RAMADAN MUSLIU – IN MEMORIAM

RAMADAN MUSLIU – IN MEMORIAM

Botojmë këtë cikël me poezi të Ramadan Musliut, në shenjë ngushëllimi e nderimi për ndarjen nga jeta të tij, sot, më 22 tetor 2020. Në vijim edhe disa ngushëllime që shkrimtarë të ndryshëm bënë me rastin e largimit nga kjo botë të Ramadan Musliut.

RAMADAN MUSLIU – IN MEMORIAM

PARALAJMËRIMI I DIMRIT

Kam frikë nga dimri
nga mumiet e ngrira të borës
që dalin natën
nga hijet e pemëve
nëpër rrugë. Një hap larg është vjeshta

nga hija e trashë e arrës
që shtrihet përtace nën gjethet e kalbura të kopshtit
që i mbulon fshehtësitë nën lëkurë

Mbase rrëkeja e parë e shiut
mund ta shpërlajë atë gjurmë të thembrave
që shkon deri
deri te kanalin
buzë rruge

Ku e derdh kohën time të lirë. Diçka si acid
më është derdhur në gjuhë
dhe s’më lë të më zërë gjumi
e t’i harroj
të gjithë rrathët e pagërvishura
në trungun tim të moshës

BARDH E ZI

Na buzëqesh nga ekrani
na përshëndet
me dorën në zemër

me pjesën e brendshme të syrit
fotografon pamjen tonë
sipas teknikës bardh e zi

Për të kremtë
rri gju më gju me ne
dhe ngre dolli
për gjithë ata që s’ janë më
në mesin tonë

Të etur
na kalon
matanë lumit
Na prin në labirinth
dhe na merr për dore
kur shkojmë kryelart
nga humnera

GJENDJE NEUTRALE

Lufta ime e fundit me veten time mbaroi
Me pat. Zbrita shkallëve në bodrum

ku më kish zënë gjumi. Çelësin e pata përbi
dhe s’pata më si të dal. Duart
i harrova në bedene mbështetur
për heshte tek vigjëloja retë e pluhurit
të kalorësisë që kurrë nuk do të arrijë.
Edhe në ëndërr më dhemb në shpirt
teksa ai nëpër vrimën e çelësit përvidhet
në astral. Një gjilpërë e harruar
më ther në palcë dhe askush s’ më dëgjon.
Vetëm jehona e klithjes shndërrohet në spirale
dhe më mbështillet nëpër asht.

Një dritë jeshile vjen nga syri im
në abazhur. Nëpër fushën e ballit hingëllojnë
kuajt duke u tërhequr zvarrë
nëpër orenditë e pluhurosura
teksa koha grindet me rrudhat
në trurin e lodhur për haloret e flokëve
të mi. Anash shkëmbinjtë e shpellës
me stalagmite me therin në zemër. Euridika
qanë për këngën e mbetur përgjysmë. I mbyllur mbeta
në ëndërr dhe nuk mund të zbres në pus
çelësin e humbur për ta gjetur
në një guaskë.

METAMORFOZAT E VJESHTËS

Me gishtërinjtë prej kristali
dielli gdhend fytyrën e vet
në gjethet plastike të hardhisë. Fryma ime
ngjitet trungut
kah palca
për ta thithë rrëshirën e kësaj dite vjeshte
Ai lëng i ardhur në tetrapak
mbështjellë me cipë alumini
që ruan ujin të mos thartohet
nga fryma e borës

Frutat po piqen
dhe avulli me përtaci është shtrirë
nëpër gjithë sipërfaqen e sheshit

Thell në ne
si në një shporet të ndryshkur
nën dritën e llambës elektrike
zbardhet drama e ndërrimit natyral
të gjendjeve agregate të ajrit
Energjia e fshehur në asht
zgjohet dhe lëviz
zingjirin e ndryshkur të metabolizmit

Ja tani po fillon me shumë lëngje
fotosinteza
në gjethin prej plastike
dhe ngjyra jonë
ndërron: kuq e zi
vetëm kuq e zi, vëlla
në gjethin që mbulon
pjesët e padiellosura të trupit.

AKTI ABSURD

Dëgjoja në radio
lajmet mbi kohën e turbullt
dhe zërat që fikeshin qetësisht
nga butoni nën gishtërinj

Doja të dilja nga realiteti paralel
nga ajo membranë e hollë
e gjërave pa formë
doja të dilja nga lëkura
me një të mbyllur të syve

Nuk e dua më rolin kryesor
ne këtë skenë pa dërrasat
që përbëjnë jetën
nuk dua më ta luaj Hamletin
në Danimarkën time të vockël 4 x 4

Zvarrë dola nga dhoma
duke lënë
një copë absurdi teatror
të derdhur kudo nëpër dërrasa

Më mirë është të mos jesh
se i ndarë në dysh
me atë membranë të hollë
mes sendeve
dhe fjalëve.

