HYSNI NDREU – IN MEMORIAM HANS-JOACHIM LANKSCH
HYSNI NDREU
IN MEMORIAM HANS-JOACHIM LANKSCH
Për herë të parë dhe të fundit e takova në Mynih, në një kafe-restorant pranë shtëpisë së tij, “Drugstore”, Feilitzschstrasse 12, München. Ky ishte një takim thjesht fizik, pasi emri i tij nuk ish i panjohur për mua. Për të kisha dëgjuar shumë herë më parë. Prej tij kisha lexuar edhe më shumë. Virtualisht patëm komunikuar disa herë. E pata ftuar edhe të merrte pjesë në një konferencë shkencore, që Qendra Shqiptare e Studimeve Letrare “Pjetër Budi” organizoi për Martin Camajn. U tregua i gatshëm të ishte i pranishëm, por nxitoi të theksonte thjeshtësisht: “E marr me mend që ju e dini se nuk jam studiues. Nuk jam marrë me punë shkencore por më atë praktike, duke përkthyer dhe duke shkruar shkrime gazetareske dhe eseistike. Nuk dua të dukem më shumë seç jam. Nëse pranohet kjo premisë, do kisha dëshirë të jem pjesë e konferencës. Mirëpo, ardhja ime në fund tetori do të varet nga gjendja shëndetësore dhe financiare. Nuk di në pranohet apo jo mundësia të jem parimisht pjesëmarrës i konferencës, ku në rastin e pamundësisë së pranisë personale do të isha i pranishëm me kontributin me shkrim.”
Kish mjaft dëshirë të ishte i pranishëm, në çfarëdolloj forme, fizike ose thjesht me kumtesë, jo vetëm sepse me Camajn qe njohur e miqësuar personalisht, por edhe ngase ishte përkthyes i veprës së tij në gjuhën gjermane. Si ndihmë paraprake për këtë konferencë më dha mjaft ide, bëri disa propozime dhe më sugjeroi emra konkretë, që i vlerësonte dhe e shihte të arsyeshme të jepnin kontributin e tyre mbi veprën e Camajt. Si përfundim nuk mundi të merrte pjesë. Arsyeja: sëmundja. Kish kohë që s’ndihej mirë. Përgjigjja që më ktheu javë më vonë ishte mjaft e dhimbshme: “Kam dëshirën e madhe të jem në mesin tuaj. Mirëpo, gjendja ime shëndetësore nuk e lejon. Jam në gjendje të rraskapitur, pothuaj burn out. Do ju nis një si kumtesë jo shkencore. Me mirënjohje, Hans.”
Shëndeti e kish lodhur vërtet, gjë që ma shprehu edhe kur u takuam, muaj më vonë, diku aty, pak metra larg shtëpisë së tij, ngase e kish të pamundur të largohej më tej. Biseduam gjerë e gjatë mbi letërsinë, mbi zhvillimet e fundit letrare, mbi autorë konkretë, kryesisht të pas viteve nëntëdhjetë. Ai një folës shumë i mirë, edhe pse fliste më pak nga ç’dinte; unë një dëgjues po i mirë, edhe pse dëgjoja më shumë nga ç’thoshte.
Para se të ndaheshim më dhuroi librin e tij të fundit, “Martin Camaj ende i pazbuluem – shkrime, kujtime, intervista”, të cilin e lexova me një frymë, në tren, udhës nga Mynihu në Hamburg.
Sot, Hans Joachim-Lanksch paska ndërruar jetë. Vargu shqip është në zi.
Hamburg, 20 maj 2019.
Të tjera punime nga Hysni Ndreu mund të gjeni këtu.