Shpëtim Kelmendi – Fredi është vetëm

Shpëtim Kelmendi – Fredi është vetëm

Shpëtim Kelmendi

Fredi është vetëm

Vështrimin mbërthyer në nji pikë. Cigarja në gishtat e tij të hollë, hiri i bardhë, të cilin nuk e shkund pothuajse asnjëherë. E mandej ai hi që thjesht i bie në prehër, ashtu siç bien ditët e jetës në prehrin e përjetësisë. Harron, nuk i jep rëndësi, ose vigjilon mbi perandorinë e hirit të kësaj bote, që mëton të shndërrojë gjithçka në hiç. Përpara ka një gotë raki dhe një filxhan kafeje të pafilluar e të ftohur, që s‘dihet a do të ta pijë deri në fund, sepse çdo çast i jetës së tij mëton të jetë i fundit… Duket si njeri që pret trenin për t‘u nisur diku, përtej këtij planeti të largët, siç thotë në një nga poezitë e veta. Vështrimi i tij i zgjuar dhe depërtues rrëmon së brendshmi në rropullitë e çdo bashkëbiseduesi. Është vështrim naiv, krejt fëminor, por i aftë të përshkojë materien. Buzëqesh. Ah, kjo buzëqeshja e tij! Zor se mund të shohësh ndonjë tjetër burrë me një buzëqeshje aq të ambël sa ajo e Fredit. Mandej zëri i tij: i ngadalshëm i plotë, i thellë, apostolik. Dhe fjala: Fredi i shndërruar në fjalë. Ndonëse ti e ndjen atë njeri të pranishëm me fjalën, me heshtjen e me vështrimin, në të njëjtën kohë ke përshtypjen se nga çasti në çast ai do të shndërrohet në eter, në tingull, në ngjyrë, në fëshfërimë, në metaforë, në këngë apo në një re të bardhë që fashitet në horizont për t’u rikthyer befas stuhi.

Fredi është vetëm
Frederik Rreshpja

Fredi është vetëm.

Vetëm, sepse është i fundmi i species së tij. Një dinozaur që i ka mbijetuar mrekullisht rrëshqitjes prozaike të akullnajave. Një oaz poetik që ajgëton mes shkretëtirës bojëgri të fjalës. Flet për Homerin, Arkilokun, Danten, Miltonin, De Radën, Mjedën, Migjenin, Asllanin, Lasgushin… Flet për të mëdhenjtë. E për të vdekurit. Sepse të mëdhenjtë, mjerisht janë të vdekur. Kurse Fredi është gjallë, një i gjallë që e di mirë se vetëm duke vdekur do mund t’u bashkohet kolegëve të tij që s’janë më.

Thotë: De Rada vdiq me një cironkë në xhep, Asllani u shua përditë e nga pak nga mjerimi dhe indiferenca, Mjeda dhe Lasgushi, nga vetmia. Dhe qan… Lotët në sytë e Fredit për miqtë e tij të vdekur. Lotët në sytë e Fredit që lartësohen mbi ngërdheshjet e të gjallëve të vdekur, mbi qeshjet e vetëkënaqura të atyre që e dënuan me heshtje, me mjerim, me indiferencë, me harrim.

Fredi është vetëm…

2005

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!