KRISTAQ JORGO – 80 VJET NGA KALIMI I ATË GJERGJ FISHTËS NË AMSHIM

KRISTAQ JORGO – 80 VJET NGA KALIMI I ATË GJERGJ FISHTËS NË AMSHIM

KRISTAQ JORGO

30 DHJETOR 1940 – 2020: 80 VJET NGA KALIMI I ATË GJERGJ FISHTËS NË AMSHIM

Shekujt  “KANË ME KALLZUE SE SA PJESË QIELLET VRANI DEKA N’ATË VORR.” (Atë Gjergj Fishta, “Nji lule vjeshtet”)

Detajet nga jeta e SHPIRTËRAVE  TË MËDHENJ të kësaj bote s’kanë të bëjnë me rastësinë.  Data e kalimit në Amshim të Atë Gjergj Fishtës, 30 dhjetori i vitit 1940, është caku  simbolik i përmbylljes  së përpiktë të katër dhjetëvjeçarëve të asaj që mund të emërtohej SHQIPËRIA FISHTIANE.  Pse katër dekadat e para të të XX-it shekull tonit qenë dhe do të mbeten të kryeshenjuara e kryesunduara  përgjithmonë  nga Jeta dhe Vepra e këtij Gjeniu të Shpirtit e të Mendjes Shqiptare.

I takon breznisë së atij fillimshekulli (Fishta, Konica, Asdreni, Çajupi, Prendushi, Noli, Gurakuqi etj.) të merren me detyrën e MODELIMIT të sistemit letrar e kulturor kombëtar shqiptar.

Fishta bëhet REALIZUESI KRYESOR i kësaj detyre në kuadër të Qarkut të Veriut.

80 VJET NGA KALIMI I ATË GJERGJ FISHTËS NË AMSHIM

Është koha (në horizontin e afërt projektohet  mëvetësimi i Shqipërisë) e cila kërkon modelimin e së Vetës përballë së Huajës në të gjitha nivelet: modelimin kulturor, politik, ekonomik, administrativ, juridik, ushtarak etj. Është momenti i ndeshjes kritike me të Huajën, i ballafaqimit masiv kritik me të, i ndarjes prej saj e  që mund të shprehej me skemën: Ne – të Tjerët, Shqipëria përballë Botës, Letërsia (Kultura )Shqiptare përkundër letërsive (kulturave) ballkanike e evropiane.

Ky modelim u realizua bash nga ai qark letrar e kulturor i cili, me çmimin e periferizimit, kishte ruajtur NË NJË VIJIMËSI TË PANDËRPRERË KATËRSHEKULLORE dhe shumë më mirë se qarqet e tjerë AUTENTIKEN SHQIPTARE, fare pak të kontaminuar prej e  përballë së huajës. Në kohën kur lypet pra modelimi i Vetes është Qarku i Veriut me protagonist kryesor FISHTËN, “fara” katërshekullore, e cila braktis  periferinë dhe pushton qendrën e sistemit letrar e kulturor kombëtar për të realizuar këtë kryedetyrë.

Letërsia është për FISHTËN vokacion kryesor krahas priftërisë. Shkruan rregullisht dhe shumë. Boton e riboton në mënyrë ritmike, pothuaj pa ndërprerje dhe pa pengesë. Themelon e drejton organe kulturore-letrare. Veprat e tij përcillen në mënyrë të vazhdueshme nga kritika; ka publikun e vet dhe njeh një receptim të gjerë. Hyn në programet shkollore. Përkthehet në gjuhë të huaja dhe njihet në qarqet letrare e shkencore të Evropës. Koncepton që në gjallje një botim të plotë të veprës së vet. Modelohet kështu me Fishtën, më plotësisht se me cilindo krijues tjetër, SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRFAQËSUES.

80 VJET NGA KALIMI I ATË GJERGJ FISHTËS NË AMSHIM
Në rreshtin e parë, nga e majta në të djathtë: At Gjergj Fishta dhe A. S. Drenova (Asdreni).
Në rreshtin e dytë, nga e majta në të djathtë: Lasgush Poradeci dhe Ernest Koliqi.

FISHTA modelon gjithaq prodhimin letrar në sasi – është autori me rendiment më të lartë krijimtarie; në strukturë – jep modele shkrimi pothuaj në të gjitha gjinitë e llojet si dhe funksionalisht duke qenë në pararojë të përpjekjes  për autonomizimin e diskursit letrar si differentia specifica prej diskursit dituror e kulturor në përgjithësi.

FISHTA është MODELUES edhe në një kuptim shumë më të gjerë, përtej letrar.

Ai krijon në atë hapësirë kohore kur “DUHET BÂ SHQYPNIA DHE DUHEN BÂ SHQYPTARËT”, kur luftohet  për ngjizjen e vetëdijes kombëtare shqiptare në përgjithësi. Por “bota para se të jetë emërtuar, përshkruar, interpretuar nuk është veçse kaos: kuptimi ynë për botën është diskursi ynë për botën”.

Sistemi kulturor shqiptar në momentet e formësimit të tij si i veçantë përballë sistemeve të huaj kulturorë ka nevojë për një mekanizëm të strukturimit të të gjitha niveleve, për objekte-mite, përmes të cilave dhe në të cilat të gjejë identitetin e vetvetes.

Veprat e Fishtës si krijime tipike të vetëkarakterizimit patën aftësinë të bëhen element kryesor modelues për gjithë kulturën shqiptare. Është pikërisht kjo arsyeja themelore që e bëri Atë GJERGJ FISHTËN  të ruajë pozicionin qendror në sistemin letrar e kulturor shqiptar e ta shenjojë atë për plot katër dekada.

80 VJET NGA KALIMI I ATË GJERGJ FISHTËS NË AMSHIM

Ylli nën të cilin ka lindur dhe kryedetyra që ka njëmendësuar në kulturën shqiptare e bëjnë Veprën e Atë GJERGJ FISHTËS t’i shërbejë çdo epoke papërjashtim, edhe tonës, madje sidomos tonës,  epokës të ndeshjes të tendencës zotëruese centrifugale, asaj të globalizimit, me tendencën centripetale, gjithnjë e më të dobët, atë të nacionalizimit. Është epoka që rrezikon shprishjen e Vetes për t’u bërë Botë.

Në pararojë të kësaj epoke, deshta me thanë të kësaj beteje, ekzistenciale për qenien e ngadhnjimin tonë si komb, shfaqet sërisht imponues e dritësues FRATI I MADH.

Na pri Atë GJERGJ FISHTA!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!