RAMADAN MUSLIU – ANDRRA E JETËS
Ramadan Musliu
ANDRRA E JETËS
Me një krahër me brymë
kaloi tinëzisht vjeshta
nëpër flokët e mi: fijet e argjendta
ndahen në dysh mbi vetulla
dhe vazhdojnë krela-krela
rritjen në bronz
Dhe prapë dritë neoni
përzier me borë
ndriçon ballin tim
me shiritat magjikë të moshës. Lëng
vetëtimash
pikon nga damari i fshehur i dritës
në strall. Ndërsa netëve të vona
nën ndriçimin e ftohtë
zgjohet në kafaz
dhe zë e këndon bilbili
për retë e bardha në qiell tek pikojnë
currila kristali
për gjethet e verdha të vjeshtës
që dridhen në erë nga frika e moshës
O imagjinatë që trillon në errësirë
peizazhe të gdhendura në metal
porta të hapura të parajsës
bunacën e detit në pëlhurë. Derisa të fryjë
era mbi xham dhe t’i fshijë
të gjitha mbetjet
nga andrra e madhe e jetës
Të tjera poezi nga Ramadan Musliu mund të gjeni këtu.