PSHERËTIMA

Sa çel e mshel sytë u ngjit mbi çati
nëpër ato shkallë të thyera të moshës
për ta ndrequr tjegullën
prej nga pikon shiu
Një gëzim i papërshkrueshëm
lëkund gjandrat nga vendi
sa telat nga vjen drita jeshile
u këputën
Ato re të zeza, ai peizazh gri
ajo ëndërr e përhimtë e fëmijënisë
filluan të zbardhen nga psherëtima

GOZHDA E NDRYSHKUR

Në një gozhdë të ndryshkur
varur është portreti i heroit
në gravurë

Në sfondin gri
duket një vend
nga vijnë luftëtarët e rralluar
prej betejavetë pashënuara
në histori

Aty më nuk kris pushk’ e vjetër
as teret barot’ i lagur
as mburojat
hiqen më
nga ku janë varur në mur

Edhe gishti
në qark i pushkës së vjetër
i ngrirë
ka mbetur
në atë kornizë

Në këtë gravurë
çdo burrë
me bërryla
hyn në histori
e çdo grua
qëndisë
flamurin me shkabën
pa krahë

derisa një ditë
të lakohet
ajo gozhdë e ngulur
në murin e vajit

VJESHTË E VONË

Si një petk i vjetruar plot arna
rri e varur vjeshta
në gozhdën e ndryshkur të stinës

E tund era
netëve me hënë
fëshfërin si celofan
me të cilin mbështjellë e kam
një medalon të harruar
Statujës metalike mbi komodinë
ia numron vitet
që mosha ia gdhendi
në boshtin e saj pa unaza

Këmishën varur ma ka
në akrepat e orës
që trupin tim e kërkon
nën hijen e zverdhur të lisit
Dhe pas pak nga ora
do të dalë qyqja të këndojë
këngën e ushtarit të vjetër
që fitoret gdhendur i ka
në dorëzën e fildishtë të shpatës.

DUART

Si dy degë me copa akulli
ranë nga trungu
në dyshemenë e mbuluar me gjethe
durt e këputura
në mes. Një dhembje që s’pushon
përdridhet si spirale
nëpër asht

Të therurat nga palca
përzihen me të kuqtë e gjakut
që është ngrirë mbi gjethe

Vetëm gishti i vogël lëviz
si kokë e këputur zogu
tek përpëlitet nëpër baltë

Një gjilpërë e akullt rri pezull
mbi bebzën e shuar
kur dielli ka marrë trajtën e një amebe:
ndahet në një mijë qeliza të vdekura
për një sekondë

Ato ende mbledhin gjethet e ankthit
nëpër dyshemenë
e shtruar me pllakëza gjaku
diku
në një cep të një ëndrre

ANDRRA E JETËS

Me një krahër me brymë
kaloi tinëzisht vjeshta
nëpër flokët e mi: fijet e argjendta
ndahen në dysh mbi vetulla
dhe vazhdojnë krela-krela
rritjen në bronz

Dhe prapë dritë neoni
përzier me borë
ndriçon ballin tim
me shiritat magjikë të moshës. Lëng
vetëtimash
pikon nga damari i fshehur i dritës
në strall. Ndërsa netëve të vona
nën ndriçimin e ftohtë
zgjohet në kafaz
dhe zë e këndon bilbili
për retë e bardha në qiell tek pikojnë
currila kristali
për gjethet e verdha të vjeshtës
që dridhen në erë nga frika e moshës

O imagjinatë që trillon në errësirë
peizazhe të gdhendura në metal
porta të hapura të parajsës
bunacën e detit në pëlhurë. Derisa të fryjë
era mbi xham dhe t’i fshijë
të gjitha mbetjet
nga andrra e madhe e jetës

RAMADAN MUSLIU
IN MEMORIAM

THANË PËR TË

VISAR ZHITI

Poet dhe mik,

kritik letrar dhe deputet, Dan Musliu…

Na vjen lajmi i hidhur, që u nda nga kjo jetë, befas, para kohe. E njohëm në fillim të viteve ‘90, kur gazeta “Rilindja” e Kosovës erdhi me gjithë gazetarët e saj në Tiranë, nga që pushtuesi serb e mbylli në Prishtinë. Ramadan Musliu ishte ndër më punëtorët e të kulturuarit, serioz dhe i përzemërt, korrekt, mbështeste me shpirt. Artikujt e tij kishin fuqinë e mendimit dhe estetikën e fjalës. Poezia e tij – e rrallë dhe e thellë, një yllësi e tij.

