arshi Pipa, Koçi Petriti ka një energji të jashtëzakonshme në vargun e tij, një mendim të sintetizuar përforcues dhe besues. Poezia e tij buronte nga një vetëzierje e thellë dhe shpërthente me dufin e merituar që rrëzëllente humanizëm dhe mirësi, ashtu siç ndodh me lirikët e mëdhenj. Të shkëlqyera janë baladat e tij plot nerv, forcë, dinamizëm e dramacitet kombëtar, ku ai shfaq një talent të posaçëm. Më e bukura, sipas meje, mbetet ajo për Sali Butkën.

”Gjëmë e gjaktë që gjet shteg,
e që dihet nga u nis,
si dëborë e bërë ortek,
mal më mal u rrokullis..”

Vijojmë:

”Mbi dy supe orteku u ndal,
mbi dy supe orteku u rrit,
njëri ish Gramozi mal,
tjetri ish Saliu komit...,
mali u ngrys e burri u mvrejt,
kur atdheu mend  u gremis,
mali burrit iu mbështet,
burri e mbajti mbi kurriz…”

Baladat e tij do të futen në fondin e artë të baladës së kultivuar shqiptare, pikërisht për vargjet mbresëlënëse, të thella në kuptim e të lehta për t`u mbajtur mend.

Balada për Themistokli Gërmenjin, për Vallen Gorare, një nënë gorare, Kajo Babjenin etj., janë aq të bukura dhe vetiu të mbushin me një frymëzim të natyrshëm për historinë. Ato gdhenden si vargjet e Tirteut, poetit grek, dhe mobilizojnë ndjenja fisnike të jashtëzakonshme, kur është fjala për të nderuar figura të historisë. Ashtu si Majakovski, ai e quante poezinë të rrallë si radiumi, ndaj kurrë nuk e konsumoi fjalën poetike me një dëshirë të ngutshme për botim.

Shumë poezi të vetat i recitonte, i mbante mend dhe kërkonte mendim. Sepse ai punonte me vargun shumë. Si poet i një dimensioni lirik dhe epik, ai arriti të shkruante poema të fuqishme si: Firma e popullit tim, Legjenda e Nënës, Ura e Bushtricës, Prush nëpër shekuj etj. Atëherë poema lëvrohej nga poetë të talentuar si Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Fatos Arapi dhe, në llojin e poemës, Koçi Petriti rreshtohet pa frikë me ta.

Poemat e tij kanë një shtrat rrëfimor dhe sintetizues, që harmonizohet përmes shtresave kuptimore të thella e që zbulohen prej njëra-tjetrës, duke paraqitur tablo të historisë, mitit dhe realitetit të atëhershëm. Ato i këndojnë me afsh Shqipërisë, popullit, fateve të tij, ekzistencës së njeriut shqiptar nëpër shekuj…

Po të perifrazionim Pol Eluarin, se ”Poezia është kënga që këndon”, këto vargje do t`i shkonin më së miri poezisë së Koçi Petritit. Poezia e tij është harmonike, mbushur me aliteracione noliane, me melodicitet dhe shprehimësi të brishtë tingëllore.

Ashtu si simbolistët, ai i dha shumë rëndësi muzikalitetit dhe bukurtingëllimit, çka duhet thënë se ishte tipari i tij origjinal. Si poet që nuk e tradhton vetveten ai i ndenji besnik Lirës së Tij e kjo e bën atë një nga poetët e dallueshëm, mjaft të dallueshëm, krahas Agollit, Kadaresë, Xhevahir Spahiut, Ndoc Paplekës, Vehbi Skënderit, lirikut tjetër të shkëlqyer nga Gora.

Në verbin e tij poetik ndihet mençuria dhe freskia, thjeshtësia dhe thellësia, harmonia dhe shushërima e lehtë e erës tek fryn grykës së Shkumbinit, ndihet dashuria e tij e pakufishme për jetën, shokët, njerëzit, humanizmi, altruizmi, dëshira e tij dhe gjendshmëria për t`iu gjendur krah kujtdo që kishte nevojë. Pranonte vlerat e të tjerëve, ata që shkruanin ndryshe nga ai, sepse për të nuk kishte rëndësi si shkruaje, me varg të rregullt a të lirë, mjaftonte të shkruhej mirë dhe poezia të ledhatonte shpirtin.

Ky ishte Koçi Petriti, një poet brilant i lirikës shqiptare, poeti i mirë dhe njeriu i mirë, i cili me vargun e vet e zuri vendin e  takueshëm në nivelet e poezisë shqiptare, pa i kërkuar ndihmë askujt, po duke i besuar vetëm fjalës poetike, e cila sot tingëllon e freskët, kumbuese, me një varg energjik e të thellë, duke bërë për vete lexues të shumtë e duke krijuar adhurues të  rinj.

Janë një numër i madh poetësh shqiptarë, që, besoj, i rrinë afër dhe e miratojnë mendimin tim për këtë poet të shkëlqyer, i cili nuk jeton më, por poezia dhe kujtimi i sinqertë na e sjell afër e na jep mundësine  të themi disa fjalë mirënjohjeje për të…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!