KRISTAQ JORGO – NAIM FRASHËRI ose P(R)O(F)ETI

KRISTAQ JORGO – NAIM FRASHËRI ose P(R)O(F)ETI
KRISTAQ JORGO

NAIM FRASHËRI ose P(R)O(F)ETI

120 vjet nga vdekja [20 tetor 1900 – 20 tetor 2020]

POET dhe PROFET është njëherësh NAIM FRASHËRI. E ndier intuitivisht prej shumëkujt, e vënë në pah kalimthi nga të tjerë, përmasa thelbësore e veprës dhe e aksionit të tij, ajo e Profetësisë, u kap dhe u ndriçua, së pari, në mënyrë magjistrale nga Lasgush Poradeci.

Kur themi P(R)O(F)ETI nuk kemi parasysh cilësimin e zakonshëm romantiko-idealist për poetin, por një tipar organik të aksionit dhe të njeriut krijues naimian, veçori të brendshme të tekstit të tij, tipike për diskursin profetik (“fjalë e shenjtëruar” me përkufizimin e Lasgushit), të lidhura këto me specifikën e veçantë dhe nevojat supreme të një çasti përcaktues në ndërtimin e vetëdijes nacionale të bashkësisë shqiptare.

“Kush i bindte ata, kush do t’i bindte? Kush do t’i këthente? Kush do t’i-a-u mbushte arësyen, t’i-u prekte dhe tundte dhe shkundte zemrën, t’i-u rrëmbente zemrën për hir të emrit shqiptar? […] Nuk ishte kjo në fuqinë e njeriut, në fuqinë e thjeshtë të njeriut shqiptar… Ishte çështje fetare, punë feje; feja e Shqiptarit ishte feja e Shqiptarisë dhe për fenë flasin profetët, jo njerëzit. Për fenë e shqiptarisë do të fliste profeti i kombit shqiptar: Naim Frashëri. Ky do të bënte këthimin e shqiptarëve.” (Lasgush Poradeci).

Per tekstin Naim Frashëri
Lasgush Poradeci

Bashkohen këtu vetëdija e misionarizmit si dhe bindja e vlerësimi i bashkëkohësve për Naimin si “Apostull”, “qielltar i flaktë”, “ i Dërguar nga mesi ynë”.

Përmes Fjalës së tij Naimi krijoi pikërisht të Shenjtën Shqiptare, më saktë (ngjalli e) shenjtëroi totemin e profanuar – a thuajse të vdekur – Shqipërinë.

“Atje lint diell’ i qeshur edhe hëna e gëzuar,
Fat’ i bardh’ e mirësija në atë vent janë mbluar,
Nat’ atje’ shtë tjatrë natë edhe dita tjatrë ditë.
Në pyjet e gjelbëruar atje rrinë Perënditë.”

Vetëm nëpërmjet ngjalljes e shenjtërimit të Atdheut përmes Fjalës mund të realizohej KTHIMI i shqiptarëve, të bëhej – me formulimin lapidar të Lasgush Poradecit – “PREJ MOSSHQIPTARIT SHQIPTARI”. “Duhej prekur zemra e tyre. Zemra, jo arësyeja: Dhe ay që do t’u fliste për komb e kombësi, për Shqipëri dhe liri, duhet t’i kishte folur më parë ashtu vetëvetes. Ata kishin nevojë për fjalën e një profeti, të një apostulli. Ato vargje të Naimit mbanin zemrën e kombit në dorë; flisnin drejt nga zemra dhe hynin drejt në zemër.” (L. Poradeci)

Vepra e Naimit luajti kështu në momentin e dhënë rolin e Lajmit të Mirë, rolin e Librit: ajo u shkrua me atë vetëdije ungjillëzuese dhe u receptua si e tillë.

Ja pse qëllimi patriotik, qëllimi etik dhe qëllimi estetik lidhen tek Ai prej hallkës së qëllimit profetik, i cili pjesën më të mirë të tekstit naimian e bën Fjalë të Frymëzuar.

Për këto arsye, në kujtesën shpirtërore, kulturore e letrare të kolektivitetit shqiptar NAIM FRASHËRI duhet të ruajë sot e përgjithmonë cilësinë e pandashme të P(R)O(F)ETIT, të Poetit-Profet, cilësi me të cilën ka lindur.

Naim Frashëri
Naim Frashëri

U sintetizua shkëlqyeshëm kjo ide, pas ndriçimit pionier të Lasgush Poradecit, nga Vangjel Koça: “Pavarësisht nga kriteret e ngrira të estetikës për sa shikon vlerën letrare të veprës naimiane, NAIM FRASHËRI është për neve shqiptarët një nga HEROJT e Carlyle-it, HERO-POET, HERO-PROFET në kuptimin e lashtë të fjalës latine “Vates”, i cili me Lirën e tij zgjoi si Orfeu të Vdekurin Shqiptar…”

Ndaj le të lexohet më në fund vargu i Pashko Vasës “Feja e shqyptarit asht shqyptaria” ad litteram, në mënyrën më të thjeshtë e ndoshta më të njëmendët:Shqiptaria është feja e shqiptarit, shqiptaria është pra fe, më tepër se e veçantë, natyrisht, por Fe.

Dhe si çdo fe ka profetët e saj, fort të veçantë edhe këta, por Profetë.Kur të jetë shkruar – jo shkruar, por mbledhur – Ungjilli Shqiptar, NAIM FRASHËRI do të jetë aty pa dyshim në radhën e Profetëve të mëdhenj, një lloj DANIELI apo ISAIE i botës shqiptare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!