Botova dhe unë në “Rilindjen” që ata sollën, madje dhe librin me poezi “Dyert e gjalla”, me përkujdesjen e Danit doli. Kur m’u desh të ikja me punë në Itali, shtëpinë ia lamë atij me familjen. Dani ishte familjar i shkelqyer, e kishte kult si ata në Kosovë. Dhe atje e kisha takuar pas luftes. Gjithmonë i përzemërt, që edhe heshtja i fliste… Dhe tani në kohën e mbylljes nga pandemia boterore, Dani sillte poezi nga bota, i përkthente vetë për të gjithë në fb. Që t’u gjendej të tjerëve bukur. Dhe iku…

Vepra e tij është një metaforë e fortë si dhe miqësia e tij.

Visar Zhiti

BEHAR GJOKA

NDËRROI JETË RAMADAN MUSLIU

Ndahet nga jeta miku, poeti, kritiku dhe gazetari Ramadan Musliu. Ndahet nga jeta para kohe, e shumëçka nga dertet e kombit dhe letersisë i mori me vete si peng.

Kujtoj me mall e dhimbje njohjen nga afër, nga viti 1996, kur drejtonte gazetën “Rilindja e Kosovës” në Tiranë. Ajo gazetë, në idenë dhe bindjen time, u bë djep dhe shkollë e shtypit të lirë në Shqipërinë e sapodalun nga diktatura. Kjo lidhet me natyrën komunikuese, kulturën dhe mendjen e hapur që pati Dani me të gjithë, pavarësisht udhëve të ndryshme që gazetarët morën, pasi u formuan në këtë gazetë.

Po them një gjë pak më personale, po të mos ishte gazeta Rilindja dhe, padyshim, edhe pranimi nga ana e Musliut i mendimeve të mia për letërsinë, unë nuk do të isha marrë kaq gjerë me kritikën dhe me studimet letrare. Në vitet 1996, ’97, ’98, ’99, aty kam botuar shkrimet e para për Fishtën, Sami Frashërin, Pashkun, Camajn, Trebeshinën etj., të cilat më dhanë mbështetje dhe besim me e viju punën studimore.

Në vitin 2004 bashkë, me Danin kemi botuar gazetën letrare “Kalendari Letrar”, me disa numra, një përvojë e vyer se si mund të realizohet një gazetë letrare, me mendim të hapur, pa përjashtuar askënd, asnjë alternativë ligjërimore të letrave shqipe.

Ramadan Musliu më njohu me shkrimtarin Kasëm Trebeshina dhe bisedat me të zgjatën me vite. Ai u bë nxitës dhe bashkë me Abdullah Zenelin mundësuan që, në vitin 2006, Trebeshina të ishte shkrimtari i panairit të atij viti. Falë asaj vizite kemi një libër poetik të beftë nga Trebeshina, “Këngë për Kosovën”.

NË PROFILIN SHKRIMOR TË RAMADAN MUSLIUT VEÇOHEN:

Libra me studime dhe kritikë letrare:

“Mbindërtimi poetik”, Prishtinë 1990;
“Konfiguracione narrative”, Tiranë 1998;
“Estetikja e dallueshme”, Prishtinë 2005;
– “Ekskurs në letërsinë për fëmijë”, Shkup 2010;
– “Vetëripërtëritja e totalitarizmit”, Tiranë 1997, libër publicistik;
– “Tangjenta letrare”, Prishtinë 2012.

Pesë libra me poezi:

– “Parodia e trupiut”, Prishtinë 1981;
“Shqisa e gjashtë”, Prishtinë 1985;
“Pasqyra e të rrëfyerit”, Prishtinë 1987;
“Kënga e sibilave”, Tiranë 1996;
“Në zemrën e gjërave”, Prishtinë 2004.

Të jetuarit intensiv me fatet e kombit, të çështjes së Kosovës, të përcjellësit të botimeve të reja te “Rilindja…”, të kontributeve të vyera në kritikë dhe në poezi, i ka sigurur një vend meritor në historinë e letrave shqipe…

Behar Gjoka

AGRON TUFA

VJESHTA E MBRAME E POETIT RAMADAN MUSLIU

(31 maj 1954 – 22 tetor 2020)

Ikja e papritur e Ramadan Musliut, poetit dhe kritikut të shënuar të letrave tona më goditi dhe mua, si shumëkënd tjetër besoj, që e ka çmuar letërsinë e tij, kontributin krijues e intelektual të Danit.  Ai ishte një natyrë e urtë, sqimatare, një burrë jashtëzakonisht i këndshëm e i çiltër kur gjente kuvendues. Kam mësuar shumë prej dijeve të tij në mes të viteve ’90. Përtej fjalëve dhe mpirjes që më pushton, dua t’ju sjell një pjesë nga ajo pavdekësi e poetit Ramadan Musliu, i cili gjatë gjithë karantinës së këtij viti na solli zërat e padekësisë me poetë nga gjithë kulturat. E hidhur të mendosh se kjo paska qenë vjeshta e mbrame e poetit. Prandaj për vete dhe për miqtë e poezisë po sjellim një pjezës të tij, ku mendoj se harrimi nuk është i pushtetshëm: Poezitë. Dhe mendoj se mbijetesa e poetit s’ka ku provohet më mirë, përveçse në silabet e vargjeve të tij.

Lamtumirë Dan, poet e njeri fisnik!

Agron Tufa

REXHEP SHAHU

Dan Musliu, ikjen tënde po e përjetoj rëndë. Më krijove një boshllëk, një ftohtësi, një frikë, një pendesë se nuk kemi folë shumë për vetët tona, po për punë, letërsi, libra. Nuk të kam përshëndetë më shpesh, nuk të kam falënderuar më shumë. A të kujtohet kur më the se kam heqë dorë të shkruaj për shtyp e revista, por kur është fjala për Teki Dervishin, patjetër të sjell shkrim dhe ma solle. Me gazetën “Rilindja” në Tiranë, po ta them edhe me shkrim, ti me shokët e tu u bëtë shkollë perëndimore, universitet gazetarie.

Në numrin e fundit të revistës “Illz”, që është në shtyp, janë poezitë e nobelistes së fundit dhe të ballkanasve të përkthyer prej teje.

Nuk ma dërgove parathënien e “Antologjise poetike të ballkanasve”… Unë do ta mbaj fjalën… Do ta botoj e do t’ua dhuroj unë në emrin tënd 100 libra shokëve tu. Të siguroj.

Të gjitha vdekjet e miqve dhe të dashurve trishtojnë, por kjo e jotja sot më kërrusi, më mpiu më shumë.

Për gjithë herët që nuk të kam thënë mjaftueshëm: po të them, ishe njeri i shkëlqyer, poet, kritik, përkthyes e studIues klasi për letrat shqipe, ndonëse tani asgjë, por asnjë nga këto fjalë nuk ka vlerë për ty.

Lamtumirë Dan Musliu!

Rexhep Shahu

ABDULLAH ZENELI

DAN, MË IKE DHE TI

(Ramadan Musliut)

Dan
Më ike dhe ti
Këtij mëngjesi të trishtë
Lajmin e mora nga Anglia
Një mike më ngushëlloi

Dan
Dëgjomë
Aty ku je strehuar tani
Në parajsën e mendimit
Nuk është politika për shkrimtarët
Ajo i do pakurrizorët
Ti ishe kolonë Partenoni
Poezie kritike eseje
Dhe do të qajnë pa ty
Si unë
Tek nuk u pajtova me ty
Kur hyri djalli mes nesh

Kulmuan dikur Estetikë e dallueshme
Në zemrën e gjërave
Dhe plakushi Kasëm që e deshëm shumë

Tani kuvendoni bashkë
Një ditë edhe unë do t’ju bëj shoqëri

Dan
Dëgjomë bre Dan
Politika nuk është për shkrimtarët
Ua zbeh madhështinë
Ua than palcën e mendimit
I bën shërbëtorë të injorancës

Dan
O Dan

Të humba në vitin e pavarësisë
Parimet janë kokëforta
Po Dani në mua është Dani i rinisë
Dani i 81-shit
Dani i pluralizmit
Dani i shpresës
Edhe pse kjo lë shumë për të dëshiruar

Dan
O Dan
Syri lotin nuk po e mban

O Dan

© A.Z., Prishtinë, Kafe Monaco, 22.10.2020

Abdullah Zeneli

DY FJALË PËR RAMADAN MUSLIUN

Ramadan Musliu, u lind në Beguncë të Vitisë, më 31 maj 1954 .

Punoi si profesor i gjuhës dhe letërsisë Shqipe në Viti. Më pas, për një periudhë të gjatë, në gazetën e përditshme “RILINDJA”.

Gjatë viteve të nëntëdhjeta të shekullit të shkuar, u mor dhe me veprimtari politike në kuadër të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Pas luftës, u zgjodh deputet, në legjislaturën e dytë të Kuvendit të Kosovës.

Jetoi dhe krijoi në Prishtinë.

Ka botuar pesë libra me studime dhe kritikë letrare:

“Mbindërtimi poetik”, 1990, Prishtinë;
“Konfiguracione narrative”, 1998, Tiranë;
“Estetikja e dallueshme”, 2005, Prishtinë;
“Ekskurs në letërsinë për fëmijë”,2000, Shkup;
“Tangjenta letrare”,2012, Prishtinë.

Si dhe, pesë librave me poezi:

“Parodia e trupit”, 1981, Prishtinë;
“Shqisa e gjashtë”, 1985, Prishtinë;
Pasqyra e të rrëfyerit”,1987, Prishtinë;
“Kënga e sibilave”, 1996 Tiranë;
“Në zemrën e gjërave”, 2004, Prishtinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Kopjacët gjithmonë dështojnë!